E Diel, 1 Nëntor 2026

Ja rrugët e reja, që do të ndërtohen deri në 2013

 

Fabiola Çela

Qeveria ka planifikuar ndërtimin e një sërë rrugësh të reja. Sipas strategjisë sektoriale të transportit, deri në fund të vitit 2013, qeveria ka hartuar një numër të konsiderueshëm projektesh rrugore. Një pjesë e investimeve madhore kanë nisur dhe pritet të përfundojnë vitin e ardhshëm. Bëhet fjalë pikërisht për projektin e rrugës Durrës-Kukës-Morinë. Në 2009 është parashikuar të përfundojë edhe ndërtimi i rrugës kufitare Leskovik-Tre Urat. Vitin e ardhshëm pritet të përfundojë edhe ndërtimi i rrugës dytësore paralele Rrogozhinë-Lushnjë-Fier si dhe ndërtimi i rrugës paralele Tiranë-Vorë. Përveç rrugëve që financohen nga buxheti i shtetit apo kreditë e huaja, në strategjinë sektoriale të transportit një vend i veçantë u është lënë edhe projekteve rrugore, që do të ndërtohen me sipërmarrje private. Eshtë pikërisht autostrada Thumanë-Rrogozhinë, Tiranë-Kërrabë-Elbasan me tunel, që janë parashikuar të ndërtohen nga vetë kompanitë private.
Financimet
Projektet e infrastrukturës rrugore financohen pjesërisht nga buxheti i shtetit dhe pjesa tjetër edhe huamarrje në tregun e jashtëm. Gjatë këtyre 3 viteve, fondi i investimeve në buxhetin e shtetit ka arritur vlera të konsiderueshme. Pjesa më e madhe e parave të buxhetit i janë adresuar projekteve të infrastrukturës rrugore. Në buxhetin e këtij viti janë parashikuar gati 56.8 miliardë lekë investime ose e thënë ndryshe gati 610 milionë dollarë. Nga këto vetëm financimi i brendshëm është 22.46 miliardë lekë ose rreth 240 milionë dollarë. Ndërkohë në strategjinë sektoriale të transportit vihet në dukje fakti, se fondet e akorduara për mirëmbajtjen e rrugëve nuk përballojnë nevojat e rrjetit rrugor. Gjithashtu me futjen në shfrytëzim të disa akseve të reja rrugore do të rritet edhe kërkesa për fondet e mirëmbajtjes dhe të sigurisë rrugore. Kjo kërkesë do të jetë edhe më e lartë me futjen në shfrytëzim të korridorit Milot-Rrëshen-Kalimash-Kukës-Morinë.  

Aksidentet shkak shpejtësia e makinave
Gati 80 për qind e aksidenteve rrugore ndodhin për faj të drejtuesit të makinës dhe kjo si pasojë e tejkalimit të shpejtësisë së lejuar. Ndërkohë vetëm 19,3 për qind e aksidenteve shkaktohen si rrjedhojë e shkeljes së rregullave nga vetë këmbësorët. Në Tiranë numri i aksidenteve është më i lartë.

Hekurudhat jashtë standatit
Shpejtësia mesatare e lëvizjes së trenave në Shqipëri është 25 kilometra në orë. Kjo do të mjaftonte për të treguar gjendjen e mjerueshme të sistemit hekurudhor. Për vitin 2008 janë parashikuar vetëm 240 milionë lekë investime, që vetë ministria i konsideron të pamjaftueshme. Nuk ka një strategji të qartë për hekurudhat, por qeveria parashikon modernizimin e linjës, Tiranë-Durrës-Elbasan.
 

Rrugët e reja

Korridori Durrës-Morinë
Ndërtimi i segmentit Milot-Rrëshen 26 km (pjesë e korridorit Durrës-Kukës-Morinë) me financim të Bankës Botërore dhe F.OPEC prej 35 prej milionë dollarësh dhe të qeverisë shqiptare. Përfundon në 2009, dublimi në 2011.

Ndërtimi i segmentit Rrëshen-Kalimash 60 km, me 4 korsi dhe një tunel rreth 6 km, kosto e parashikuar rreth 500 milionë euro, 50 për qind financim i qeverisë shqiptare, pjesa tjetër me financime të jashtme. Përfundon në 2009.

Ndërtimi i segmentit Kalimash-Kukës-Morinë (7 lote), me gjatësi 22 km dhe vlerë të parashikuar prej 9.8 miliardë lekë, financim nga qeveria shqiptare dhe ndërtimi i lotit 8 (Kalimash-Kolsh) rreth 6 km, financim i pritshëm i Bankës islamike për Zhvillim, 35 milionë dollarë. Përfundon në 2009.

Korridori Lindje-Perëndim (Korridori 8)
Ndërtimi i segmenteve Lushnjë-Fier 21.5 km, financim i qeverisë italiane për 24 milionë euro. Përfundon në 2008.

Ndërtimi i rrugës Fier-Levan-Vlorë 43 km, rreth 101 milionë euro bashkëfinancim i EBRD dhe EIB. Përfundon në 2010.

Ndërtimi i rrugës Qafë Thanë-Pogradec-Korçë 64 km rreth 90 milionë euro. Përfundon në 2011.

Korridori Veri-Jug
Ndërtimi i segmentit Shkodër-Hani i Hotit 39 km (përfshirë unazën e Shkodrës) me vlerë 21.7 milionë euro, me financim të qeverisë italiane dhe qeverisë shqiptare. Përfundon në 2010.

Ndërtimi i rrugës Fier-Levan-Tepelenë 71 km (rreth 70 milionë euro) bashkëfinancim i EBRD dhe EIB. Përfundon në 2010.

Ndërtimi i rrugës Tepelenë-Gjirokastër 23 km, me financim të BEI-it dhe KE-së prej 24.5 milionë euro. Përfundon në 2008.

Rrugët turistike
Ndërtimi i rrugëve turistike të plazhit të Divjakës, Fier-Seman, Laç-Patok, Spilles, Gjirit të Lalzit, Shëngjin-Velipojë-Delta e Bunës si dhe të rrugës së bregdetit jug-perëndimor Vlorë-Sarandë (financim i buxhetit) etj. Përfundojnë në 2010.

Rrugët kufitare
Ndërtimi i rrugës Sarandë-Konispol, me gjatësi 41 km me vlerë 32.3 milionë euro, financim i qeverisë greke dhe EC. Përfundon në 2010.

Ndërtimi i segmentit Leskovik-Tre Urat 33 km, financim i qeverisë greke dhe qeverisë shqiptare. Përfundon në 2009.

Ndërtimi i rrugës kufitare të Liqenasit dhe Has-Qafë Prush (350 dhe 650 milionë lekë) si dhe i Rrugës së Arbrit etj. Përfundon në 2013.

Rrugë të tjera
Ndërtimi i rrugës Kardhiq-Delvinë 39 km rreth 3 miliardë lekë. Përfundon në 2010. 

Ndërtimi i rrugës Fushë Krujë-Milot dublimi i superstradës 25 km me vlerë 4.5 miliardë lekë. Përfundon në 2012.  

Ndërtimi i rrugëve dytësore paralele Rrogozhinë-Lushnje-Fier 2.8 miliardë lekë, si dhe ndërtimi i rrugëve paralele Tiranë-Vorë 850 milionë lekë. Përfundon në 2009.

Ndërtimi i rrugëve që parashikohen me sipërmarrje private si autostrada Thumanë-Rrogozhinë, Tiranë-Elbasan, (Vaqar-Papër), Tiranë-Kërrabë-Elbasan (me tunel) dhe Bulqizë-Tiranë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›