E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkollat profesionale po “vjedhin” nxënësit e arsimit bazë

Autori i Lajmit: red.
Shkollat profesionale dhe teknike të Hoteleri- Turizmit të shtrira në Tiranë, Durrës, Sarandë, Elbasan, Vlorë, Pogradec, Korçë, Kamëz, Berat, Kavajë, Shkodër dhe Lezhë i “rrëmbejnë” arsimit bazë, nga viti në vit një numër nxënësish në rritje. Shkollat Teknike të Turizmit, të krijuara në vitin 1994, dhe shkollat profesionale të Hoteleri-Turizmit, të cilat funksionuan në vitin 1996, kanë karakter të theksuar praktik, ku në nivelin e parë 3-vjeçar përgatisin kuzhinierë, kamerierë, recepsionistë, agjentë turistikë dhe ekonomistë të agjencive turistike. Ndërsa në në nivelin e dytë 2-vjeçar përgatisin specialistë me nivel të kualifikuar me elementë të pasur të menaxhimit dhe ekonomisë. Specialisti i Arsimit Profesional në MASH, Ruzhdi Reçi, tregon se rrjeti i shkollave të Hoteleri-Turizmit po tërheq çdo vit dhe më shumë nxënës, si pasojë e reformave që po zbatohen në rritjen e cilësisë në arsimin profesional. Sipas tij, për t iu përgjigjur kërkesave në rritje të tregut të punës në fushën e hoteleri-turizmit, sektori i arsimit profesional në MASH po punon për fuqizimin e rrjetit të këtyre shkollave. Përmirësimi i cilësisë në shkollat e hoteleri-turizëm zhvillohet në kuadër të fuqizimit të këtij sektori, që çdo ditë po rrit kërkesën për punonjës dhe punëtorë të kualifikuar, pasi edhe fluksi i turistëve në vendin tonë po rritet nga viti në vit. “Në harkun kohor të 12 viteve numri i nxënësve në këtë degë është 27-fishuar. Nga vëzhgimet e bëra vihet re që përgjatë viteve të fundit, nxënësit preferojnë që të përfundojnë të dy nivelet e studimit, ndonëse tregu i punës i pranon edhe thjesht me nivelin 3-vjeçar”, - tha Reçi. Sipas tij, kjo dukuri vihet re edhe në shkolla private profesionale në Tiranë, Durrës dhe Pogradec në të cilat studiojnë rreth 165 nxënës. Në shkollat Teknike të Turizmit dhe në shkollat Profesionale të Hoteleri- Turizmit, gjatë vitit shkollor 2007- 2008 studiuan 2344 nxënës që përbëjnë rreth 20% të nxënësve të shkollave profesisonale teknike. Një pjesë e mirë e këtyre shkollave kanë konvikte me kapacitet 100-150 vende që u bënë të mundur shkollave të hoteleri-turizmit ta shtrijnë ndikimin e tyre në rang prefekture. Në këto konvikte janë akomoduar rreth 12% e nxënësve. Veç fondeve të përvitshme që jep shteti, shkollat profesionale dhe teknike të Hoteleri-Turizmit në vend, mbështeten edhe nga donatori i vetëm bilateral, Austria. Ky shtet për 12 vjet, nëpërmjet agjencisë së bashkëpunimit teknik ADA dhe të “KulturKontakt e K- education” vazhdon të punojë në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Kurrikulave në MASH.

Ky lajm është publikuar: 18/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›