E Shtunë, 31 Tetor 2026

Profesionet e vështira, ndarja sipas kategorive



Avushe Zhuka - Në kategorinë e profesioneve të vështira, janë përfshirë me vendim Qeverie, 117 profesione. Projektligji për trajtimin e veçantë të punonjësve të profesioneve të vështira i miratuar nga Këshilli Kombëtar i Punës përfshin punonjësit e kategorisë së parë, minatorët e metalurgët. Në kategorinë e dytë janë klasifikuar profesionet e naftëtarëve, të shtëpive botuese dhe profesione të tjera të cilët megjithëse kanë vështirësi punë të mëdha nuk mund të përfitojnë trajtim të veçantë. Me vendim qeverie në kategorinë e profesioneve të vështira përfshihen, punonjësit në radhët e ushtrisë, shëndetësisë, arsimit, punonjësit e nëntokës, apo ata që punojnë në sektorë ku çdo ditë mund të vihet në rrezik shëndeti, mendja apo edhe jeta, konsiderohen si profesione të vështira. Punët që kryhen në kushte të vështira e të dëmshme për shëndetin konsiderohen ato që kryhen në ambiente që kapërcejnë kufijtë e lejueshëm të faktorëve të dëmshëm për shëndetin, të cilët përcaktohen në dispozita të veçanta ose në norma të detyrueshme higjieno-sanitare.
Vështirësia
Profesionet e vështira ndahen sipas shkallës së vështirësisë dhe dëmshmërisë për shëndetin për punonjësit. Në shkallën e parë përfshihen punët që kryhen a) në kushtet e ekspozimit ndaj veprimit të pluhurave, që nuk shkaktojnë dëmtime të mushkërisë;
b) në kushtet e ekspozimit ndaj veprimit të substancave toksike, që nuk depozitohen në organizëm; c) në ambientet e mbyllura, në të cilat për arsye teknologjike mbahet konstante temperatura mbi 25 gradë, ose nën 10 gradë; d) në një ambient të lagët me lagështi relative të ajrit mbi 80 për qind, në baltë ose në kontakt direkt me ujin; e) në kushtet e ekspozimit ndaj rrezatimit ultraviolet ose infra të kuqe, për shembull: saldimi, farkëtimi etj; f) në kushtet e vibrimit të përgjithshëm;
g) në ambientet në të cilat është i domosdoshëm përdorimi i ndriçimit artificial; gj) pranë monitorëve elektrikë me ekran (kur punon mbi 4 orë në ditë). Në shkallën e dytë të dëmshmërisë për shëndetin ose të vështirësisë së veçantë përfshihen punët që kryhen: a) në kushtet e ekspozimit ndaj veprimit të pluhurave që shkaktojnë dëmtime të mushkërisë; b) në kushtet e ekspozimit ndaj veprimit të substancave toksike që depërtohen në organizëm;
c) në kushtet e ekspozimit ndaj zhurmave; d) në kushtet e presionit të ulur ose të ngritur për arsye të procesit teknologjik; e) në kushtet e ekspozimit ndaj veprimit të vibrimit lokal, p.sh. përdorimi i pajisjeve pneumatike me dorë;
f) në kushtet e një mbingarkese fizike të llogaritur të paktën 1100 kilokalori për burrat dhe 600 kilokalori për gratë ose që kërkojnë një pozicion të detyruar për trupin; g) në praninë potenciale me burime infeksioni të rrezikshme, në kushtet e ekspozimit ndaj veprimit të hormoneve dhe antibiotikëve që shkaktojnë çrregullime të veprimtarisë fiziologjike të organizmit, si dhe faktorëve të tjerë me veprim të njëjtë si hormonet dhe antibiotikët, në qoftë se kjo do të njihet nga Instituti i Higjienës dhe Epidemiologjisë.
Ndarja
Në shkallën e tretë të dëmshmërisë për shëndetin ose vështirësisë përfshihen punët që kryhen: a) në kushtet e ekspozimit ndaj veprimit të fushave elektromagnetike me frekuencë të lartë në intervalin nga 0,1 deri 300.000 MhZ në zonën e rrezikut;
b) në kushte veçanërisht të rrezikshme: në lartësinë mbi 2m ose në thellësinë nën 2m kur punohet në prani të rrezikut; që lidhen me prodhimin, përdorimin, magazinimin dhe transportimin e gazeve dhe materialeve shpërthyese; brenda rezervuarëve, aparateve, kanaleve, puseve etj., kryerja e të cilave kërkon leje speciale nga drejtuesi i ndërmarrjes ose institucioni;në pajisjet elektroenergjetike që ndodhen nën tension mbi 220 V, që kryhen në përputhje me udhëzimet për mbrojtjen në punë; që lidhen me ngarkimin dhe shkarkimin e lëndëve djegëse të lëngëta, si dhe transportimin e tyre; nën tokë ose nën ujë; në punët me të sëmurët psikikë e me të meta mendore, në shërbimin e anatomisë
patologjike e mjekësisë ligjore, në repartet e sëmundjeve onkologjike. Ndërsa në shkallën e katërt të dëmshmërisë për shëndetin përfshihen punët që kryhen me benzidinë, alfa dhe beta naftiloaminë, klorvinil, punët që kryhen në kushtet e ekspozimit ndaj rrezatimit jonizues, si dhe faktorë të tjerë me veprime analogjike në qoftë se kjo do të njihet nga Instituti i Higjienës dhe Epidemiologjisë.

