Uesli Shnajder ndez sfidën Gatuzo: Është një derbi special
Interi do të paraqitet të dielën me probleme në mesfushë. Milanit i mungon Pato, ndërsa Nesta e Zambrota janë në pikëpyetje
Një fitore e Milanit do të hapte virtualisht garën për titull
“Cila është më e fortë ndërmjet Interit dhe Milanit? Do ta shohim të dielën”. Këto janë fjalët e Uesli Shnajder përpara derbit që mund të ketë shumë peshë në garën për titullin kampion në Serinë A. Fantazisti zikaltër, i cili ka debutuar me skuadrën e Murinjos pikërisht në sfidën ndërmjet dy milanezeve në fazën e parë, është shndërruar në lojtarin kryesor të Interit. Kjo, pavarësisht faktit se “në Spanjë, të gjitha skuadrat duan të luajnë dhe të lejojnë shumë hapësira, ndërsa në Itali, ekipet kanë mbrojtje të shkëlqyera dhe është shumë e vështirë të sulmosh”. Kur kanë mbetur edhe katër ditë nga derbi i Madoninës, tek Interi po punojnë për t’u paraqitur sa më të përqendruar në këtë ndeshje. Polemikat e ditëve të mëparshme, prej ndryshimit të kalendarit nga Liga e Futbollit pas kërkesës së Milanit, janë venitur dhe shqetësimi kryesor mbetet përballja e fundjavës. Problemi më i madh i stafit teknik është emergjenca në mesin e fushës, për shkak të dëmtimeve dhe të gjendjes jo optimale të lojtarëve. Në këtë repart, Stankoviç, Kambiaso, Muntari e Mota nuk janë në formën më të mirë: ata kanë punuar me seanca fizioterapie dhe atletike edhe të martën, ditën kur pjesa tjetër e skuadrës ishte pushim. Duke analizuar formacionin e mundshëm anti-Milan, Murinjo pritet të konfirmojë Pandev në repartin ofensiv përkrah Diego Militos, me Shnajder që do të luajë pas shpinës së dy sulmuesve. Në mbrojtje Lusio e Samuel do të pozicionohen në qendër, ndërsa Maikon e Zaneti nga krahët. Në mesfushë (pavarësisht problemeve) Stankoviç, Kambiaso e Mota janë kandidatët kryesorë për një fanellë titullari, ndërsa Muntari do të jetë i gatshëm të aktivizohet në çdo moment të ndeshjes.
Në anën tjetër, me gjashtë pikë diferencë dhe një takim për të rikuperuar, te Milani e kanë të qartë se fitorja përballë Interit do të bënte që skuadra kuqezi të arrinte virtualisht zikaltërit në krye të klasifikimit. Nëse kjo ndodh, gara për titullin do të rihapej. “është një ndeshje shumë e rëndësishme, si për ne, ashtu edhe për Interin”, deklaroi Xhenaro Gatuzo. “Jemi sërish në garë për kampionatin, por kemi shumë respekt për Interin. Ata kanë një skuadër të fortë, e cila është shpallur kampione në vitet e fundit”. Java e përgatitjeve nuk ka filluar në mënyrën më të mirë për trajnerin Leonardo: në prag të derbit, drejtuesi i stolit u informua se nuk do të ketë në dispozicion Paton. Pas vizitave mjekësore u konfirmua se sulmuesi nuk e ka kaluar plotësisht dëmtimin në kofshën e djathtë dhe ai ka udhëtuar drejt Brazilit për t’u kuruar. Në dyshim është edhe mbrojtësi Alesandro Nesta, i cili mund të zëvendësohet në qendër nga Kaladze, ndërsa në krahët e mbrojtjes do të luajnë Abate dhe Antonini. Edhe rikuperimi i Zambrotës duket i vështirë, ndërsa lajme të mira vijnë nga Klarens Sedorf: holandezi po punon me intensitet që të jetë i gatshëm për sfidën e së dielës.
#