E Shtunë, 31 Tetor 2026

Penalizimet PSD dhe PAD kundërshtojnë gjobat e KQZ-së

Autori i Lajmit: Redaksia
Partitë politike janë të pakënaqura me projektvendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për gjobitjen e tyre për shkak të parregullsive në zgjedhe. Pas publikimit të këtij projektvendimi, i cili gjobiste plot 24 parti, kanë ardhur dhe reagimet e para nga radhët e tyre. Gjatë mbledhjes së djeshme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është diskutuar projektvendimi “Për shqyrtimin e raporteve të auditimit për subjektet zgjedhore për zgjedhjet e Kuvendit 2009”, ku janë shfaqur dhe pakënaqësitë e subjekteve politike. Por fillimisht anëtarët e komisionit kanë diskutuar për ndarjen e këtij projektvendimi në dy akte të veçanta për të mundësuar kështu miratimin më vete të raporteve të auditimit për të gjitha subjektet politike dhe një tjetër akt për gjobitjen e tyre. Pjesa e raporteve të auditimit të ekspertëve kontabël dhe verifikimi i KQZ-së nuk ka hasur në kontestime dhe është miratuar me shumicë votash. Në bazë të këtij vendimi, KQZ ka për detyrë që ti bëjë publike këto raporte brenda datës 2 dhjetor. Por ajo çka është diskutuar është gjobitja e subjekteve politike. Përfaqesuesi i Partisë Aleanca Demokratike, Genci Anastasi, ka kontestuar gjobën e parashikuar për këtë parti prej 50 mijë lekësh. Arsyetimi për këtë gjobë ishte për shkak të moshapjes së një llogarie bankare ku mund të derdheshin donacionet mbi 100.000 lekë. Por Anastasi pohoi se PAD nuk ka pasur donacione mbi këtë shifër dhe për pasojë nuk e ka pasur të nevojshme hapjen e një llogarie të tillë. Të njëjtin arsyetim kundërshtues ka përdorur dhe anëtari i KQZ-së, Pandeli Varfi, i cili është zgjedhur në këtë post si përfaqësues i PSD-së. Edhe kjo parti politike është gjobitur me të njëjtin arsyetim. Por sipas Varfit, është e panevojshme hapja e një llogarie bankare kur nuk zhvillohen transaksione nëpërmjet saj. Në bazë të projektvendimit të KQZ-së, nga shqyrtimi i raporteve te auditimit, rezulton se disa parti politike nuk kanë respektuar dispozitat e Kodit Zgjedhor në lidhje me financimin e fushatës zgjedhore. Shkeljet e konstatuara janë mungesa e regjistrimit në regjistrin e posaçëm miratuar nga KQZ shumën e fondeve të përftuara nga personat fizikë apo juridikë, disa subjekte të tjera nuk kanë respektuar kërkesën e parashikuar në nenin 90, pika 2 të Kodit Zgjedhor, pasi nuk kanë hapur një llogari të posaçme për dhurimin e fondeve jopublike me vlerë më të madhe se 100 mijë lekë, ndërsa shkelja e tretë është mosrespektimi i kërkesave të parashikuara nga neni 91, pika 3 e Kodit Zgjedhor, pasi shpenzimet e kryera prej tyre për fushatën zgjedhore nuk janë dokumentuar duke respektuar legjislacionin tatimor. Megjithatë vendimi për ti gjobitur ato është lënë për në fillim të dhjetorit, në mënyrë që tu lihet kohë subjekteve të penalizuara të mbrohen dhe të dokumentojnë kundërshtitë e tyre.
Në rast të kundërt mund ti drejtohen Kolegjit Zgjedhor.
Ky lajm është publikuar: 26/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›