E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLSH: 2704 raste abuzimesh me ligjin 7501

Kontrolli i Lartë i Shtetit zbulon 2704 raste abuzive me titujt e pronësisë. Sipas monitorimit të KLSH për ndarjen e tokës gjatë viteve 2006-2007-të, rezulton se abuzimet janë në Korçë, Pogradec dhe Lezhë.

Rastet më të mëdha të abuzimit janë vënë re në Pogradec, ku numri i tyre shkon në 2467. Në Korçë, KLSH konstaton 128 raste abuzimesh në ndarjen e tokave dhe 109 raste abuzive në Vlorë.

Kallëzime penale

Për konsumimin e figurës së veprës penale të ‘shpërdorimit të detyrës’ për 2 ish-kryetarë të Komisionit të Ndarjes së Tokës në fshatin Voskopojë, KLSH ka depozituar kallëzim penal pranë organit të prokurorisë.

Për Qarkun e Lezhës, KLSH ka rekomanduar 23 masa organizative dhe 5 masa disiplinore, ndërkohë që është bërë kallëzim penal për regjistruesin e ZVRPP, Lezhë, përgjegjësin e sektorit të regjistrimit hartografik të ZVRPP, ish-kryetarin e Bashkisë së Lezhës në cilësinë e kryetarit të KRRT-së dhe për ish-drejtorin e Urbanistikës të kësaj bashkie, në cilësinë e sekretarit të KRRT-së.

Edhe për abuzimet që janë kryer në Pogradec, KLSH ka kërkuar kallëzim penal për ish-regjistruesin e ZVRPP, Pogradec, për 11 ish-kryetarë të komisioneve të ndarjes së tokave, për pesë ish-përfaqësues të Këshillit të Rrethit Pogradec dhe pesë anëtarë të ish-komisioneve të ndarjes së tokës.

Abuzimet

Në Qarkun e Korçës janë dhënë 17 mijë metra katrorë tokë bujqësore në kundërshtim me ligjin 7501, për sipërfaqen 367 mijë metra katrorë janë plotësuar aktet e marrjes së tokës në pronësi për familjet që nuk kanë pasur gjendjen civile dhe nuk kanë qenë banorë të Voskopojës më vitin 1991.

Në 64 raste për sipërfaqen 565 mijë m/2 janë lëshuar akte të marrjes së tokës në pronësi në kundërshtim me ligjin 7501, pasi rezulton se familjeve bujqësore u është dhënë tokë më tepër se norma e përcaktuar për frymë.

Në komunën Buçimas, Pogradec, ka rezultuar se përfaqësuesit e komisioneve të ndarjes së tokës në fshatrat Buçimas, Vërdovë, Gështenjas, Peshkëpi, Rrëmenjë Baçallëk, Tushemisht e Gurras dhe komisionin e ndarjes së tokës në komunën Buçimas në kryerjen e detyrave funksionale kanë shkelur kërkesat e akteve ligjore mbi ndarjen e tokës.

Janë 667 raste me sipërfaqe 2.261.855 m/2 tokë që janë lëshuar për persona që figurojnë të regjistruar në regjistrat e zyrës së gjendjes civile të komunës Buçimas më vitin 1991.

Janë 772 raste me sipërfaqe 2.787.818 m/2, në të cilën nuk është përcaktuar emri dhe mbiemri i përfaqësuesit të familjes bujqësore, nuk ka numër akti dhe nuk ka të përcaktuar datën e përpilimit.

Në përfundim të kontrolleve, KLSH ka konstatuar parregullsi dhe shkelje të dispozitave ligjore, për të cilat ka kërkuar edhe kallëzim penal.

Të dhënat e Kontrollit të Lartë të Shtetit do të shërbejnë për komisionin që do të verifikojë tapitë e tokave të dhëna sipas ligjit 7501. Komisioni për verifikimin e tokave do të drejtohet nga zv/kryeministri Genc Pollo dhe ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana.  
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›