E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionet, Pupla refuzon të pendohet

Rabie Pupla, “protokollistja” e pensionistëve të rremë refuzon bashkëpunimin me drejtësinë. 

Fatos Mahmutaj

Burime pranë hetimit të dosjes “Qelia e hapur”, pohojnë se provat kryesore dhe më të rëndësishme në ngarkim të tre të pandehurve i janë gjetur pikërisht 43-vjeçares Pupla. Bëhet fjalë për një ditar të sajin, ku të paktën që nga viti 2004 e në vazhdim kishte shënuar me imtësi gjithë veprimet që kryente për të pajisur me pensione miniere persona fiktivë, ose ata që nuk kishin punuar kurrë në minierën e boksideve në Priskë. Po kështu, veç të tjerash, asaj iu kapën edhe dokumentet që implikuan edhe dy të arrestuarit e tjerë; Qazim Laçi, ish-deputet dhe ish-kreu i minierës së boksideve në Priskë, dhe Fatmir Sula, ish-shefi i kuadrit në këtë minierë, aktualisht përgjegjës i zyrës së inxhinierëve në “Alba Miniera” në Ministrinë e Ekonomisë. Duke vlerësuar këtë fakt, Prokuroria i ofroi 43-vjeçares statusin e bashkëpunëtores së drejtësisë, në këmbim të informacioneve që do të zbardhnin të vërtetën për këtë çështje, por në të gjitha rastet përgjigjja e saj ka qenë: “Kam kryer vetëm punën time si punonjëse e shtetit, në të gjitha detyrat që kam shërbyer”. Pas kësaj hetuesit janë tërhequr nga kjo ofertë, duke i komunikuar të pandehurës akuzat: “korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë, ose të zgjedhurve vendorë të kryera në bashkëpunim”, “shpërdorim detyre” dhe “falsifikim dokumentesh në bashkëpunim dhe më shumë se një herë”, të cilat në fakt rëndojnë edhe mbi dy të arrestuarit e tjerë.  Burime të hetimit pohojnë se, Rabie Puple, 43 vjeç, lindur në Burrel dhe banuese në kryeqytet, ish-përgjegjëse e Zyrës së Verifikimit në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Tiranë, aktualisht shefe e zyrës së vlerësimit pranë degës së Thesarit, ka përgjegjësinë edhe për mbajtjen e dokumenteve të falsifikuara. Sipas policisë, asaj iu gjetën nga kontrolli blloku i shënimeve me emrat e pensionistëve fantazmë, gjenealitete të falsifikuara të tyre, kartela pensioni bosh dhe të plotësuara, certifikata të ndryshme, libreza pune false dhe regjistra të kohës së komunizmit të falsifikuar. Me të gjitha këto, tre të arrestuarit e operacionit “Qelia e hapur” ia kishin dalë mbanë t’i jepnin pensione të majme jo vetëm atyre që nuk kishin punuar kurrë në minierë, por edhe atyre personave që ende nuk kishin mbushur moshën për të përfituar pension. Madje, për më tepër në ditarin e Puplës ishte shënuar gjithçka me detaje, duke përshirë këtu edhe pagesat 1800 deri në 2500 euro që tre të arrestuarit kishin përfituar nga “pensionistët”, si dhe natyrisht numrat e telefonit të secilit dhe adresat e sakta. Pikërisht mbi të dhënat e shënuara në ditar, Prokuroria po ndërton hetimin në ngarkim të tre të arrestuarve, ndërsa ata që janë gjetur nga 7 pensionistët e rremë, iu është komunikuar akuza e falsifikimit të dokumenteve dhe janë dërguar në gjykatë në procese të tjerë.

“Qelia e hapur”

Të arrestuar
Qazim Ali Laçi, 60 vjeç
Fatmir Gani Sula, 51 vjeç
Rabie Abdi Pupla, 43 vjeçe

“Pensionistët”
Dervish Demarku
Hatixhe Sinakolli
Hashar Çela
Nazmie Çuni
Zyber Çullhai
Antoneta Policio

Akuzat
“Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë të kryera në bashkëpunim”, “shpërdorim detyre” dhe “falsifikim dokumentesh në bashkëpunim dhe më shumë se një herë”

Të arrestuarit, sot për masë sigurie në gjykatë

TIRANE – Gjatë paradites së sotme tre të arrestuarit e operacionit policor të koduar “Qelia e hapur”: Qazim Laçi, ish-deputet dhe ish-kreu i minierës së boksideve në Priskë; Fatmir Sula, ish-shefi i kuadrit në këtë minierë, aktualisht përgjegjës i zyrës së inxhinierëve në “Alba Miniera” në Ministrinë e Ekonomisë; si dhe Rabie Pupla, 43 vjeçe, lindur në Burrel dhe banuese në kryeqytet, ish-përgjegjëse e Zyrës së Verifikimit në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Tiranë, aktualisht shefe e zyrës së vlerësimit pranë degës së Thesarit, pritet të dalin para një gjyqtareje të gatshme në Gjykatën e Tiranës, ku do të përballen me akuzën në seancën e vlerësimit të masës së sigurisë në ngarkim të tyre. Paraprakisht pohohet se gjykata ka vendosur për ta masat e sigurisë “burg pa afat” në mungesë pak ditë më parë, ndërsa sot rreth orës 10:00 gjyqtarja që ka firmosur urdhër-arrestet në mungesë pritet që të verifikojë kushtet e kësaj mase kapitale, dhe të vlerësojë nëse situata vazhdon të jetë e njëjtë për zbatimin e tyre, apo hetimi paraprak ka nxjerrë elementë të rinj, që mund të ndikojnë në ndryshimin e masës.                 fa.ma.

Regjistrat
Pas arrestimit të Rabie Puplës, Qazim Laçit dhe Fatmir Sulës, Task-Forca ka verifikuar se mjaft regjistra të kuadrit të minierës së Priskës që i përkasin kohës së komunizmit, janë falsifikuar duke u zëvendësuar një sasi fletësh. Zëvendësimi jo vetëm që dallohet me sy të lirë, por autorët e krimit, që mendohet se janë tre të arrestuarit, kanë bërë gabime me kronologjinë e të dhënat personale të ish-punonjësve realë dhe atyre fiktivë që kanë shtuar.

Ditari
Një bllok shënimesh që i përkiste Rabie Puplës, i ka dhënë shtysë hetimit të çështjes së pensionistëve të rremë të minierës së Priskës. Në të ajo kishte shënuar të gjitha veprimet që ishin kryer, derisa pensionistët kishin përfituar pensionet e majme si ish-minatorë të viteve ’80. Po kështu në ditar janë gjetur të dhëna edhe për pensionistë me gjenealitete fiktive, si Antoneta Policio, e cila kishte tërhequr për tre vjet pension rreth 20 mijë lekë të reja në muaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›