E Shtunë, 31 Tetor 2026

Që sot, 20 mijë lekë më të varfër

Faturat e energjisë elektrike të familjarëve, nga dita e sotme 17 euro më të larta

Duke filluar nga sot të gjithë konsumatorët familjarë do të paguajnë tarifa më të larta të energjisë elektrike. E thënë ndryshe fatura e muajit mars e cila paguhet në muajin pasardhës pra në prill për një familje e cila harxhon rreth 600 kilovat energji në muaj, do të paguajë rreth 2000 lekë të reja më shumë për energjinë ose e konvertuar në monedhë të huaj rreth 17 euro më shumë. Faturat do të jenë më të larta si rezultat i rritjes së çmimit prej 71.4 për qind për konsumatorët familjarë. Sipas statistikave zyrtare rezulton se familjet të cilat përdorin energjinë si për ngrohje ashtu dhe për gatim konsumojnë në muaj rreth 600 deri në 700 kilovat energji. Pra ky llogaritet konsumi mesatar për familjet shqiptare. Por me tarifat e mëparshme fatura e energjisë që i duhej të paguante një familje kapte vlerën e 5040 lekëve në muaj duke përfshirë këtu edhe pagimin e TVSH-së. Tashmë sipas llogaritjeve për konsumin deri në 300 kilovat do të paguhet me çmimin e mëparshëm, kurse konsumi mbi këtë nivel do të paguhet me 12 lekë /kilovat. Pra sipas këtyre çmimeve të reja për konsumin e 600 kilovat energji në muaj , duke përfshirë edhe pagimin e TVSH në masën 20 për qind dhe tarifën për konsumin energjisë elektrike në ambientet e përbashkëta fatura shkon në vlerën e 7050 lekëve. Por një nga argumentat që ka përdorur Enti Rregullator i Energjisë mbi rritjen e lartë të çmimit të konsumatorëve është për të reduktuar përdorimin e energjisë elektrike për ngrohje. Por sipas ekspertëve dhe shoqatave të mbrojtjes së konsumatorëve dhe përfaqësuesve të opozitës shqiptarë të cilët e kanë kundërshtuar ashpër rritjen e çmimit të energjisë, kjo nuk i përgjigjet realitetit shqiptar. Çmimi i lartë i gazit si alternativë për ngrohje mbetet i lartë dhe nuk ju përgjigjet kushteve dhe mundësive të konsumatorëve familjarë. Po ashtu duke ju referuar dhe pagës minimale prej 16 mijë lekë, pagimi i faturave të kripura të energjisë elektrike dhe i çmimeve të larta demonstron hapur pamundësinë për ti paguar. Çmimet e larta sit ë produkteve ushqimore ashtu dhe të shërbimeve të tjera, vazhdojnë të rëndojnë akoma dhe më shumë xhepat e konsumatorëve. Por nga ana tjetër hyrja në fuqi e tarifave të reja të energjisë pritet të përmirësojnë situatën financiare të Korporatës Energjetike në mënyrë që pagimi i energjisë të mbulojë koston e blerjes së saj. Vetë Enti Rregullator i Energjisë shpjegon se në kushtet aktuale, kur importet e energjisë elektrike gjatë vitit 2007, për shkak të kushteve hidrologjike jashtëzakonisht të vështira arritën një rekord historik prej 49% të konsumit të përgjithshëm vjetor, me një çmim mesatar importi prej 69 Euro/MWh, ku shpenzimet për blerje energjie kapën shifrën prej 193 milion Euro. Kjo sipas ERE-s e bëri të pashmangshme rritjen e çmimit të energjisë. KESH i pakënaqur Pavarësisht se çmimi i energjisë elektrike ka shënuar rritje drejtuesit e KESH-it janë të pakënaqur nga kjo. Drejtori i Korporatës Gjergj Bojaxhi e argumenton me faktin se tarifa e shitjes së energjisë mbetet ende më e ulët se kostoja e importit. Nga ana tjetër të dhënat e KESH flasin për një rritje të tarifës mesatare të importit në vitin 2007, ku kjo tarife është shumë më e lartë se tarifa e shitjes së energjisë elektrike. Në vitet 2002-2005 pavarësisht se kosto e importit ka qenë më e ulët se tarifa mesatare është aplikuar rritje pothuajse konstante e tarifës së energjisë, ndërsa kjo gjë nuk mund të thuhet për vitin 2007 ku ndërsa çmimi i importit u rrit ndjeshëm (dhe vazhdon të rritet për shkak të konjukturave të tregut rajonal). Pra sipas Bojaxhi tarifa mesatare e shitjes së energjisë elektrike mbetet ende më e ulët se kostoja mesatare e importit. Më pak arkëtime nga konsumatorët Përfundimi i analizës vjetore të KESH-it për vitin 2007, paraqet rënie të nivelit të arkëtimit të energjisë te konsumatorët familjarë. Pavarësisht kësaj treguesit e performancës për vitin 2007 flasin për nivelin më të lartë të arkëtimeve dhe humbjeve që nga viti 1997 duke vendosur rekord në këta tregues me 36.5% niveli i humbjeve nga 46% që ka qenë ky nivel në 1997 dhe 39.7% në 2004. Por sipas shifrave që paraqet korporata pesha specifike e energjisë te konsumatori privat është rritur, kurse te konsumatori familjarë është ulur. Sipas saj e gjithë kjo vjen si rezultat i trysnisë së kontrolleve të ushtruara si te konsumatorët ashtu edhe te punonjësit e korporates. Po ashtu sipas drejtorit të KESH-it Gjergj Bojaxhi gjatë vitit 2007 janë hequr nga detyra për shkelje 54 punonjës në nivel drejtues, 154 elektricistë dhe 107 lexues. Po ashtu gjatë vitit 2007 janë kryer 407 kallëzime penale si dhe 667 000 prerje të paligjshme. Ndërkohë që drejtues të korporatës shprehen se puna për eleminimin e fenomenit të abuzimit me energjinë do të vijojë gjatë 2008 edhe më e ashpër deri në eleminimin e plote të këtij fenomeni.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›