Reagimet per sfiden Valencia-At. Madrid

Pas dy vjetësh, bardhekuqtë kthehen në finalen e Ligës së Europës. Trajneri i Atletikos së Madridit, Diego Pablo Simeone, është krenar për djemtë e tij që eleminuan Valencian në gjysmëfinale.
“Jam i lumtur për lojtarët e mi. E përsëris se është heroike ajo që ata po bëjnë, duke luajtur të enjteve dhe të dielave për 2 muaj. Patëm mungesa dhe konkurruam me forca të reduktuara. Finalja ishte thjesht synimi i parë. Do të ndeshem me një njeri që unë e admiroj, me Marselo Bielsën. Kam shumë respekt për profesorin. Jam shumë i lumtur që do të takohem në finale me të. Mendoj se ne kemi një respekt të dyanshëm”, u shpreh Simone.
Për trajnerin e Valencias, Unai Emeri, pengesa ishte tepër e lartë për t’u kaluar pas humbjes 2-4 të ndeshjes së parë.
“Së pari, dua të përgëzoj Atletikon e Madridit, që e meritoi daljen në finale. E dinim se do të ishte e vështirë dhe të dyja skuadrat patën shanse. Kur ishim të fortë e bëmë Atletikon që të vuante, por barra ishte shumë e rëndë. Kur humbëm energjitë, ne u shuam në pjesën e dytë”, deklaroi Emeri.
Dalë nga dalë, Atletiko po e ndërton sërish historinë e saj europiane, ashtu si shumë kohë më parë. Ndoshta për tifozët e saj do të ketë ditë të bukura.