Profesionet e vështira
1. Përcaktimin e punëve të vështira ose të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e njeriut, si më poshtë vijon:
a) Punët në miniera, në nëntokë, dhe në punimet e tjera, në nëntokë, që kryhen nga:
- minatori, armatori, zjarrmëtari dhe ndihmësit e tyre;
- drejtuesi teknik (personeli inxhiniero-teknik);
- punëtori i transportit dhe i ngarkimit;
- punëtori i shërbimit të ajrimit dhe ai elektromekanik;
-personeli shpëtues dhe inspektues, në miniera, dhe personeli i repartit të inspektim-shpëtimit, miniera, Tiranë.
b) Punët në aviacionin civil, që kryhen nga:
- komandanti i aviacionit,
- piloti,
- navigatori,
- mekaniku,
- radiotelegrafisti,
- radiotelefonisti.
c) Punët në fabrikat e pasurimit të minierave të bakrit, kromit, qymyrgurit, në fonderitë dhe në impiantin e pasurimit të rërave bregdetare dhe në fabrikat e pasurimit të kuarcit, ku përfshihen:

- punët në fonderi;
- punët në farkëtari;
- punët në kaldaja dhe në enët nën trysni;
- saldimi me hark elektrik dhe puna e operatorëve të automatëve të saldimit;
- saldimi me oksiacetilen.
ç) Punët e tilla të:
- polumbarit;
- saldatorit, elektrosaldatorit në rezervuare, kulla dhe cisterna;
- punonjës të pastrimit të brendshëm të rezervuarëve;
- punonjësit që punon me solucione aerosole, radioaktive;
- punonjësit që punon me rreze radioaktive dhe në mjedise radioaktive;
- makinistit dhe ndihmësmakinistit.
d) Punët në fushat e arsimit dhe të kulturës, si ato të:
- balerinit dhe valltarit të ansambleve;
- akrobatit dhe gjimnastit të cirkut;
- solistit të operas;
- muzikantit të veglave frymore, të orkestrave dhe të bandave.
dh) Punët në fushën e shëndetësisë:
- me rrezatime jonizuese (kobaltoterapia, imazheria, radiotologjia klasike, skaneri, rezonanca magnetike);
- në laboratorët mikrobike;
- në shërbimin infektiv, në kirurgji dhe anestezi në sallat e operacionit me gazra.
e) Punët në industrinë e bakrit.
ë) Punët në industrinë kimike dhe atë përpunuese si:
- në prodhimin e baterive;
- në përpunimin e lëkurëve dhe të peliçeve;
- në fabrikat e letrës.
f) Punët në industrinë metalurgjike, të naftës dhe prodhimit të nënprodukteve të saj, si:
- në metalurgjinë e zezë të ferrokromit;
- në uzinat e petëzimit;
- në uzinat e gizës;
- në repartet e furrnaltës;
- në prodhimin e substancave sintetike, polisterolit, polietilenit etj.
g) Punët në industrinë elektrike:
- në lartësi mbi 5 metra nga sipërfaqja e tokës;
- në shërbimet operative, në nënstacionet 110 kv e lartë;
- në shërbimet e pajisjeve, që lëshojnë rreze monokromatike koherente (rreze lazer), rreze elektromagnetike, me frekuencë të lartë, shumë të lartë, të ulët dhe shumë të ulët;
- në shërbimet me elektrovinça, me kulla të lëvizshme;
- në shërbimet operative në filialet elektrike, shpërndarëse.
gj) Punët në prodhimin e tullave e të tjegullave dhe të artikujve prej qeramike, si:
