E Shtunë, 31 Tetor 2026

Variantet e rritjes së moshës

SHKRUAN: Jonida Tashi 08-09-2011 10:38

Për rritjen e moshës së pensioneve janë hedhur në diskutim dy variante, ndërkohë që çështja është ende një diskutim në nivel ekspertësh dhe nuk ka diçka konkrete sesi do të procedohet. Ky fakt bëhet i ditur edhe nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, ekspertët e të cilit shprehen se kjo është një çështje e vjetër që e ka pikënisjen nga një studim i bërë para 4 vitesh nga Banka Botërore, e cila ngriti shqetësimin se skema e pensioneve në vendit tonë është deficitare dhe për këtë arsye duhet ndërhyrë në të. Gjithsesi, përtej këtij apeli të vazhdueshëm të Bankës Botërore për reformimin e skemës së pensioneve në Shqipëri, ajo që diskutohet është sesi do të veprohet me rritjen e moshës, e cila nuk mund të bëhet në mënyrë të menjëhershme, por në mënyrë graduale. Variantet e hedhura për diskutim janë të ndryshëm dhe secili prej tyre do të shqyrtohet për të gjetur se cili është më i miri. Kështu, njëri nga variantet është që rritja e moshës së pensionit të jetë e përvitshme me një muaj, por që kap një afat të gjatë kohor deri në arritjen e moshës 70-vjeçare. Pra, ky variant megjithëse propozon një rritje të ngadalshme dhe graduale të moshës, kërkon shumë vite dhe një ndarje se cili brez do të preket nga kjo rritje. Ndërkohë që një tjetër variant është që rritja e moshës të bëhet, sikurse është vepruar edhe gjatë viteve të fundit, me 6 muaj për çdo vit sipas kategorive. Sipas kësaj skeme, për ta shtuar me 5 vjet moshën e daljes në pension, do të duhen 10 vjet kohë. Gjithsesi, pas shqyrtimit dhe miratimit të këtyre propozimeve, rritja e moshës së pensionit mund të nisë të aplikohet pas 2012-s, vit në të cilin mosha e pensionit do të jetë 60 vjeçe për gratë dhe 65 për burrat. Për herë të fundit, në vitin 2003 ish-qeveria e atëhershme socialiste miratoi në Kuvend një ligj që rriste me 5 vjet moshën e daljes në pension, si për burrat ashtu dhe për gratë. Për të zbutur reagimet e publikut në atë kohë, qeveria zgjodhi një skemë graduale për zbatimin e ligjit, sipas së cilës mosha e daljes në pension rritej nga 6 muaj për çdo vit, për një periudhë dhjetëvjeçare, deri në vitin 2012. Si rezultat, qeveria ia doli që ta rriste moshën e pensionit nga 60 në 65 vjeç për burrat dhe nga 55 në 60 vjeç për gratë, pa ndonjë kontestim të fortë nga publiku dhe grupet e interesit. Që prej datës 1 korrik të vitit të ardhshëm dalja në pension do të jetë 65 vjeç për burrat dhe 60 për gratë. Sipas studimit të Bankës Botërore, problemet kryesore të sistemit të pensioneve mund të përmblidhen si më poshtë vijon: mbulesë e pamjaftueshme për të moshuarit në periudhën afatgjatë, duke i lënë 40% të të moshuarve në të ardhmen pa mundësi përfitimi nga sistemi i pensioneve, si rrjedhojë e numrit të ulët të individëve në moshë pune, që aktualisht kontribuojnë në sistem; rënie e ndjeshme e masës së përfitimeve si pasojë e lidhjes së pensionit maksimal me inflacionin; nivele të larta kontributive që shkurajojnë formalizimin e krahut të punës; mungesa e stimujve në formulën e përfitimit që individët të deklarojnë pagën e plotë gjatë gjithë moshës së tyre të punësimit; dhe mbifavorizim për të punësuarit ruralë dhe pensionistët. Në studim Banka sugjeron se këto probleme mund të zgjidhen përmes reformimit të sistemit të pensioneve, në mënyrë të tillë që përfitimet të mos ulen ndjeshëm në të ardhmen, që masa e kontributit të ulet disi, përmes eliminimit të mungesës së stimujve për të kontribuar dhe përmes trajtimit të të punësuarve rurale njësoj si të punësuarit urbanë, në rast se zgjedhin të vazhdojnë të kontribuojnë në sistemin e pensioneve.

Variantet

Rritja e moshës së pensionit të jetë e përvitshme me një muaj

Ky variant kap një afat të gjatë kohor deri në arritjen e moshës 70-vjeçare

Rritja e moshës të shtohet për 5 vjet rresht me 6 muaj

Sipas kësaj skeme, për ta shtuar me 5 vjet moshën do të duhen 10 vjet kohë

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›