Riberi pranë braktisjes së Bajernin
Bundesliga
Drejtuesit bavarezë këmbëngulin deri në fund: Kemi gati një kontratë të re për të
Në fillim të muajit mars, drejtuesit e Bajernit të Mynihut do të takohen me Frenk Riberinë, për të vendosur të ardhmen e francezit, bëri të ditur drejtori sportiv i bavarezëve, Kristian Nerlinger. Francezi deklaroi në fillim të janarit se dëshironte ta zgjidhte skuadrën me të cilën do të vazhdonte karrierën, përpara fillimit të kampionatit botëror, ku ai do të jetë pjesë e Kombëtares së Francës. Riberi ka një kontratë deri në vitin 2011 me Bajernin e Mynihut dhe presidenti Uli Hënes ka pranuar se ata do ta shesin, nëse 26-vjeçari nuk firmos kontratën e re. Gjithsesi, Nerlinger sqaron: “Riberi është takuar me ne vetëm një herë gjatë verës së kaluar dhe tha se ndihej i lumtur në Mynih dhe e falënderonte klubin për kushtet që i kishte krijuar. Në korrikun e kaluar, Frenku na tha se nuk e imagjinonte veten larg Bajernit. Pasi na erdhën oferta nga çelsi dhe Reali i Madridit, ne bëmë një mbledhje të brendshme dhe të bazuar te dëshira e futbollistit vendosëm ta mbajmë. Frenku është sjellë gjithmonë në mënyrë korrekte dhe e respektojmë. Nuk kemi ushtruar asnjëherë presion ndaj tij për të ardhmen dhe nuk do ta bëjmë tani. Do të ulemi me të në bisedime në fillim të muajit mars. Ne do t’i bëjmë ofertën tonë, ai do të na tregojë kërkesat që ka dhe shpresoj të gjejmë një rrugë të përbashkët për rinovimin e kontratës, të bazuar te ndershmëria dhe respekti reciprok. Para fundit të muajit mars do ta dimë nëse Riberi do të qëndrojë në Mynih, apo do ta nxjerrim në shitje gjatë merkatos së verës, një vit para fundit të kontratës”. Riberi nuk ka luajtur në pjesën më të madhe të sezonit, si pasojë e një dëmtimi serioz në gju. Francezi u riaftësua në fund të dhjetorit, por një problem në gishtin e këmbës e mbajti jashtë në ndeshjen e së premtes ndaj Hofenheimit. Gjithsesi, Nerlinger mendon se Frenku do të jetë i gatshëm për ndeshjen e ardhshme, të shtunën ndaj Verderit. “Riberi ka pasur një dëmtim serioz në gju dhe tani që e ka lënë pas krahëve, të gjithë jemi entuziastë për rikthimin e tij”. Megjithatë zërat për largimin e talentit francez në drejtim të Realit të Madridit janë përforcuar dhe kjo konsiderohet gjithnjë edhe më e sigurt, Për Riberinë interesohet edhe Barcelona.
#