- në prodhimin e çimentos;
- në prodhimin e xhamit, qelqit dhe të llambave elektrike;
- në industrinë e lëkurëve;
- në industrinë e drurit, të letrës dhe të pllakave të zdrukthit.
h) Punët në industrinë e fermentimit të duhanit dhe në industrinë e prodhimit të cigareve.
i) Punët në ndërtim të:
- punëtorit të asfaltit dhe të punëtorit të prodhimit të asfaltit;
- punëtorit që përgatit betonin;
- punëtorit që ngre oxhaqe industriale;
- punëtorit që monton shtyllat e tensionit të lartë;
- sondistit;
- eskavatoristit;
- minatorit në gurore;
- rulistit;
- minatorit në karrierat e argjilave;
- punëtorit të poligrafisë.
j) Punët në ndërmarrjet ushtarake:
- në çmontimin e municioneve;
- në nxjerrjen e eksplozivit nga predhat e çmontuara;
- në nxjerrjen e barutit nga gëzhojat e municioneve të çmontuara;
- në transportimin e municioneve, baruteve dhe eksplozivëve;
- në manipulimin e enëve nën presion;
- në poligonet e provave të fishekëve dhe shtimjeve;
- në prodhimin e baterive të thata (përgatitja e elektrolitit dhe përzierja e aglomeratit);
- në linjat e prodhimit në tunel;
- në proceset galvanike;
- në prodhimin e fishekzjarrëve;
- në prodhimin e gomave (përgatitja e brumit);
- në saldimet me kallaj;
- në proceset e pastrimit me rërë dhe shkëlqim detalesh;
- në prodhimin e kapsollave;
- në linjat e përpunimit dhe prodhimit të baruteve dhe eksplozivëve;
- në prodhimin dhe manipulimin e lëndëve shpërthyese, iniciale, barute, eksplozive.

Projektligji, përfitojnë 3 mijë punonjës të profesioneve të vështira

Projektligji për trajtimin e veçantë të punonjësve të profesioneve të vështira i miratuar nga Këshilli Kombëtar i Punës përfshin punonjësit e kategorisë së parë si minatorët e metalurgët. Nga projektligji për trajtimin e veçantë të punonjësve profesioneve të vështira përfitojnë rreth 300 mijë persona në të gjithë vendin. Në kategorinë e dytë janë klasifikuar profesionet e naftëtarëve, të shtëpive botuese dhe profesione të tjera të cilët megjithëse kanë vështirësi punë të mëdha nuk mund të përfitojnë trajtim të veçantë. Hartuesit e draftit thonë se kjo është e vetmja zgjidhje për të mos dëmtuar skemën e pensioneve. Duke iu referuar përvojës ndërkombëtare, u vendos përfshirja vetëm kategorinë e parë të profesioneve të vështira, duke lënë jashtë kategoritë e tjera të cilët kanë dhe numrin më të madh të punonjësve, siç janë industria e naftës. Përfitojnë mbështetje financiare nga ky projektligj punonjësit e kategorisë të kategorisë së parë, në moshën 55 vjeç për burrat dhe në moshën 50 vjeç për gratë. Në projektligj thuhet se kusht për këtë trajtim të veçantë është periudha e sigurimit për 30 vjet, nga të cilat jo më pak se 15 vjet duhet të jenë punë të kategorisë së parë në nëntokë, ose 30 vjet punë nga të cilat jo më pak se 22 vjet e 6 muaj të jenë në punë të kategorisë së parë.

29 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›