E Shtunë, 31 Tetor 2026

Penalltite e Bakajt

Nuk janë vetëm 3 gola zyrtarë të shënuar në futbollin rumun. Janë edhe 3 penallti të fituara nga Elis Bakaj në jo shumë ndeshje mes kampionatit dhe kupës. Pas disa javësh vështirësie për ta stabilizuar vetveten në formacionin e Dinamos së Bukureshtit, shqiptari ka shpërthyer duke qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm të formacionit të famshëm bardhekuq.

Bakaj fitoi dy penallti në suksesin 5-1 në gjysmëfinalen e Kupës së Rumanisë ndaj Glorias së Bistricës, duke dhënë ndihmën e tij në këtë fitore, ndonëse kualifikimi për në finale ishte afruar që në triumfin 2-0 në ndeshjen e parë. Futbollisti kuqezi luajti gjatë gjithë ndeshjes duke marrë edhe një vlerësim mjaft të mirë.

Dinamo do të luajë finalen ndaj rivalit të madh kryeqytetas, Steaua, për të fituar të paktën një trofe në këtë sezon të vështirë, ku kreu i kampionatit është pak si larg “qenve të kuq”.

Bakaj ka realizuar 3 gola këtë gjysmë sezoni dhe përgjithësisht ka marrë nota shumë të mira për paraqitjet që ka bërë në fushën e lojës.
Ndoshta do të jetë edhe “dora” e tij në fitoren e kupës së Rumanisë, diçka tashmë e rëndësishme për këtë klub që, ndonëse ka 18 tituj dhe 12 kupa rumune, për 4 sezone me radhë nuk ka arritur të fitojë asgjë. Titulli i fundit kampion u arrit më 2007, ndërsa për kupën duhet shkuar shumë më prapa, në vitin 2002.

Dinamo është në vendin e 4-ët në kampionat me 53 pikë pas 32 ndeshjeve, pa shanse për të mbërritur në zonën Champions, ndërsa duhet të ruajë kualifikimin për në Ligën e Europës, pasi Steaua është vetëm 2 pikë prapa.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›