Droga, Greqia ekstradon në Itali Liljana Kondakçiun
Gjykata greke në Selanik vendos ekstradimin në Itali të këngëtares së njohur shqiptare, Liljana Kondakçi, e dënuar në mungesë me 32 muaj burg, nga Gjykata e Katanzaros. Vendimi për dorëzimin e saj para drejtësinë italiane, është shpallur mbrëmjen e së martës nga Gjykata e Selanikut. Këngëtarja lirike shqiptare e viteve ’80, që mediat italiane e cilësojnë si yllin e muzikës shqiptare, u arrestua një muaj më parë në Selanik, për llogari të Italisë. Kondakçi u prangos në një banesë në qytetin verior, gjatë një operacioni të përbashkët të policisë greke, Interpolit dhe njësisë speciale të Guradia Di Finanza. Lajmi për arrestimin e saj u publikua fillimisht nga mediat greke e më pas e konfirmoi për mediat shqiptare edhe Ambasadori shqiptar në Athinë, Vili Minarolli. Arrestimi i këngëtares shqiptare 58-vjeçare u krye në një banesë në qytetin grek, shtëpia e cila prej muajsh ishte marrë me qira nga familjarët e saj.
DENIMI I KENGETARES
Problemet e këngëtares Liljana Kondakçi me drejtësinë italiane kanë nisur më 19 maj të vitit 2006, kur ajo u arrestua në stacionin e trenit Sibari, me tre kilogramë kokainë në çantë. Në momentin e arrestimit, këngëtarja deklaroi se pakoja me drogë ishte një dhuratë nga një fans dhe ajo nuk ishte në dijeni për përmbajtjen e saj. Pasi qëndroi disa muaj në burg, Kondakçi u lirua dhe u kthye në Tiranë, ku deklaroi se arrestimi i saj kishte qenë gabim dhe se nuk kishte asnjë problem me drejtësinë italiane. Pak muaj më vonë, në tetor të vitit 2008, Prokuroria e Castrovillarit në Itali, kërkoi dënimin me 2 vjet e 8 muaj burg, për artisten shqiptare dhe pritësin e lëndës narkotike, i cili rezultoi gjithashtu të ishte një shqiptar. Në nëntor 2008, gjykata shpalli vendimin duke dënuar këngëtaren, e cila u shpall fajtore si korriere e trafikut të drogës nga Shkodra drejt Jugut të Italisë, ku magazinohej. Gjykata argumentoi në vendim se Kondakçi ishte pjesë e një bande italo-shqiptare të trafikut të drogës, bandë e dyzuar për lidhje me organizatën mafioze “Ndrageta”. Policia italiane pohoi atëherë se Kondakçi thirrej “La mamma” nga anëtarët e tjerë të grupit kriminal, ku bënte pjesë, të cilët ranë të gjithë në prangat e policisë. e.d