Stiven Xherard: Nuk largohem nga Liverpuli
Bashkëpronari i “Reds”, Xhorxh Xhilet, ka mbështetur teknikun Rafa Benitez, e ardhmja e të cilit në “Anfilld Roud” është e pasigurt
Stiven Xherard këmbëngul se nuk ka ndërmend të largohet nga Liverpuli. Prej kohësh po spekulohet se kapiteni i “Reds” nuk do të luajë më në “Anfilld Roud” pas këtij sezoni, pasi ai synon të transferohet në një klub që mund t’i sigurojë trofe të rëndësishëm deri në fund të karrierës si futbollist. Madje, pas ndeshjes në FA Cup, ku Liverpuli u eliminua nga Riding, u përfol edhe për një përplasje verbale ndërmjet mesfushorit dhe trajnerit Rafa Benitez. Megjithatë Xherard, i cili po rehabilitohet nga një tërheqje në kofshë, deklaron se është më i përkushtuar se kurrë ndaj klubit ku është rritur. Ai tha: “Kam dëgjuar dhjetëra informacione rreth meje dhe së ardhmes, por të gjitha janë të pavërteta. Do të më pëlqente të dija nga dalin lajme të tilla, pasi njerëzit që i thonë ato duhet të kenë një fantazi të jashtëzakonshme. Nuk ka asgjë të vërtetë, ky është realiteti. Megjithatë, nëse dikush mendon se me spekulime të pakuptimta do të arrijë të prishë marrëdhënien time me klubin, gabohet rëndë. Situata e krijuar na ka bashkuar edhe më shumë, madje të gjithë së bashku kemi qeshur me atë që shkruhet nëpër media. Debati me Benitez? Që prej periudhës kur Rafa është emëruar në krye të skuadrës, asnjëherë nuk kam pasur probleme me të apo me stafin teknik. Nuk ka pasur asnjë polemikë ndërmjet nesh në pushimin e ndeshjes me Riding, madje unë isha duke u kuruar për shkak të një dëmtimi që kisha pësuar në 45 minutat e para. Objektivi im kryesor është që të rikuperohem sa më shpejt, në mënyrë që të punoj me trajnerin dhe skuadrën për të dalë nga periudha e vështirë që po kalojmë. Të gjithë zërat rreth largimit tim janë të pabaza. Tifozët duhet të qëndrojnë të qetë, sepse po jap maksimumin që të kthehem në formë optimale dhe të ndihmoj ekipin që ta mbyllë sezonin mes katër të parave në klasifikim”. Liverpuli rrezikon seriozisht kualifikimin në sezonin e ardhshëm të Champions League dhe zërat për largimin e Benitez vazhdojnë të qarkullojnë me ngulm. Si zëvendësues i tij shihet holandezi Gus Hidink, por bashkëpronari Xhorxh Xhilet ka dalë në mbështetje të spanjollit. “Ne mendojmë se Rafa është një prej pesë teknikëve më të mirë në qarkullim në botë. Kemi besim të plotë te puna e tij”, tha biznesmeni amerikan.
#