E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionet, çfarë përfitojnë studentët nga shkolla

Autori i Lajmit: red.
Gazeta “Ballkan” vazhdon të botojë disa letërankesa të qytetarëve kundrejt Institutit të Sigurimeve Shoqërore, lidhur me paqartësitë e tyre për sigurimet shoqërore. Specialistët u japin përgjigje studentëve, emigrantëve, personave që punojnë në agjenci të huaja si dhe japin detaje për mënyrën e funksionimit të pensioneve private në Shqipëri.
Studenti
Jam student, por kam dy vjet që punoj. Më kanë thënë se vitet e shkollës konsiderohen si vjetërsi pune. Është e vërtetë kjo dhe përse s`mund të derdhësh kontribute në Sigurimet Shoqërore, ndërkohë që je ende student?
Specialisti
Bazuar në Ligjin Nr. 7703 datë 11.05.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, neni 91 “Periudhat e quajtura si periudha sigurimi” pika 4 thuhet: “Periudha e kryerjes së studimeve në shkollën e lartë me shkëputje nga puna për gruan, duke filluar nga 1 shtatori 2000 e në vazhdim, pavarësisht nga vendi dhe vitet kur janë kryer studimet, njihet periudhë sigurimi vetëm për efekt pensioni pleqërie”. Pra, në rastin tuaj, periudha e kryerjes së studimeve në shkollën e lartë nuk njihet periudhë sigurimi. Megjithatë, bazuar në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr.167 datë 29.03.2006, pika “1” gërma “a”, “b” dhe “c”, përderisa jeni i punësuar dhe merrni një pagë, edhe në rast se jeni i punësuar me kohë të pjesshme, punëdhënësi është i detyruar të paguajë kontribute të sigurimeve shoqërore. Ju rekomandoj që të kërkoni nga punëdhënësi që të paguajë kontribute për sigurimet shoqërore. Në rast të kundërt mund të sinjalizoni organet tatimore, të cilat e kanë të drejtën e kontrolleve dhe penaliteteve për punonjësit që gjenden të pasiguruar.
Pensionet private
Kam dëgjuar që në Shqipëri kanë filluar të funksionojnë pensionet private. Çfarë janë këto, mund të më sqaroni më hollësisht?
Përgjigjja e specialistit
Ligji nr.7943, datë 1.6.1995 “Për pensionet suplementare dhe institutet private të pensioneve”, ndryshuar me ligjin 8393, datë 2.9.1998 dhe ligjin nr.9181, datë 5.2.2004, në nenin 2 të tij ka shprehur: Ky ligj rregullon sigurimin e pensioneve suplementare të dhëna nga institutet private të pensioneve suplementare. Qëllimi i këtij ligji është sigurimi i përfitimeve suplementare për të siguruarit në rastet e pensioneve të pleqërisë, invaliditetit dhe familjare me anë të rregullimeve suplementare të pensioneve, në shtesë të atyre që jepen nga ligji për sigurimin e detyrueshëm shoqëror. Kështu ligji nr.7943, datë 1.6.1995 “Për pensionet suplementare dhe institutet private të pensioneve”, i ndryshuar në nenin 1 “Përkufizime”, pika 12 thekson: “Termi “person i punësuar” do të përfshijë të gjithë personat që kanë një kontratë pune për kohë të përcaktuar sipas legjislacionit në fuqi për marrëdhëniet e punës dhe me kusht që të jenë të siguruar sipas skemës së sigurimit të detyrueshëm shoqëror. ”Apo në nenin 2 “Qëllimi”, pika 2, theksohet: “Qëllimi i këtij ligji është sigurimi i përfitimeve suplementare për të siguruarit në rastet e pensioneve të pleqërisë, invaliditetit dhe (ose) familjar me anë të rregullimeve suplementare të pensioneve, në shtesë të atyre që jepen nga ligji për sigurimin e detyrueshëm shoqëror”. Sipas këtyre dy përcaktimeve, subjekte të mundshme kontributpagues dhe përfitues do të jenë vetëm personat që janë në marrëdhënie pune sipas legjislacionit shqiptar dhe paguajnë kontribute në skemën e detyrueshme në mënyrë të rregullt. Pra personat që përkohësisht janë të siguruar në mënyrë vullnetare sipas nenit 3 të ligjit 7703, nuk mund të jenë subjekte për ligjin e Instituteve Private të Pensioneve.
Emigrantët
Jam emigrant në Itali dhe dëshira ime është që të kthehem një ditë në vendlindje. Duke qenë se një ditë do të kthehem aty, dua të di nëse është e mundur të përfitoj pension në Shqipëri. Ka një mënyrë për t`u futur në skemën e sigurimeve shoqërore shqiptare, ndonëse nuk punon aty? Si duhet të veproj?
Përgjigjja e specialistit
Edhe gjatë kohës që mund të qëndroni në Itali, nëpërmjet personave të afërm që mund të keni në Shqipëri, mund të autorizoni për lidhjen e një aktmarrëveshje me Institutin e Sigurimeve Shoqërore për t u siguruar nëpërmjet sigurimit vullnetar. Zgjidhja më e mirë është punësimi, si i punësuar apo i vetëpunësuar, në mënyrë që të përfitoni nga sigurimi i detyrueshëm. Megjithatë jemi të gatshëm t ju krijojmë të gjitha lehtësirat e mundshme, në mënyrë që të jeni i mbrojtur nga Ligji për Sigurimet Shoqërore.
Firmat e huaja
Sapo kam filluar punë në një agjenci të huaj dhe nuk më kanë thënë asgjë në lidhje me sigurimet sociale. A ka shteti kontrata me firmat e huaja për kontributet shoqërore?
Përgjigjja e specialistit
Bazuar në Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 167 datë 29.03.2006 “Për çështje të zbatimit të Ligjit Nr.7703 datë 11.05.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar................” kapitulli “ I” pika “4” thuhet:
“Shtetasit e huaj dhe personat pa shtetësi, që punojnë në Republikën e Shqipërisë, sigurohen sipas rregullave të mësipërme, kur janë të punësuar, punëdhënës apo të vetëpunësuar”.
Në interpretim të kësaj pike, nuk diskutohet që ju punëdhënësi duhet t ju sigurojë, por, duhet të sigurohen dhe ata, pavarësisht se janë shtetas të huaj. Për këtë duhet të interesoheni për t u regjistruar si subjekt në degën tatimore ( në rast se nuk jeni regjistruar), të pajiseni me nr.NIPT-i dhe të bëni kërkesën në Institutin e Sigurimeve Shoqërore, për t u pajisur ne Numrin e Sigurimeve Shoqërore.

