E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionet e ushtarakëve, modeli sesi fitohet në Gjykatë



Në numrin e sotëm gazeta “Albania” sjell për lexuesit e saj një praktikë të ndjekur nga ushtaraku N. B., i cili është përfitues i pensionit të parakohshëm që prej vitit 2004 dhe ka bërë padi në Gjykatë për përllogaritje të gabuar nga ISSH-ja në shumës që i takon. Padia e tij është rrëzuar fillimisht në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor në Tiranë. Më pas ajo është shqyrtuar në Gjykatën e Apelit Tiranë dhe Gjykata e Apelit e ka kthyer së fundi për rigjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë. Ushtaraku N. B. ka fituar dhe i ka shkuar për zyrës së Përmbarimit Tiranë vendimi për ekzekutimin e vendimit. Si rasti konkret, ka me mijëra ushtarakë të cilëve iu është hequr në mënyrë të padrejtë shuma që iu takon për të marrë sipas ligjit në pensionet e parakohshme. Shoqatat e Ushtarakëve kanë bërë disa apele dhe kërkesa në drejtim të institucioneve të shtetit, por ende nuk kanë arritur që të fitojnë të drejtën e tyre. Ata kanë kërcënuar se do ta dërgojnë çështjen në Gjykatën e Strasburgut nëse nuk rivendoset sërish në afat çështja e tyre. Kreu i AKUSH, Kujtim Çako ka bërë një përllogaritje, duke marrë në konsideratë edhe indeksimin e pensioneve, dhe ISSH iu detyrohet çdo ushtaraku rreth 22 milionë lekë të vjetra, nga keq-llogaritja e pensioneve që nga viti 1999. Për të lehtësuar procedurat, AKUSH ka ofruar edhe një model “udhëzimi” për ushtarakët në pension të përkohshëm ose të plotë që janë cenuar nga mos-përfitimi i të drejtës së tyre. Aleanca Kombëtare e Ushtarakëve ka kërkuar nga Gjykata e Lartë për të bërë unifikimin e vendimeve për pensionet e ushtarakëve dhe në pamundësi të dhënies së një vendimi të tillë, atëherë secili prej tyre duhet të ndjekë rrugën gjyqësore për fitimin e të drejtës. Për këtë arsye ne japim sot argumentet që ka dhënë treshja e gjyqtarëve: Flutura Skënderi, Artur Kalaja dhe Ilir Toska për ish-ushtarakun, N. B pas padisë që ai i bëri ISSH-së me objekt “Detyrimin e palës së paditur për të rillogaritur përfitimin e pensionit për vjetërsi shërbimi sipas ligjit”.

Padia që ushtaraku bëri në Gjykatë: Ja argumentet

Zbardhet i plotë interpretimi që bëri trupi gjykues për rillogaritjen e pensionit

......“Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata e Shkallës së Parë ka gjetur të bazuar padinë e paditësit, duke vendosur pranimin e saj, me argumentet:

