E Diel, 1 Nëntor 2026

Penian, dështon tentativa për të lëshuar raketën në hapësirë

PENIAN - Tentativa e Koresë së Veriut për të lëshuar raketën në hapësirë ka dështuar. Megjithëse Peniani vendosi ta sfidojë perëndimin, raketa që lëshoi sot në mëngjes u shpërbë mbi oqean pak kohë pas lëshimit. Lëshimi i i raketës Unha-3 u bë sot në mëngjes sipas kohës lokale, nga pjesa perëndimore e këtij vendi.

Ministri i Mbrojtjes i Japonisë, Naoki Tanaka, u tha gazetarëve në Tokio se “duket që objekti ka fluturuar për më tepër se një minutë e pastaj ka rënë në oqean” dhe shtoi se “nuk ka pasur absolutisht kurrfarë efekti” në territorin e Japonisë”.

Agjencia zyrtare e lajmeve e Koresë Veriore raportoi shkurt se “sateliti vëzhgues i tokës ka dështuar të hyjë në orbitë dhe se shkencëtarët, teknikët dhe ekspertët tani po i shqyrtojnë shkaqet e dështimit”.

Shtetet e Bashkuara, Britania, Japonia dhe vendet e tjera, patën thënë se lëshimi i raketës nga Koreja e Veriut do të përbëjë shkelje të rezolutave të Kombeve të Bashkuara, që Penianit ia ndalojnë aktivitetet raketore bërthamore dhe balistike.

(er.nu/news24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›