Shkatërrohet rrjeti i shpërndarjes së lëndëve narkotike në Tiranë
TIRANË - Shkatërrohet një rrjet i shpërndarjes së lëndëve narkotike në Tiranë. Një aksion antidrogë ka vënë në pranga katër të rinj dhe ka sekuestruar një sasi lënde narkotike. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës thanë se, janë sekuestruar 73 gram lëndë narkotike e dyshuar Heroinë, si dhe janë arrestuar si posedues dhe shpërndarës së saj 4 të rinj. “Në kuadër të operacionit policor të koduar “Takimi i fundit” i realizuar nga Specialistët e Seksionit Kundër Narkotikëve, në Policinë e Kryeqytetit, kurorëzuan këtë operacion me sekuestrimin e një sasie prej 73 gram lëndë narkotike e dyshuar Heroinë si dhe vendosjen nën pranga të 4 personave”, thanë burimet zyrtare të Policisë së Tiranës. Sipas të dhënave, të arrestuar janë, Ardian Gjyzeli, 39 vjeç, Toni Shalari, 34 vjeç, Aurel Çekiçi, 30 vjeç, Ergys Ibershimi, 30 vjeç, të gjithë të banues në Tiranë. Arrestimet, sipas policisë janë bërë pas një hetimi dy mujor të realizuar me metodat speciale të hetimit. Të dyshuari janë ndjekur dhe vëzhguar nga agjentët e seksionit të Luftës Kundër Narkotikëve, pranë Policisë së Tiranës. Të dyshuarit si shpërndarës janë kapur në afërsi të stadiumit “Qemal Stafa” dhe në rrugën “Artan Lenja” në kryeqytet. Burimet zyrtare thanë se, pas hetimeve është zbuluar se të të arrestuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shpërndanin lëndën narkotike e llojit heroinë me qëllim shitjen në zonat Laprakës, zona e “21 Dhjetorit”, në afërsi të stadiumit “Qemal Stafa”, zona e Kinostudios, Fresku, Linz etj. Policia tha se, gjatë aksionit është sekuestruar në cilësinë e provës sasia prej 72.6 gram lëndë narkotike heroinë, dy automjete të markës “Mercedez” me targa TR 2143 K dhe TR 1038 I, dy armë gjahu shotgan dhe superpost, disa pasaporta dhe disa dokumente, për të cilat dyshohet se janë të falsifikuar. Policia tha se, është duke punuar identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet dhe zbulimin e asete të përfituara nga kjo veprimtari kriminale. Arrestimi i tyre është bërë për akuzat e “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”. Dosja me materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tyre i ka kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për hetime të mëtejshme ndaj tyre.
Gjenden dhe shkatërrohen 146 bimë cannabis
SHKODËR - Sekuestrohen dhe digjen 146 bimë të dyshuara si narkotike Cannabis Sattiva, të kultivuara në fshatin Vig. Policia e Shkodrës bëri të ditur se, rreth mesditës si rezultat i një operacioni të mirëorganizuar nga oficerët kundër drogës është bërë sekuestrimi i bimëve dhe në pranga është vënë 27-vjeçari Vitor Ndoj, i akuzuar për kultivimin e bimëve narkotike. Arrestimi i Ndoj është bërë, pasi në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative dhe gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, në fshatin Vig, u zbulua një parcelë toke ku ishin mbjellë gjithsej 146 rrënjë bimë, të ngjashme me bimën narkotike Cannabis Sattiva. Bimët e zbuluara janë asgjësuar menjëherë me djegie në prani të policisë. Gjatë kontrollit në banesën e Vitor Ndoj, policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës dy armë zjarri, njëra prej të cilave automatik model 56, me një fishek në fole si dhe një armë zjarri pistoletë tip “Zastava”. 27-vjeçari Vitor Ndoj akuzohet tashmë për dy vepra penale, atë të “kultivimit të lëndëve narkotike” dhe të “prodhimit dhe armëmbajtjes pa leje”.
Kapen me cannabis, në pranga dy të rinj
ELBASAN - Policia e Elbasanit ka vënë në pranga dy shpërndarës të lëndëve narkotike. Seksioni kundër narkotikëve ka arrestuar Klevis Hoxhën, 18 vjeç dhe Romeo Sericën, 22 vjeç. 18-vjeçarit Hoxha, banues në lagjen “5Maji” Elbasan iu sekuestrua 10 gramë lëndë narkotike cannabis sativa. Ndërkohë që Romeo Serica u arrestua tek “Parku Rinia”, pasi gjatë kontrollit iu kap 20 gramë canabis sattiva.
29 Korrik 2010