1- Kërkimi i padisë, për përllogaritjen e pensionit të parakohshëm sipas skemës së ligjit, parashikuar në nenin 11 të Ligjit Nr. 8087/1996 ( i ndryshuar nga neni 6, i Ligjit Nr. 8521/1999), është i mbështetur në ligj e në prova.
Siç u parashtrua, çështja ka ardhur për gjykim në Apel, mbi ankimin e paditësit, ku si shkaqe ngrihen pretendime për pabazueshmëri në ligj të vendimeve të Gjykatës së Shkallës së Parë, disa nga të cilat gjenden të bazuara nga Gjykata e Apelit.
- në kohën e trajtimit të paditësit me pension të parakohshëm, pala e paditur ka pasur detyrimin të zbatojë ligjin Nr. 80 87/1996 ( i ndryshuar me Ligjin Nr. 8521/1999), skemën e të cilit pala e paditur e ka zbatuar, duke kufizuar pensionin e parakohshëm me pension maksimal të pleqërisë, kufizim ky që çmohet se bën fjalë për të gjithë masën e pensionit të parakohshëm dhe jo vetëm për germën “b” të nenit 11, të ndryshuar të ligjit, parim i cili (kufizimi i masës së të gjithë pensionit ) vazhdon të jetë edhe në ligjin e ri, Ligji Nr. 9418/2005:
- për llogaritjen e pensionit të parakohshëm për paditësin, pala e paditur është shprehur në vitin 2008.
Kërkimi i padisë për vazhdimin e trajtimit me pension të parakohshëm, sipas nenit 13, si dhe pikës 1 dhe 2 të nenit 14 të Ligjit Nr. 9418/2005, derisa masa e pensionit të mos ketë pësuar rritje si pasojë ndryshimeve të këtij ligji, është i pabazuar në ligj dhe në prova, pasi:
Ligji Nr. 9418/2005, që ka shfuqizuar Ligjin Nr. 8087/1996 (të ndryshuar), në nenet 13 dhe 14 të tij (ndryshuar me Ligjin Nr. 9481/2006), parashikon kushtet dhe masën e përfitimit të pensionit të parakohshëm. Konkretisht, sipas nenit 13 të këtij Ligji: “Ushtarakët e shërbimit aktiv të përhershëm, pavarësisht nga koha e daljes në rezervë/lirim, deri në plotësimin e kushteve për pension të plotë pleqërie, sipas Ligjit Nr. 7703, datë 11.05.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, përfitojnë pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, kur plotësojnë vjetërsinë e shërbimit si ushtarak, në masën 12 vjet për femrat dhe 15 vjet për meshkujt dhe kanë mbushur moshën; 44 vjeç femrat dhe 47 vjeç meshkujt”.ndërsa sipas nenit 14 të ligjit:
1: Masa e pensionit të përkohshëm për vjetërsi shërbimi është 50 përqind e pagës referuese;
2- Për çdo vit tjetër të vjetërsisë në shërbim, mbi përcaktimin e mësipërm, masa e pensionit shtohet me 2% të pagës referuese;
3- Masa e pensionit të përkohshëm nuk mund të jetë më e madhe sesa:
a- gjashtëfishi i pensionit bazë, në datën 1 janar të çdo viti sipas përcaktimit të Ligjit Nr. 7703, datë 11.05.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, për ushtarakët që mbajnë gradën gjeneral..., etj..”:
Në këtë mënyrë, Ligji Nr. 9418/2005, ndryshe nga rregullimi ligjor i mëparshëm (Ligji Nr. 8087/1996, i ndryshuar), ka parashikuar një skemë të re të llogaritjes së pensionit të parakohshëm, skemë e cila që të bëhet e zbatueshme duhet që, në bazë të neneve 4 dhe 32 të tij ( ku parashikohet rezerva ligjore), Këshilli i Ministrave të nxjerrë aktet nënligjore për mënyrën e llogaritjes dhe pagimit të përfitimit që vjen nga skema, shpenzimet e të cilës administrohen nga ISSH dhe përballohen nga Buxheti i Shtetit (neni 4 i ligjit), akte nënligjore këto që deri më tani nuk kanë dalë dhe për pasojë, ligji nuk është i vetë-zbatueshëm.
Në përgjigje të pretendimeve të ngritura në ankim, që lidhen me themelin e çështjes, Gjykata e Apelit çmon se:
Lidhur me momentin e parë, pra të të drejtës së paditësit për të kundërshtuar përllogaritjen e masës së pensionit të parakohshëm bërë nga pala e paditur, duke pretenduar një llogaritje të ndryshme të saj, Gjykata e Apelit çmon se një e drejtë e tillë mund të ushtrohet në çdo kohë. Për këtë, Gjykata e Apelit ka në konsideratë faktin se ligji i posaçëm (ligji për sigurimin suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura) nuk ka kufizuar në kohë ushtrimin e kësaj të drejte, dhe për më tepër, nuk parashikon as ezaurimin e ndonjë rruge ankimi administrativ brenda hallkave të institucionit të Sigurimeve Shoqërore, por, përkundrazi, parashikon juridiksion të plotë të gjykatës për të zgjidhur përfundimisht çështjen, duke lejuar në këtë mënyrë zgjidhjen e mosmarrëveshjeve drejtpërdrejt në gjykatë.
Po kështu, Gjykata e Apelit ka në konsideratë faktin se akti i palës së paditur për caktimin e masës së pensionit të parakohshëm, është një akt që jo vetëm njeh të drejtën e pensionit subjektit përfitues, por, njëherazi, në funksion të realizimit të kësaj të drejte, përcakton dhe masën e pensionit. Duke qenë kështu, ky akt është me efekte të zgjatura në kohë (përsa kohë ekziston e drejta për pension të parakohshëm, që si rregull shkon deri në lindjen e të drejtës së përfituesit për pension të parakohshëm, që si rregull, shkon deri në lindjen e të drejtës së përfituesit për pension të plotë pleqërie. Ndërsa, përsa i përket masës së pensionit, që është një përfitim monetar periodik (mujor) i mbajtësit të të drejtës, ky akt është i ndryshueshëm sipas përcaktimeve të vetë ligjit.
Pra, Gjykata e Apelit çmon se përsa kohë ekziston e drejta subjektive e pensionit tëe parakohshëm, mbajtësi i saj në çdo kohë mund të kundërshtojë, edhe gjyqësish, çdo veprim të subjektit ( palës së paditur) që mbart detyrimin nga ligji, për përmbushjen e plotë të kësaj të drejte.
