Barcelona blindon Guardiolën, kontratë edhe për një vit tjetër
Rinovimi
Marrëveshja e re është zyrtarizuar nga trajneri në një konferencë për shtyp
Pep Guardiola do të qëndrojë në krye të stolit të Barcelonës edhe për një vit tjetër. Trajneri rinovoi dje kontratën me klubin katalan, pas “tripletës” së sezonit të kaluar: La Liga, Champions dhe Kupa e Mbretit, të cilat u shoqëruan edhe me Botërorin për klube, Superkupën e Europës dhe Superkupën e Spanjës, duke e mbyllur vitin 2009 në mënyrë të jashtëzakonshme. Lajmi është konfirmuar nga tekniku në një konferencë për shtyp në “Kamp Nou”, ku ishin të pranishëm edhe presidenti Joan Laporta dhe drejtori teknik, çiki Begirishtajn. “Ndodhemi këtu për të njoftuar se Guardiola do të jetë trajner i Barcelonës edhe për sezonin e ardhshëm”, deklaroi Laporta. Megjithatë, ai theksoi se kontrata e re ndërmjet palëve do të firmoset më vonë: pra pas zgjedhjeve presidenciale në klubin “blaugrana”, pavarësisht faktit se cili do të jetë presidenti i ri. Pasardhësi i Laportës pritet të emërohet në gjysmën e vitit 2010. Kontrata do të jetë 1+1, me një klauzolë e cila parashikon prishjen e njëanshme të akordit nga drejtuesi i ardhshëm i Barçës. Në fakt, mandati i Laportës, që ishte në muajt e fundit të detyrës, ishte pengesa kryesore në rinovimin e Guardiolës.
#