E Diel, 1 Nëntor 2026

Penalitete për bizneset që nuk dëmshpërblejnë ish-pronarët

Autori i Lajmit: Suela Topi
“Ata që kanë pushtuar truall me pallat, do të shqyrtohen dhe do të zhdëmtojnë ose do të përballen me kodin penal. Nëse një person është bërë milioner me pronën e një pronari, duhet t i përgjigjet atij qindarkë për qindarkë dhe nëse nuk i përgjigjet, atij duhet t i kthehen në ditë vuajtje dënimi të gjitha dëmet”

Çdo biznesmen që ka ndërtuar në tokën e ish-pronarit duhet të dëmshpërblejnë çdo centimetër tokë, në të kundërt do ketë ndjekje penale. Ky ishte paralajmërimi i bërë dje nga Kryeministri Sali Berisha vetëm pak orë pas kundërshtimit të propozimeve të bëra nga nga ish-pronarët në Komisionin e Veprimtarisë ku po diskutohet Ligji i Legalizimeve. Berisha pohoi më tej se ligji i rishikuar i legalizimeve u jep përgjigje të mirë kërkesave të pronarëve, por duhet te parashikojë edhe ndëshkim penal për ndërtuesit e pabindur. Po dje në Mbledhjen e Grupit Parlamnetar të PD-së, Berisha kërkoi edhe rishikimin e vlerësimit të formulës së tokës, në mënyrë që të përcaktohen çmime, që i përgjigjen tregut si në zonat e zhvilluara, ashtu edhe në ato të pazhvilluara. Por sipas kryeministrit ajo që është bërë çështje shqetësuese është lënia e tokës djerrë, dhe përpara se Qeveria të marrë një vendim, Kryeministri kërkoi bashkëpunim me opozitës.
Deklarata
“Ata që kanë pushtuar truall me pallat, do të shqyrtohen dhe do të zhdëmtojnë ose do të përballen me kodin penal. Nëse një person është bërë milioner me pronën e një pronari, duhet t i përgjigjet atij qindarkë për qindarkë dhe nëse nuk i përgjigjet, atij duhet t i kthehen në ditë vuajtje dënimi të gjitha dëmet”, - u shpreh Berisha duke shtuar se, në këtë mënyrë, ne vendosim një kod moral dhe ligjor më të drejtë. Duke nënvizuar domosdoshmërinë e rivlerësimit të formulës së vlerësimit të çmimit të tokës, Kryeministri tha se mund të ketë ndonjë pronë në Tiranë, që vlerësohet 350 mijë lekë dhe me të vërtetë ajo pronë ka atë vlerë ose ndoshta më shumë, por nga ana tjetër, ka territore të tëra të tjera, me qindra e mijëra kilometra katror, ku vlera nuk është as 10 euro dhe vlerësohet 150 euro. Kjo sipas tij ka bllokuar procesin. Lidhur me ligjin për legalizimin dhe ligjin për titujt e pronësisë në bujqësi, si dy ligje jashtëzakonisht të rëndësishëm, me të cilët siç cilësoi Kreu i Qeverisë tha se në këtë mënyrë shtyhet qartësisht përpara reforma e pronësisë. Sipas tij në ligjin për legalizimin janë bërë kompromise të arsyeshme, të cilat marrin në konsideratë më mirë interesat e pronarëve si dhe bëjnë disa specifikime të domosdoshme lidhur me ndërtimet brenda vijës së verdhë dhe jashtë saj. Sipas Kryeministrit, në rastin konkret brenda vijës së verdhë, të drejtën ekskluzive dhe të vetmen për zhvillimin e zonës do ta ketë pronari legjitim dhe vetëm ai. Po dje ai theksoi se është e domosdoshme që të rivlerësohet çështja e formulës së vlerësimit të tokës. Kryeministri kërkoi nga Ministri i Financave dhe ai i Ekonomisë, që të angazhojnë ekspertët më të mirë, sepse vetëm në çështjen e vlerësimit nuk ka mungesë praktikash. “Ekzistojnë module të gatshme, të cilat bëjnë vlerësimet e tokës”, - tha Kryeministri. Duke nënvizuar se kjo është emergjencë, çdo javë që kalon nga kjo e dëmton procesin e zhvillimit të pronave, ai kërkoi të nisë menjëherë puna nga Ministria e Financave, METE, dhe e Bujqësisë. Gjithashtu, Kryeministri u ndal dhe tek çështja e tokave të papunuara, duke e cilësuar këtë si problem të madh. “Ne nuk do ta tolerojmë një gjë të tillë, ne jemi një vend me pak tokë, ne klasifikohemi në vendet me pak tokë dhe një vend me pak tokë, nuk ka tokë për ta lënë djerrë", - tha Kreu i Ekzekutivit duke kërkuar nisjen e dialogut me opozitën dhe në komisionin përkatës. Kryeministri vuri në dukje se duhet të gjendet mënyra më e mirë dhe duhet t i jepet zgjidhje këtij problemi, pa e shtyrë atë. “Unë dëshiroj që edhe opozita ta marrë me seriozitet se është problem shumë i rëndësishëm”,- theksoi ai. Duke iu referuar disa pronarëve, të cilët thonë se nuk i dalin dot zot tokës së tyre, pasi sipas tyre, i pengon shumë taksa e vendosur për transferimin e tokës, numri njw i Qeverisw premtoi se kjo çështje do të rishikohet, pasi kjo taksë edhe mund të jetë rënduar më shumë. “Këtë çështje e kam diskutuar edhe me ministrinë e Financave dhe duhet të bëjmë një ndërhyrje lehtësuese në këtë drejtim”, - deklaroi Berisha.
Ky lajm është publikuar: 27/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›