E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionet, Kepi: Të diferencohen profesionet

SHKRUAN: Jonida Tashi 08-09-2011 10:46

Rritja e moshës së pensioneve deri në 70 vjeç duhet të bëhet në mënyrë të diferencuar, veçanërisht për profesionet e vështira. Një nga efektet më të ndjeshme të saj do të jetë përgjysmimi i numrit të personave që do të dalin çdo vit në pension, sikurse edhe koha e marrjes së përfitimit. Më konkretisht, nëse mosha e pensionit do të rritet deri në 70 vjeç, nuk do të dalin më në pension 13 mijë persona, por 7 mijë, ndërsa koha e marrjes së pensionit do të përgjysmohet nga 18 vjet, që është aktualisht në 9 vjet. Ky është shpjegimi që jep eksperti më i njohur i pensioneve në vendin tonë, Fadil Kepi, sipas të cilit s’ka vend për t’u rritur mosha e pensionit për të gjitha profesionet, por vetëm për ata që mund të punojnë pas moshës 60 vjeç. Sipas Kepit, kategoritë e punëve të vështira nuk mund ta përballojnë daljen në pension në një moshë tepër të madhe, ndaj duhen marrë masa nga që të mos mbetet asnjë punonjës pa u siguruar. Specialisti i pensioneve shpjegon edhe se cilat do të jenë efektet pozitive dhe negative të rritjes së moshës së pensioneve, ndërsa jep edhe sugjerimet e tij për këtë çështje, shpjegon se gjithçka është në nivel diskutimi ekspertësh dhe ende nuk ka diçka konkrete. “Sot, në vendin tonë numërohen rreth 570 mijë pensionistë, e thënë ndryshe 16% e popullsisë ose 1 pensionistë në çdo familje. Ndërkaq, për çdo vit shtohen 13 mijë pensionistë dhe buxheti i shtetit e ka të vështirë për ta përballuar këtë skemë, sepse nga 80 miliardë lekë që ishin shpenzimet totale të skemës së sigurimeve për vitin 2010, nga kontributet e sigurimeve janë mbledhur 45 miliardë, ndërsa pjesën tjetër, 35 miliardë lekë e ka paguar shteti për sigurimet shoqërore, pasi nuk mund t’i lerë pensionistët pa u paguar pensionin. Por me këto 35 miliardë lekë shteti mund t’i përdorte edhe për të hapur vende të reja pune ose shërbime të tjera për qytetarët. Meqenëse kjo skemë ka kosto të madhe, shteti nuk e përballon dot”, - shprehet specialisti Fadil Kepi. Përsa i përket numrit të të punësuarve, Kepi pohon se aktualisht në vendin tonë janë 652 mijë persona të punësuar në sektorin publik dhe privat që paguajnë kontribute. Por, nëse do të bënim një krahasim midis numrit të të punësuarve me atë të pensionistëve, del që në vend derdhin kontribute 1.2 persona dhe, sipas Kepit, ky është një kontribut i ulët, pasi duhet që të paktën për një pensionist të paguajnë kontribute 2 persona. Sipas Fadil Kepit, nëse këto kontribute do të paguheshin, do të ulej shuma që paguan shteti për skemën e sigurimeve që nuk përfshin vetëm pensionet e pleqërisë, por edhe ato familjare, të invaliditetit, nënat me shumë fëmijë që dalin në pension në moshën 50 vjeçe, lejet e lindjes etj. Ndërkaq, rritja e moshës, sipas Kepit, do të ketë një efekt të njëkohshëm pozitiv dhe negativ dhe kjo qëndron në faktin se ende disa të punësuar kanë dëshirë të qëndrojnë në punë edhe kur plotësojnë moshën e pensionit, siç janë mësuesit, profesorët, ndërkohë që krijohet problemi i punësimit të brezit të ri, pasi nuk krijohen vende të lira pune. “Arsyeja e dytë është se, ashtu siç e tha edhe Kryeministri, është rritur mosha mesatare e popullsisë dhe disa punonjësve të profesioneve jo të vështira, siç janë mësuesit, u intereson që të shtyhet koha e daljes në pension, se rroga është më e madhe se pensioni dhe gati sa dyfishi i pensionit. Por, edhe kjo e ka një anë negative, që është punësimi i brezit të ri, sepse duke rritur kohën e daljes në pension, krijohen më pak vende të lira pune për brezin e ri që diplomohet. Në gjykimin tim, janë disa profesione si akademikët dhe profesorët, që edhe me ligjin aktual dalin në pension në moshën 68 vjeçe, që e mbajnë rritjen e moshës. Por, ka disa kategori profesionesh, siç janë ato të punëve të vështira, pilotët, minatorët, metalurgët, kërcimtarët, si dhe të punësuarit në bujqësi etj., që nuk mund të dalin në moshë të madhe në pension. Ndaj ne s’i nxjerrim dot të gjitha pensionet të larta, se për shembull kemi gratë ushtarake që dalin në pension për shkak të reformës në moshën 42 vjeçe dhe burrat në moshën 47 vjeç, sikurse kemi edhe minatorët që dalin 60 vjeç dhe që po qëndrojnë të ngujuar për uljen e moshës së pensionit”, - shprehet më tej Fadil Kepi. Ndaj, ai shprehet se studimi për këtë çështje duhet të jetë kompleks dhe të merren parasysh të gjitha propozimet e ekspertëve, si dhe institucioneve përkatëse, që janë Ministria e Punës, ISSH dhe Ministria e Financave. Kepi pohon se Këshilli i Ministrave duhet të marrë mendim nga këto institucione dhe të hartohet një ligj, miratimi i të cilët duhet të bëhet në Kuvend me konsensusin e të dyja palëve, pasi, ndryshe nga vendimi për rritjen e masës së pensioneve që duhet të miratohet nga qeveria, vendimi për rritjen e moshës duhet të miratohet vetëm nga Kuvendi.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›