E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndryshimet kushtetuese kalojnë tek ligjet

 

Pavarësisht kundërshtive të të vegjëlve, komisioni ka marrë në shqyrtim amendamentet kushtetuese

 

Fatmir Xhafaj dhe Arenca Trashani përcaktohen relatorë të projektligjit "Për amendimin e Kushtetutës"

Kuvendi i ka hapur rrugë nismës së Partisë Socialiste për amendimin e Kushtetutës në nenet 64 dhe 68, ku përcaktohet sistemi dhe mënyra e ndarjes së zonave zgjedhore. Socialistët dhe demokratët kanë rënë dakord dje në Komisionin parlamentar të Ligjeve, që të marrin në diskutim propozimet e PS-së për ndryshimin e ligjit themeltar të shtetit për të sanksionuar kalimin nga sistemit zgjedhor mazhoritar të korrektuar, në një sistem proporcional-rajonal me zona shumemërore. Por ashtu siç pritej, diskutimi i një çështjeje të tillë ka provokuar një debat të ashpër midis përfaqësuesve të partive të vogla dhe të mëdha. Debati ka pasur të bëjë jo me përmbajtjen e këtyre propozimeve që janë paraqitur në Kuvend në formën e projektligji, por me procedurat e ndjekura për futjen e tij në axhendën e punës së Komisionit të Ligjeve. Menjëherë pasi kryetari i këtij komisioni bërë prezantimin e amendamenteve përkatëse, deputetët përfaqësues të partive të vogla, Spartak Braho i LSI-së dhe Arian Madhi i PR-së, janë shprehur kundra futjes së projektligjit për diskutim që këtë javë. Të "vegjlit" kundërshtuan hapur që komisioni të niste pikërisht këtë të hënë diskutimin mbi paketën e ndryshimeve kushtetuese, me argumentin se po shkeleshin procedurat parlamentare. Braho dhe Madhi akuzuan kryetarin e komisionit, Fatos Beja, për shkelje të rregullores së funksionimit të komisionit, pasi, sipas tyre, futja në rend të ditës e diskutimit të këtyre propozimeve nuk ishte parashikuar në kalendarin trejavor. Por ky pretendim është kundërshtuar nga kryetari i komisionit, Fatos Beja, i cili tha se propozimi i socialistëve vjen në komision në përputhje me rregulloren. Beja tha se ka një vendim të Konferencës së Kryetarëve, që ka përfshirë në kalendarin trejavor të punimeve diskutimin e këtyre ndryshime. Sipas tij, komisionet janë të detyruara të zbatojnë vendimet që merr Konferenca e Kryetarëve. Ndërkohë që Arian Madhi i bëri thirrje kryetarit të komisionit që të respektojë rregullat, duke i kërkuar dy partive të mëdha që të heqin dorë nga miratimi me nxitim i ligjeve të tilla që kanë një rëndësi kaq të madhe. Në debat ka ndërhyrë dhe deputeti i Partisë Socialiste, Bashkim Fino i cili duke bërë një propozim konkret, kërkoi që të caktoheshin relatorët dhe t'u lihej kohë deri ditën e mërkurë, për ta sjellë projektligjin përsëri në komision me relacionin përkatës. Kjo kohë, sipas tij, do t'i shërbente dhe deputetëve për t'u njohur më mirë më propozimet. Në bazë të këtij propozimi, komisioni votoi si relator Fatmir Xhafën, nga PS, dhe Arenca Trashanin, nga PD. Ndërkohë që edhe për këtë propozim të "vegjlit" kanë kërkuar që në grupin e relatorëve të bënin pjesë dhe konstitucionalistë të pavarur. Amendamentet e paraqitura nga PS, synojnë ndryshimin e nenit 64 dhe 68 të Kushtetutës dhe konkretisht, që sistemi zgjedhor të jetë proporcional-rajonal dhe ndarja rajonale të bëhet në bazë qarku.

Amendamentet

Neni 64 ndryshohet si vijon:

1. Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë, të zgjedhur mbi bazën e sistemit zgjedhor proporcional, me zona zgjedhore shumemërore.

2. Caktimi i zonave zgjedhore shumemërore bazohet në ndarjen administrative të Republikës së Shqipërisë.

3. Kriteret dhe rregullat për zbatimin e sistemit zgjedhor proporcional, për caktimin e zonave zgjedhore dhe për numrin e mandateve për secilën zonë përcaktohen në ligjin për zgjedhjet.

Neni 68 ndryshohet si vijon:

Rregullat për caktimin e kandidatëve, për regjistrimin e zgjedhësve, për zhvillimin e fushatës zgjedhore, administrimin, shpalljen e rezultateve dhe vlefshmërinë e zgjedhjeve përcaktohen nga ligji për zgjedhjet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›