E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moratoriumi për skafet e ka humbur fuqinë

Për ndalimin e trafikut të klandestinëve nga uji, qeveria shqiptare para tre vitesh miratoi në Kuvend moratoriumin për skafet.

Ky ligj ndalonte qarkullimin në ujërat shqiptare, detet dhe liqenet të të gjitha mjeteve motorike, apo anijeve e varkave, të cilat mbanin një numër të konsideruar njerëzish në bordet e tyre.

Ligji është miratuar në Kuvend më 4 prill të vitit 2006 dhe ka hyrë në fuqi pasi është botuar në Fletoren Zyrtare. Afati i veprimit të këtij ligji është tre vjet dhe në bazë të tij, tashmë rezulton se në shtator të 2008-ës fuqia e ligjit ka rënë së vepruari.

Fundin e këtij ligji e ka paralajmëruar që në fund të sesionit të shkuar parlamentar deputeti i PAD-së, aktualisht nënkryetari i Kuvendit, Neritan Ceka, i cili depozitoi një nismë për ta zhvleftësuar përfundimisht.

Pak ditë pas kësaj nisme, ministri i Brendshëm Nishani kërkoi në Kuvend që të shtyhet afati i veprimit të moratoriumit për skafet, pasi kishte rezultuar i suksesshëm.

Sipas Nishanit, gjatë këtyre tre viteve, numri i kalimit të klandestinëve, apo trafikut të lëndëve narkotike nëpërmjet detit ishte minimizuar shumë.

Por pas një bisede me nënkryetarin e Kuvendit, Ceka, ai konfirmoi për “Shqip”, se tashmë pas tre vjetësh, moratoriumi për skafet e ka humbur fuqinë e veprimit, ndaj për t’i dhënë një zgjidhje se çdo të bëhet me të, qeveria duhet të nxjerrë akte nënligjore për të disiplinuar lundrimin në ujërat shqiptare.

Sepse, sipas Cekës, tashmë do të krijohet një parregullsi, e cila mund të shkaktojë mjaft probleme. Moratoriumi për skafet është miratuar tre vjet më parë nga Kuvendi me 72 vota pro, 6 kundër dhe një abstenim.

Opozita nuk ka marrë pjesë në votim, ndërsa grupi parlamentar i PDR-së në atë kohë, ka votuar kundër tij, duke e cilësuar si një ligj që prek lirinë e lëvizjes së lirë.

Pretendim, i cili seancën e atëhershme parlamentare është hedhur poshtë nga Kryeministri Berisha, që ka theksuar se “ky ligj është e vërtetë që cenon 1000 apo 2000 qytetarë, të cilët paskan skafe apo mjete motorike lundruese, por ai u jep mundësinë qindra dhe mijëra shqiptarëve të bashkohen si familje, të mund të shkojnë te fëmijët e tyre”.

Por, pas tre vjetësh kjo deklaratë e Kryeministrit nuk rezulton e vërtetë, pasi shqiptarët ende nuk po ia arrijnë asaj dite për të lëvizur lirshëm nëpër vendet e tjera të botës, por po e paguajnë shumë shtrenjtë me kokat e tyre bashkimin me familjarët e tjerë, të cilët janë matanë kufijve shqiptarë.

Këtë e dëshmon edhe rasti më i fundit në liqenin e Butrintit, ku humbën jetën të paktën deri më tani 4 persona.

Liberalizimi i vizave të premtuara para tre vjetësh në Kuvend nga Berisha, ka mbetur thjesht një përrallë që tregohet në netët e gjata të dimrit, pasi shqiptarët ende po shtypen nëpër dyert e ambasadave dhe po mbyten në liqenet dhe detet e vendit.

“Ne synojmë liberalizimet sa më të mëdha të vizave për qytetarët shqiptarë”, është shprehur Berisha në seancën e 4 prillit.

Sipas tij, “skafet janë bërë shumë dëmtuese për imazhin e Shqipërisë dhe ky ligj synon ta përmirësojë dukshëm imazhin e vendit tonë”.

Në bazë të këtij projektligji, të gjitha lëvizjet e mjeteve motorike lundruese shqiptare në ujërat territoriale dhe të brendshme të Republikës së Shqipërisë, si dhe transporti i mjeteve në rrugë tokësore, pezullohen për 3 vjet nga data e hyrjes në fuqi të tij”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›