E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja e gjyqtares belge, autori është iranian, jo shqiptar



BRUKSEL – Policia belge arrestoi të dyshuarin si autor të vrasjes së një gjyqtareje në Pallatin e Drejtësisë në Bruksel, tri ditë më parë. Ekzekutori nuk është shqiptar, siç u pretendua fillimisht nga media, por është një 47-vjeçar me kombësi iraniane. Policia ka thënë se 47-vjeçari e ka vrarë gjyqtaren në shenjë hakmarrje, ndaj një vendimi të dhënë prej saj, madje duke mos kursyer as asistenten e gjyqtares, të cilën e qëlloi me një mjet të fortë. Vrasësi arriti të largohej nga godina e gjykatës, menjëherë pasi kreu vrasjen, ndërsa policia është vënë për 24 orë në ndjekje të tij, duke finalizuar aksionin me arrestimin e vrasësit. Implikimi i 47-vjeçarit iranian në vrasjen e gjyqtares mësohet se është konfirmuar nga disa persona, të cilët ndodheshin dëshmitarë në sallën e gjyqit, kur u ekzekutua gjykatësja. Vrasësi ka qenë i pranishëm në gjykatë gjatë gjithë seancës dhe në përfundim të saj, pasi dëgjoi vendimin e dhënë ndaj tij qëlloi me armë në kokë gjyqtaren ndërsa më pas goditi me një send të fortë edhe asistenten e saj. Menjëherë pas krimit, policia rrethoi zonën ndërsa media nxituan të deklaronin se krimi makabër ishte kryer nga një shqiptar, çka më pas rezultoi se nuk ishte e vërtetë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›