Për këtë, Gjykata e Apelit ka në konsideratë marrëdhënien juridike që pretendohet të ketë lindur, në rastin konkret, që është një marrëdhënie juridike detyrimi e lindur nga ligji, pikërisht nga paligjshmëria e aktit të caktimit të pensionit, akt i cili ka sjellë cenim të të drejtës subjektive të paditësit për pension të parakohshëm, cenim ky që pretendohet se konsiston në zvogëlimin e përfitimit pasuror, pra, në mos-përfitimin financiar në masën e parashikuar nga ligji. Po kështu, Gjykata e Apelit ka në konsideratë se në këtë marrëdhënie juridike të pretenduar, njëra nga palët, (pala e paditur) që mbart detyrimin ligjor për njohjen, caktimin dhe pagimin pensionin e parakohshëm, është institucion publik.
Nisur nga sa më lart, Gjykata e Apelit çmon të drejta argumentet që Gjykata e Faktit ka argumentuar.
Kështu, si më lart u parashtrua për periudhën në fjalë, e drejta e përfitimit të pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi është rregulluar nga Ligji Nr. 8087/1996 (i ndryshuar) si dhe neni 49, i Ligjit Nr. 9210/2004, rregullim ligjor të kësaj të fundit që pala e paditur nuk e ka pasur në konsideratë dhe as e ka zbatuar.
Konkretisht, që në momentin e lidhjes së pensionit të parakohshëm për paditësin, nga pala e paditur është zbatuar neni 11 i Ligjit Nr. 8087/1996 ( i ndryshuar me nenin 6 të Ligjit Nr. 8521/1999) duke iu kufizua paditësit masa e pensionit të parakohshëm me masën e pensionit të pleqërisë në shkallë vendi”, po nga ana tjetër, kjo dispozitë ka pësuar modifikime, pikërisht me Ligjin Nr. 9210/2004, “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura”, ku në nenin 49 të tij, ndër të tjera, ligjvënësi ka vendosur të shfuqizohej, shprehen “por jo më shumë se masën e pensionit maksimal të pleqërisë në shkallë vendi” në shkronjën “b” të nenit 11 të Ligjit Nr. 8087/1996, Për sigurimet shoqërore suplementare të ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të ushtarakëve të Ministrisë së Rendit Publik dhe të Shërbimit Informativ Shtetëror (i ndryshuar).
Pra, me hyrjen në fuqi të Ligjit Nr. 9210/2004, kuadri ligjor i posaçëm për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, lidhur me pensionin e parakohshëm për vjetërsi shërbimi, ka pësuar ndryshime, ndryshime këto që kanë qenë në fuqi për periudhën pas datës 16.06.2005, të cilat, nga ana tjetër, nuk kanë gjetur zbatim prej palës së paditur;çka do të thotë se për periudhën në fjalë, nuk ka qenë në fuqi rregulli i aplikuar nga pala e paditur; parashikuar në germën “b” të nenit 11 të Ligjit Nr. 8087/1996 ( i ndryshuar ) dhe pikërisht shprehja “por, jo më shumë se masa e pensionit maksimal të pleqërisë në shkallë vendi”.
Për rrjedhojë, aplikimi nga pala e paditur i një rregullimi ligjor, tashmë të shfuqizuar, bën që përllogaritja e pensionit të parakohshëm të paditësit të rezultojë në kundërshtim me ligjin.
Nga ana tjetër, Gjykata e Apelit çmon se pala e paditur duhet të detyrohet të trajtojë paditësin me pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi mbi bazën e përllogaritjes së mësipërme (Në aplikim të nenit 11 të Ligjit Nr. 8087/1996 ( i ndryshuar) si dhe nenit 49 të Ligjit Nr. 9210 ( 2004).
Konkretisht, për arritjen e një përfundimi të tillë, Gjykata e Apelit ka në konsideratë faktin se Ligji Nr. 9418/2005 ka hyrë në fuqi më datë 1.1.2006 (neni 34) ndërkohë që nenet 13 dhe 14 të këtij Ligji, që paditësi kërkon të aplikohen në rastin e tij, janë ndryshuar me Ligjin Nr. 9481/2006, i cili ka hyrë në fuqi më datë 29.04.2006.
Pra, në momentin e ngritjes së mos-marrëveshjes para gjykatës dhe shqyrtimit të saj nga kjo e fundit, praktikisht, siç ka theksuar dhe Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj Nr. 9, datë 26.02.2007, në kuadrin ligjor për pensionet e parakohshme për vjetërsi shërbimi kanë ekzistuar boshllëqe ligjore, nisur nga fakti se neni 33 i Ligjit Nr. 9418/2005 bënte të aplikueshëm pikërisht këtë ligj, ndërkohë që rregullimet konkrete për pensionet e parakohshme për vjetërsi shërbimi (pikërisht dispozita bazë-neni 13 (i ndryshuar) ishte shfuqizuar si i papajtueshëm me Kushtetutën. Në këto kushte, siç ka pranuar dhe Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj, në respektim të parimit të shtetit të së drejtës, që përfshin parimin e sigurisë juridike dhe të të drejtës së fituar, e drejta subjektive e pensionit të parakohshëm e fituar nga paditësi tashmë sipas ligjit të kohës ( në aplikim të nenit 11 të Ligjit Nr. 8087/1996 ( i ndryshuar), si dhe nenit 49 të Ligjit Nr. 9210/2004), por e njohur potencialisht edhe nga ligji në fuqi, mbetet efektive dhe e detyrueshme për tu respektuar nga pala e paditur de për periudhën e ekzistencës së boshllëqeve në kuadrin ligjor për pensionet e parakohshme për vjetërsi shërbimi.
Nga ana tjetër, lidhur me këtë moment, Gjykata e Apelit nuk vuri në diskutim tashmë një rregullim ligjor të ri të bërë në Ligjin Nr. 10142, datë 15.05.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm”, në rrethanat kur kjo nuk i përket mosmarrëveshjes objekt-shqyrtimi.
Për sa parashtruam dhe mësipërm, pretendimet e parashtruara në kërkesën ankimore nuk gjejnë mbështetje ligjore dhe si të tilla nuk pranohen.

