E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi, Konferenca Gjyqësore do të mblidhet në nëntor



TIRANË - Kryetarja e Gjykatës së Lartë Shpresa Beçaj mblodhi dje në një tryezë të rrumbullakët konsultative, kryetarët e gjykatave të Republikës së Shqipërisë si dhe përfaqësues të shoqatave të gjyqtarëve. Në këtë takim ka qenë i ftuar edhe Zv. Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë Kreshik Spahiu. Ky takim vjen si rezultat i përpjekjeve të vazhdueshme të Kryetares së Gjykatës së Lartë për të zgjidhur situatën e krijuar brenda pushtetit gjyqësor, lidhur me funksionimin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare në kushtet e vakumit ligjor për rregullimin e saj. Duke vlerësuar rolin e pazëvendësueshëm të këtij organi për mirëfunksionimin e pushtetit gjyqësor si dhe iniciativat këmbëngulëse të Kryetares së Gjykatës së Lartë, në funksion të mbrojtjes së pavarësisë së pushtetit gjyqësor, dje përfaqësuesit e gjyqësorit, pjesëmarrës në këtë takim, i kanë thënë ”po” njëzëri mbledhjes së Konferencës Gjyqësore Kombëtare edhe në mungesë të ligjit organik. Në përfundim të këtij takimi u vendos ngritja e një grupi pune i cili do të hartojë projekt-rregulloren për funksionimin e Konferencës zgjedhore me qëllim zgjedhjen e anëtarëve të rinj të K.L.D.-së brenda dy javëve të para të shtatorit. Më pas kjo projekt-rregullore do ti nënshtrohet procesit të shqyrtimit nga ana e gjithë gjyqtarëve në një takim të përbashkët që do të organizohet në fund të muajit shtator. Konferenca Gjyqësore Kombëtare parashikohet të organizohet gjatë dy javëve të para të muajit nëntor.

29 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›