Dëshmi të rreme për vajzën e zhdukur, pranga 29-vjeçarit
KUKES – Arrestohet 29-vjeçari për dëshmi të rreme mbi fatin e vajzës së mitur, zhdukur 8 ditë më parë. Zëdhënësja e policisë e qarkut të Kukësit bën të ditur se u prangos Luftëtar Jakupi, nga fshati Lojme dhe me banim në Tiranë. Arrestimi i tij është bërë për dëshmi kontradiktore lidhur me “rrëmbimin”, siç e ka quajtur ai të vajzës së vogël nga Zapodi. Jakupi mësohet se ndodhej në shtëpinë e tezes së Bleona Matës, ku kishte thënë se “vajza e vogël është e grabitur”, madje duke përmendur emrin e një banori të fshatit Lojme. Familjarët kanë njoftuar policinë dhe kjo e fundit udhëton në Lojme ku merr në pyetje 29-vjeçarin për atë që kishte treguar në shtëpinë tezes së 6-vjeçares. I riu mohoi të ketë thënë një dëshmi të tillë, i ballafaquar me dëshmitarët dhe për këtë shkak arrestohet në flagrancë. Akuza ndaj tij është moskallëzim krimi dhe veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës, sipas neneve 301/1 dhe 300 të K.Penal, ndërsa veprimet i kanë kaluar prokurorisë së Kukësit për hetime të mëtejshme. Drejtues të policisë mendojnë se prapa këtij manovrimi mund të fshihet një e vërtetë, e cila të çojë në gjetjen e vajzës së humbur që tronditi komunitetin në Kukës. Për vogëlushen 6 vjeçe nga fshati Zapod i Kukësit, e zhdukur prej së shtunës së javës së kaluar, policia po heton në pistën e rrëmbimit, duke reduktuar kërkimet në terren për humbje aksidentale. Ditën e zhdukjes, vajza e mitur kishte dalë për të kullotur bagëtitë. Por në mbrëmje ajo nuk u kthye më në shtëpinë e saj. Me gjithë kërkimet, nuk u gjet ndonjë gjurmë e saj, duke e lënë mister fatin e Bleonës. j.h