Sherret në familje, burri ekzekuton gruan dhe veten
Artan CENA - Qëllon për vdekje gruan me pistoletë dhe pasi rri i rrethuar nga policia për shumë orë i jep fund jetës duke u qëlluar me armë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në komunën Fajza të rrethit Has. E gjithë historia ka filluar në orën 21:00 të dy ditëve më parë, kur Gëzim Muslika, 33 vjeç, ka qëlluar për vdekje bashkëshorten. Pranvera Muslika, 30 vjeçe, është ekzekutuar në sy të tre fëmijëve. Më pas burri vrasës ka mbajtur peng tre fëmijët, më i vogli prej të cilëve 1 muajsh dhe babanë e tij, deri në orët e para të mëngjesit, pasi gjendej i rrethuar nga policia. Vetëm në orën 05:00 të mëngjesit të djeshëm ai ka marrë vendimin e vetëflijimit. Pasi ka lënë të lirë fëmijët dhe babanë, i ka dhënë fund jetës duke u qëlluar në kokë me një plumb. Policia nuk ka mundur të bëjë gjë pasi ai kishte gjetur vdekjen e menjëhershme
Ngjarja
Krimi i rëndë në familje ka tronditur mëngjesin e djeshën rrethin e Hasit, burri ka vrarë me armë zjarri bashkëshorten e tij dhe më pas veten. Lajmin është bërë i ditur nga burime policore lokale. Sipas tyre Gëzim Muslika ka qëlluar bashkëshorten e tij Pranvera, pas një grindjeje në familje. Sipas burimeve, me të njëjtën armë burri ka qëlluar më pas veten, duke tronditur komunën e Fajzës, ku ata banonin. Policia bëri të ditur se ngjarja e rëndë ndodhi në orët e vona të natës në fshatin Brenog të Hasit në familjen Muslika. Gëzim Muslika 33 vjeç ka qëlluar për vdekje me pistoletë gruan e tij Pranvera Muslika 30 vjeçe. Krimi makabër u krye në sy të 3 fëmijëve të mitur të çiftit. Policia e sinjalizuar për ngjarjen e rëndë ka shkuar në vendgjarje për të arrestuar autorin, por hasi në vështirësi.
Negociatat
Bashkëshorti vrasës nuk pranoi ti dorëzohej policisë dhe u ngujua në banesë së bashku me 3 fëmijët e vegjël e babanë e tij. Pas përpjekjeve të policisë, Muslika dorëzoi vetëm këtë mëngjes fëmijët e vegjël dhe më pas i dha fund jetës me pistoletën me të cilën gjatë orëve të natës ekzekutoi gruan. Policia në vendgjarje gjeti pistoletën me 2 gëzhoja. Paraprakisht dyshohet se Gëzim Muslika e ka kryer krimin në kushte të rënda të depresionit psikologjik. Ndërkohë familjarë të çiftiti tashmë të pajetë morën në dorëzim 3 fëmijët e mitur, të cilet ndodhen në gjendje të rënde psikologjike pasi jo vetëm kanë përjetuar skenën e krimit, por kanë qëndruar për orë të tëra në skenën e krimit.
Precedenti
Pak ditë më parë një tjetër krim në familje i ndodhur në fshatin Samrish të Komunës Dajç tronditi vendit. Në datën 24 Korrik, kryefamiljari Pjetër Rrjolli për motive të dobëta qëlloi me armë zjarri për vdekje vajzën e tij 17 vjeçe Kristina Pjolli dhe bashkëshorten Nina Pjolli, 40 vjeç. Fatmirësisht pa u lënduar shpëtuan 2 fëmijët e tjerë të familjes Pjolli.
