E Diel, 1 Nëntor 2026

Pensionet, Meta: Berisha e rrëzoi natën projektligjin

 

Aristir Lumezi

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, zhvilloi dje një takim me përfaqësues të pensionistëve pas rrëzimit nga maxhoranca të projektligjit të propozuar nga kjo parti. Në votimin e të hënës në mbrëmje, deputetë të opozitës nuk kanë marrë pjesë në votimin e projektligjit, ndërsa deputetët e djathtë të PD-së e kanë rrëzuar me votën kundër. Meta e konsideroi të turpshëm rrëzimin e propozimit të LSI-së për Moshën e Tretë, madje dhe censurimin e të gjithë procesit parlamentar. “Unë dua t’ju them se, ajo që ka ndodhur është shumë e rëndë, jo vetëm sepse ligji nuk u miratua, por edhe për faktin se u bë çdo gjë që të censurohej diskutimi, sepse Qeveria nuk kishte asnjë argument për ta rrëzuar apo për të mos e miratuar atë projektligj. Sepse, çdo vlerësim nga ju dhe nga të gjithë përfaqësuesit e moshës suaj, në debatet e zhvilluara dje, në rast se do të transmetoheshin drejtpërdrejt, do të ishte vërtet një demaskim për atë hipokrizi, të gjoja politikave sociale të kësaj Qeverie dhe të kujdesit të saj për moshën e tretë”, tha Meta. Duke bërë përgjegjës për rrëzimin e këtij projektligji Sali Berishën, Meta tha se “Kryeministri sot është në prag të moshës për pension, apo jo? Po pse ai nuk është i interesuar që të rritet pensioni dhe të garantohen shërbimet e tjera? Sepse Sali Berishës pensionin ia garanton Fazlliçi, ndërsa ju nuk keni Fazlliçë, sikurse dhe ata 380 mijë bashkëmoshatarët apo kolegët tuaj në të gjithë Shqipërinë”. Sipas tij, ky projektligj i propozuar nga LSI është hartuar në bashkëpunim të ngushtë me shoqatën e pensionistëve. “Projektligji u hartuar në konsulencë me Sindikatën e Pensionistëve, me ekspertë të kësaj fushe dhe me marrëveshjet ndërkombëtare, siç është dhe ajo e Madridit, ndërsa Kryetarja e Parlamentit u kujdes që seanca e djeshme të mos jepet drejtpërdrejtë nga televizionet, kur më në fund u vendos në rendin e ditës, pas gati një viti peripecish”, tha Meta. Duke përshëndetur LSI-në dhe kryetarin e saj për mbështetjen reale dhe jo demagogjike që i dha kësaj kategorie shoqërore, kryetari i Sindikatës së Pensionistëve, Isa Gorica tha se, “votimi i një dite më parë në Kuvend është faqe e zezë e atyre parlamentarëve që kanë vepruar në këtë mënyrë për moshën e tretë”. “Pensioni real mesatar në Shqipëri i marrë dhe për fshatin dhe për qytetin është 2.9 për qind më i ulët se sa ka qenë në 2006-ën. Akoma më shumë është në krahasim me 2005-ën. Ne nuk do t’i lëmë gjërat të kalojnë kaq lehtë, sepse përfitojnë të paktën 380 mijë pensionistë. Kjo është një fatkeqësi e madhe, të mos interesohesh për këtë brez, që ka dhënë shumë kontribute, në një kohë që në 520 mijë pensionistë, 80 mijë janë intelektualë”, tha Gorica.

Deputetët që nuk votuan

Gilman Bakalli
Taulant Balla
Lulëzim Basha
Marko Bello
Sali Berisha
Ben Blushi
Diana Çuli
Arta Dade
Alfred Dalipi
Namik Dokle
Vangjel Dule
Frrok Gjini
Skënder Gjinushi
Petrit Gjoni
Kastriot Islami
Petro Koçi
Hamit Kosta
Bujar Leskaj
Arjan Madhi
Arben Malaj
Fatmir Mediu
Ermelinda Meksi
Paskal Milo
Besnik Mustafaj
Nard Ndoka
Jak Ndoka
Spartak Ngjela
Astrit Patozi
Gramoz Ruçi
Genc Ruli
Ndue Shpani
Ymer Tola
Fatmir Xhafaj

Abstenuan
Jemin Gjana
Lajla Përnaska
Bukurosh Stafa

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›