Shërbimi stomatologjik
Gjobë 50 mijë lekë kur mungon licenca
Inspektorët e Autoritetit Shëndetësor Rajonal të Tiranës kanë ndërmarrë një sërë kontrollesh në klinikat private dentare, për sa i përket licencimit dhe rilicencimit të ushtrimit të aktivitetit të tyre. Që nga muaji dhjetor 2008 janë kontrolluar rreth 220 kabinete të Shërbimit Stomatologjik privat në rajonin e Tiranës për licencimin e ushtrimit të aktivitetit të tyre. Ndërkohë, bazuar në ligjin përkatës, të gjithë personat fizikë dhe juridikë, që ushtrojnë veprimtarinë në shërbimin shëndetësor stomatologjik, në rast të mospajisjes me licencë për ushtrimin e aktivitetit, përballen me gjobën 50 mijë lekë dhe me ndërprerje të veprimtarisë, deri në plotësimin e dokumentacionit sipas legjislacionit. Bazuar në ligj, të gjithë personave nën 18 vjeç u ofrohet falas shërbimi stomatologjik në institucionet e shërbimit shëndetësor stomatologjik publik.

Spitalet
Ja zgjidhja për blerjen e barnave
Rreth 40 për qind e të ardhurave dytësore, të realizuara nga spitalet, do të përdoren për medikamentet dhe materialet e konsumit mjekësor, duke synuar që të mos ketë më mungesa të tyre. Të ardhurat dytësore do të përdoren nga vetë spitalet, krahas buxhetit vjetor të përcaktuar për ta. "Përdorimi i të ardhurave dytësore të spitalit bazohet në një ndarje të caktuar të zërave, në masën 30% për investime, 40% për mallra dhe shërbime (kryesisht medikamente) dhe 30 % për shpërblime të stafit", thanë burime nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor. Të ardhurat nga aktiviteti i spitalit përbëhen nga të ardhurat nga tarifat që paguajnë personat e pasiguruar, të ardhurat nga kryerja e analizave të ndryshme, dhënia e vërtetimeve, kryerja e ekzaminimeve terciare, të ardhura nga aktiviteti ekonomik dytësor, etj. Përcaktimi i raporteve të përdorimit të të ardhurave dytësore lidhet me nevojat për mallra e shërbime, veçanërisht për medikamente e materiale të tjera mjekimi, për investime, si dhe për dhënien e shpërblimeve për punonjësit. Pjesa e të ardhurave për shpërblimin e punonjësve synon rritjen e interesit për realizimin e te ardhurave, shmangien e abuzimeve dhe administrimin sa më të mirë të tyre. Por, nga ana tjetër, ISKSH përcakton kufizimin për dhënien jo më shumë se të dy pagave mujore shpërblim, me qëllim që të përfitojnë sipas kontributit të gjithë punonjësit e spitalit. Për realizimin e shpenzimeve nga të ardhurat e siguruara do të përdoren rregullat e prokurimit publik si për investimet, ashtu edhe blerjen e mallrave e shërbimeve.

Ky lajm është publikuar: 11/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›