E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kredia, Bode: Do marrim vetëm 250 milionë euro

 

Fabiola Çela

Qeveria shqiptare do të mund të marrë vetëm 250 milionë euro kredi dhe jo 300 milionë sa kishte kërkuar. Kjo pasi, kaq ishte vlera e ofruar nga bankat. Kështu është shprehur dje në një deklaratë për mediat kreu i Ministrisë së Financave Ridvan Bode. Gjatë deklaratës së tij Bode nuk ka bërë publike interesat me të cilat qeveria shqiptare po e merr këtë kredi. Ai ka theksuar edhe një herë se ekonomia vendase nuk është përfshirë në vorbullën e krizës globale financiare.
Kredia
Ministria e Financave do të mandatojë “Deutsche Bank” së bashku me “Alpha Bank”, për të siguruar financimin prej rreth 250 milionë – 300 milionë euro në formën e  një “kredie - sindikatë” dhe do t’i rekomandojë fituesve të përfshijnë në transaksion edhe “Raiffeissen Bank” dhe “CreditSuise”. “Dy bankat kanë ofruar 60% – 70 % të masës së kredisë nga fondet e tyre dhe pjesa tjetër sigurisht do të negociohet me të tjera banka, me të tjerë donatorë për të plotësuar nevojën tonë, pasi asnjëra prej bankave nuk mund të ofrojë masa të tilla. Edhe pse për tregun financiar botëror shuma 250 milionë euro apo 300 milionë euro nuk është e madhe, faktikisht të gjitha vendet u kanë vendosur rregulla strikte bankave të tyre për të mos lejuar nxjerrjen jashtë vendeve të tyre, të valutave”u shpreh ministri Bode. Por ministri nuk ka bërë publike interesat që duhet të paguajë qeveria për marrjen e kësaj kredie. “Ky është një element konfidencial i gjithë procesit, pasi bankat e autorizuara kanë nevojë për konfidencialitet në këtë proces, që të mund kontraktojnë kredi me interesa të përshtatshme me ata që kanë ofruar. Pra nuk mund të bëjmë publike asgjë nga niveli i interesave” tha ai.
Zhvlerësimi i lekut
Kredia e marrë në valutë të huaj do t’i shërbejë qeverisë dhe si një masë për të parandaluar zhvlerësimin e mëtejshëm të monedhës vendase. “Me këtë kredi do të financohen vetëm investimet publike, për të plotësuar nevojën në valutë që mund të kenë investimet publike në bazë të kontratave, çka do të thotë se do të jetë një instrument edhe për të dekurajuar presionin e zhvlerësimit të lekut në raport me valutat e huaja”, tha ministri.
Kredia
Ekonomia shqiptare nuk është e përshirë nga vala e krizës globale financiare dhe një gjë e tillë është theksuar sërish nga kreu i financave. “Unë nuk mund të mohoj që në qoftë se Shqipëria do të përfshihet në vorbullën e krizës nuk do të ketë pasoja, por mendoj që Shqipëria është ende larg kësaj vorbulle”, tha ai. Ministri ka reaguar edhe në lidhje me raportin më të fundit të FMN-së. “Katër tregues që merren dhe analizohen, në tre prej tyre Shqipëria konsiderohet si një vend me risk të ulët, pra, risku që ka Shqipëria për t’u përfshirë në krizë, për shkak të prekjes së volumit tregtar, vlerësohet të jetë i ulët. Për shkak të prekjes së investimeve të huaja direkte, vlerësohet të jetë i ulët. Dhe për shkak të uljes së ndihmave dhe financimeve për Shqipërinë, që po ashtu vlerësohet i ulët. Ndërsa vlerësohet me risk mesatar, çështja e remitancave”, u shpreh ai. Sipas tij, ekonomia shqiptare në raportin e FMN-së, është një vend i cili merr vlerësimet më të mira edhe në këtë grup, që cilësohet në këtë studim si grupi i vendeve më të rrezikuara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›