Pije malazaze false, arrestohet pronari i një punishteje ilegale
SHKODËR - Arrestohet pronari i një punishteje ilegale që prodhonte pije alkoolike, si verë etj, dhe mallra ushqimorë. Operacioni është bërë në Shkodër, mbrëmjen e dy ditëve më parë. Burime zyrtare nga Policia e Shkodrës thanë se, në orën 23:15, në bashkëpunim me prokurorinë, si rezulatat i një pune hetimore të nisur tre javë më parë, është finalizuar me sukses operacionin policor i koduar “Kalaja” duke bërë të mundur arrestimin në flagrancë të Xhavit Kasemit, 46 vjeç, lindur e banues në lagjen “Ajasëm” të qytetit Shkodër. Policia tha se, arrestimi i tij është bërë pasi gjatë kontrollit të ushtruar në lagjen “Ajasëm” dhe pikërisht në banesën dhe punishten e pijeve në pronësi të këtij personi, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi e konsideruashme malli të falsifikuar, që përdorej për prodhim të paligjshëm të artikujve industriale e ushqimore. Kështu janë sekuestruar, etiketa të pijeve alkolike dhe joalkolike gjithsej 239.700 copë, tapa amballazhi plastike të pijeve të ndryshme alkolike gjithsej 33.000 copë. Gjithashtu janë sekuestruar dhe tapa amballazhi metalik të pijeve të ndryshme alkolike gjithsej 30.000 cope, kundër etiketa pijesh alkolike verë me mbishkrim “Varnac-2004” prodhim i Malit të Zi 7000 copë, amballazhe kartoni të pije alkolike verë gjithsej 750 copë, 144 shishe të mbushura me lëng, të etiketuar “Vinsko SIRCE” e dyshuar si Acid Citrik”. Policia ka bërë veprimet proceduriale e hetimore si dhe është bërë sekuestrimi i punishtes së pijeve në pronësi të Xhavit Kasemit dhe ai është vënë nën akuzat e “falsifikimit të vulave, stampave ose i formularëve”, si dhe “prodhimi i kundraligjshëm i artikujve dhe mallrave industrial dhe ushqimore”.
Vrasja në Fier, gjykata lë në qeli nënë e bir
FIER - Gjykata e Fierit ka dhënë masën e sigurisë për nënë e bir, të akuzuar për vrasjen ish-bashkëshortit dhe babait, Ylli Zeqo. Luljeta Zeqo dhe djali i saj 16 vjeç me inicialet L. Z., kanë marrë masën e sigurisë, “arres me burg”. Nënë e bir akuzohen se kanë vrarë Ylli Zeqon. Policia ka bërë të ditur se, ngjarja ka ndodhur pas një grindjeje në shtëpi. Në këtë kohë ish-gruaja së bashku me djalin masakruan për vdekje 48-vjeçarin nga Fieri, ndërsa, në orët e vona të së dielës policia i arrestoi dy të dyshuarit si autorë të krimit. Viktima Ylli Zeqo, 48 vjeç ishte baba i dy fëmijëve, i divorcuar një vit më pare. Sipas policisë, 48-vjeçari, i cili jetonte i vetëm, është goditur me 9 thika mbrëmjen e së premtes, javën e kaluar. Burimet nga policia thanë se para krimit, çifti kishte debatuar mbi problemet e detyrimit të ish-bashkëshortëve për mbajtjen e fëmijëve si dhe probleme ende të pazgjidhura të pasurisë së pakët që kishin. Në këtë sherr ai është sulmuar. Gjatë goditjes me thika mbi 48- vjeçarin, ish-gruaja është ndihmuar dhe nga djali 16-vjeçar. Krimi u mësua të dielën paradite pas njoftimit që djali i viktimës bëri në polici.
Kapet në Kukës, kosovari i dënuar në Gjermani
KUKËS - Ka rënë në pranga një kosovar i kërkuar nga Interpoli gjerman. Shkëlzen Livorena lindur dhe banues në Prishtinë është arrestuar në orët e vona dy ditëve më parë në pikën e kalimit kufitar të Morinës në Kukës. Pas kontrollit të dokumeteve të tij rezultoi se Livorena ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Berlini. Burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Kukësit dhe asaj të Kufirit dhe Migracionit, thanë se 29-vjeçari Shkëlzen Livorena ka qenë duke dhëtuar drejt Shqipërisë por pas kontrollit në pikën e kalimit kufitar rezultoi seai ishte person në kërkim për disa vepra penale dhe ishte dënuar në mungesë nga gjykata gjermane.
29 Korrik 2010