Paga e të punësuarve në fason sa për të mbajtur frymën
08/02/2010 Më shumë se gjyma të pasiguruar
DURRES- Lënia jashtë skemës së sigurimit shëndetësor e shoqëror të një pjese të konsideruar të të punësuarve në industrinë e tekstileve në Durrës ka ndikuar në rënien e dukshme të standardeve ekonomike tek punëmarrësit. Durrësi mendohet se numëron afro 70 ndërmarrje, kompani e filiale fasoni në të cilët janë të punësuara rreth 5500 deri në 6000 gra e vajza. Kjo kategori e ka shumë të vështirë të gjejë tregun e punës për shkak të nivelit të ulët të kualifikimit dhe kjo ka bërë që gratë e vajzat e punësuara të qëndrojnë në pozita inferiore përpallë kërkesave për kushte pune, sigurime shoqërore, rritje page etj. Sindikata ka raportuar disa herë lidhur me gjendjen diskriminuese të punës dhe shfrytëzimin e minorenëve në këto linja prodhimi, por reagimi i Inspektoratit të Punës ka qenë e zbehtë duke mos mundur të vendosë përpara ligjit abuzuesit.
Problematika
Industria e tekstileve në Durrës, Shijak, Sukth, Shkozet, Spitallë dhe në disa zona të tjera ka siguruar një numër të konsideruar të krahut të lirë, të cilin e shfrytëzon jashtë të gjitha kritereve. Sipas pohimeve që vijnë nga sindikata në Durrës, janë fare pak kompani e ndërmarrje fasoni që kanë nënshkruar kontratë individuale e kolektive mes punëdhënësit e punëmarrësit. Një vit më parë kreu sindikatës Avni Çuni pati thënë se janë më shumë se 3000 gra e vajza të pasiguruara, shifër kjo e barabartë me 55 për qind deri në 60 për qind të numrit të përgjithshëm të të punësuarve. Në ndryshim nga zgjidhja e disa problemeve të këtyre subjekteve lidhur me furnizimin me ujë e drita apo edhe uljen e taksave dhe detyrimeve të tjera, kompanitë kanë investuar fare pak për kushtet e punës. Paga më e mirë për një të punësuar në linjat e prodhimit në industrinë e tekstileve nuk kapërcen mbi 150 dollarë, ndërsa norma është e lartë dhe vështirë për t’u kapur. Kështu gratë e vajzat detyrohen të dalin në punë të shtunën e të dielën dhe në ditët e festave zyrtare. Kapanonet e punës kanë lagështi, xhama të thyer, pluhur, në disa raste erë të rëndë për shkak të materialit të punës, si dhe përgjithësisht janë të shtruara në beton. Pronarët e huaj dhe ortakët e tyre shqiptar kanë mundur të shfrytëzojnë papunësinë e lartë dhe kërkesën për punë duke mbajtur në nivele shumë të ulëta pagën dhe shpërblimin për mbikohën e mbipunën. Ajrimi, ndriçimi, higjiena, sipërfaqja në m2 për punëtor, koha e dhënies së pagës, kontrata individuale dhe kolektive, pagesa e lindjes, shfrytëzimi i minorenëve dhe etika e komunikimit mes punëdhënësit e punëmarrësit është thënë se do të bëhen objekt kontrolli. Por vetëm një pjesë shumë e vogël e ndërmarrjeve janë vëzhguar nga inspektorët, të cilët nuk kanë bërë asnjëherë publike kushtet e punës në këto kompani dhe as vërejtjet. Paga këtu është sa për të mbajtur frymën, kurse ka pasur edhe raste të abuzimeve me fëmijë apo detyrimet për sigurime shoqërore. Tashmë në industrinë e tekstileve është bërë e normës vonesa e pagës apo edhe mosdhënia asnjëherë e tyre. Të punësuar në fason kanë bërë të ditur se u është ndaluar shuma për sigurim shoqëror, ndërsa ka rezultuar se ata nuk janë të siguruar. Edhe pse sinjale të tilla kanë shkuar tek sigurimet, këto të fundit janë treguar indiferentë duke mos vënë para përgjegjësisë shkaktarët. Janë fare pak ndërmarrje që kanë regjistrat të rregullt për mallin, pagat, sigurimet, fitimin, pagesat tatimore etj. Taksa e fitimit për fasonin u ul nga 25 për qind në 10 për qind, kurse taksa e kontributit shoqëror nga 32.9 për qind në 28 për qind me idenë se do të rritej numri i të siguruarve dhe paga e të punësuarve së bashku me fitimin për pronarët. Gjatë një viti mendohet se eksportohet deri në 150 mijë ton mall dhe se realizohet një xhiro që varion nga 3.5 miliardë lekë deri në 4.5 miliardë lekë duke përfshirë tërësinë e kompanive të fasonit në vend, ku Durrësi ka pjesën e saj të xhiros dhe fitimit. Përgjithësisht këto ndërmarrje punojnë me mall të porositur dhe se eksportohet në Itali, Greqi, Gjermani, Rumani, Austri, Zvicër etj.