Për këto arsye
Gjykata bazuar në nenet 466/b e vijues të Kodit të Procedurës Civile
Vendosi
Lënien në fuqi të vendimit Nr. 922, datë 10.02.2009, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
U shpall sot, më datë 31.03.2010, në Tiranë

BAZA LIGJORE PËR PADINË NË GJYKATË

- Kodi i Procedurës Civile në fuqi: - Nenet: 31, 32/a, 153, 154.

- Ligji Nr. 8087, datë 13 03 1996 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakut të Forcave të Armatosua të Republikës së Shqipërisë, të ushtarakëve të Ministrisë së Rendit Publik dhe të Shërbimit Informativ të Shtetit”, i ndryshuar: - Neni 11.

- Ligji Nr. 9210, datë 23 03 2004 “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, - Neni 49, dhe për periudhën e mëparshme, statusi i 3 korrikut të vitit 1991.

- Ligji Nr. 9481, datë 16 02 2006 “Për disa ndryshime në ligjin Nr. 9418, datë 20.05.2005 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakut të Forcave të Armatosua të Republikës së Shqipërisë”: - neni 4, pika 2.

- Ligji Nr. 9377, datë 21 04.2005 “Për disa shtesa e ndryshime në ligjin Nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimin shoqëror në Republikën e Shqipërisë”: - Neni 20.

- Vendimi Nr. 60, datë 18 01 2005; Nr. 19, datë 28 01 2005 i Gjykatës së Lartë.

Shënim: Për të lehtësuar punën e ushtarakëve, mund të përdoren vendimet e Gjykatës së Apelit apo gjykatave të rretheve gjyqësore, të cilat shërbejnë si shembull për të ndjekur procedurën dhe dokumentacionin në mënyrë që të marrin shumën e duhur të pensionit sipas ligjit (siç ishte rasti i ish-ushtarakut N. B që paraqiti sot gazeta “Albania”).

Pasqyra e Koeficienteve të Indeksimit, sipas viteve 1999 deri 2010
- për vitin 1999 koeficienti është 1.09
- për vitin 2000 koeficienti është 1.07
- për vitin 2001 koeficienti është 1.14
- për vitin 2002 koeficienti është 1.09
- për vitin 2003 koeficienti është 1.10
- për vitin 2004 koeficienti është 1.12
- për vitin 2005 koeficienti është 1.02
- për vitin 2006 koeficienti është 1.04
- për vitin 2007 koeficienti është 1.00
- për vitin 2008 koeficienti është 1.00
- për vitin 2009 koeficienti është 1.00,
- për vitin 2010 koeficienti është ende i panjohur

29 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›