Vjedhjet, dy grupe adoleshentësh bien në pranga
ELBASAN - Dy grupe adoleshentësh të akuzuar për vjedhje janë arrestuar nga policia e Elbasanit. Aksioni është bërë mëngjesin e djeshëm. Burimet zyrtare thanë se, uniformat blu kanë prangosur të miturit me inicialet, L. R., dhe K. V., 15 vjeç, si dhe shtetasin J. D., 14 vjeç. Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur tuba alumini, bakri dhe tela elektrikë ku më pas i kanë shitur për skrap. Policia ka prangosur edhe 16-vjeçarin Xh. B., banues në “Katundi i Ri” Elbasan, pasi ka tentuar të vjedhë gjeneratorit elektrik të një fabrike oksigjeni. Ndërkaq që është shpallur në kërkim edhe 15-vjeçarin me inicalet, K. H., dhe Eduard Shehin 20 vjeç pasi akuzohen se kanë bashkëpunuar për vjedhjen.
Nisen për pushime në Shqipëri, vidhet familja shqiptare
BARI - Ishin nisur për të marrë tragetin drejt Shqipërisë ku do të kalonin pushimet, por një familje shqiptare është grabitur, duke iu marrë të gjitha sendet me vlerë si dhe paratë, 5 mijë euro. Ngjarja ka ndodhur në qytetin e Barit, në rrugën “Napoli”. Siç njofton media italiane, familja shqiptar ishte ndaluar për një pushim të shkurtër dhe e kishte lënë makinën pak metra larg vendqëndrimit. Por kur janë kthyer kanë parë se u ishte vjedhur një çantë ku ndodheshin të gjitha gjërat me vlerë dhe paratë. Sipas denoncimit të bërë tek karabinierët, atyre u ishin marrë, dokumentet personale, kartat e qëndrimit, një kamer, një aparat fotografik digjital si dhe 5 mijë euro kesh.
Gjuante me dinamit, vdes peshkatari 48-vjeçar
KRUJË - Një 48-vjeçar ka gjetur vdekjen aksidentalisht mbrëmje e dy ditëve më parë teksa po peshkonte me dinamit në lumin Ishëm të Krujës. Policia ka bërë të ditur se viktima është Bujar Hoxha. Ai ka gjetur vdekjen mesnatën e së martës kur kishte dalë për të peshkuar me dinamit në lum. Viktima ka ndërruar jetë që në momentin kur ka hedhur kallëpin e dinamitit në ujë. Trupi i pajetë i 48-vjeçarit është gjetur nga banorët të cilët pasi dëgjuan zhurmën e dinamitit kanë shpejtuar për ti ardhur në ndihmë, por nuk kanë mundur të bënin asgjë. Policia ka nisur hetimet për të përcaktuar me qartë rrethanat e vdekjes së 48-vjeçarit Hoxha.
29 Korrik 2010