Filipi: Rritja do ulë numrin e kontribuesve
Shqipëria është aktualisht një nga vendet me moshën më të lartë të pensionit në Europë. Të dhënat zyrtare të OECD-së tregojnë se mosha e pensionit për burrat në Shqipëri është mesatarisht 2.1 vjet më e madhe se mesatarja e vendeve të zhvilluara. Gjergji Filipi, drejtor kërkimesh në institutin “Axhenda” në Tiranë, thotë se janë vetëm dy raste të shteteve që e kalojnë moshën 65 vjeç të daljes në pension: Norvegjia dhe Islanda. Sipas tij, është e tepërt të krahasojmë realitetin shqiptar me realitetin e këtyre dy vendeve, shqiptarët jetojnë më pak sesa qytetarët e vendeve të zhvilluara. Filipi shprehet se për shkak të moshës së lartë të pensionit, një individ mashkull sot në Shqipëri përfiton mesatarisht 14.5 vite pagesë pleqërie, kur mesatarja e vendeve të zhvilluara është 18.5 vjet. “Çfarë po propozojmë të bëjmë ne? Këtë që e kemi, 14.5, duke rritur moshën e daljes në pension për të dy sekset, ne do ta kufizojmë aktualisht në 9.5, do ta çojmë në gjysmën e kohës që përfitojnë pension shqiptarët, në krahasim me të gjitha këto shtete të zhvilluara, te të cilat ne synojmë të shkojmë. Është e paarsyeshme në kontekstin e barazisë”, - thotë Filipi. Më tej ai pohon se, nëse mosha e pensionit bëhet 70 vjet, një pensionist mashkull me jetëgjatësinë aktuale do të gëzojë mesatarisht vetëm 7 vjet pagesë pleqërie, ndërsa për gratë koha e përfitimit bëhet 12 vjet. Kjo, sipas tij, dekurajon skemëm e kontributeve dhe do të rrisë informalitetin “Duke i thënë njerëzve se duhet të punojnë 50 vjet dhe më pas do të jetojnë 9 vjet në pension, atëherë ky është një mesazh që të mos paguajnë dhe të dalin nga skema e kontributeve”, - thotë Filipi.
Studimet tregojnë se deri në vitin 2050 shoqëria shqiptare do të ketë mbi 20% të popullsisë në moshë më të madhe se 65 vjeç. Këta persona duhet të përfitojnë nga skema e pensioneve, e cila sot mbahet në këmbë nga të ardhurat e buxhetit të shtetit.