E Diel, 1 Nëntor 2026

Pensionet, kontributet e reja që i nisin efektet në muajin maj

Dokumentet dhe pagesat e reja për pesë degët e sigurimit. Ndryshojnë procedurat për regjistrimin e të punësuarve

Jonida Tashi
Kontributet e reja për sigurimin e pensionit do të hyjnë në fuqi më datë 1 maj. Kështu, duke filluar nga kjo datë, masa e kontributit të sigurimit shoqëror do të ulet me pesë njësi, duke kaluar nga 29.5 në 24.5 për qind. Për pasojë, të vetëpunësuarit do të paguajnë më pak lekë për të plotësuar vitet e nevojshme të punës për pension. Ndryshimet e bëra në ligjin “Për sigurimet shoqërore” parashikojnë ndryshime të rëndësishme në masën e kontributit, e cila paguhet nga punëdhënësi për financimin e përfitimeve që ofron sistemi i sigurimeve shoqërore.

Skema e re

Pas miratimit të vendimit për uljen e masës së kontributeve, ekspertët e Financave dhe të Sigurimeve Shoqërore kanë paraqitur skemën e re të kontributeve, duke filluar nga data 1 maj e këtij viti. Projektligji i ri, i miratuar tashmë, parashikon që duke filluar nga data 1 maj, masa e kontributit të sigurimit shoqëror, në përgjithësi, të ulet me pesë njësi, duke kaluar nga 29.5 për qind në 24.5 për qind dhe duke reduktuar kontributin në të gjitha degët. Kështu, bazuar në normat ekzistuese për degën e sëmundjeve, shpenzimet zënë rreth 40 për qind të të ardhurave, në barrë-lindje 60 për qind të të ardhurave, në degën e papunësisë dhe të aksidenteve rreth 50 për qind të të ardhurave, ndërsa në degën e pensioneve ato nuk i mbulojnë shpenzimet dhe për këtë ndërhyhet nga buxheti i përgjithshëm me subvencion, i cili do të vazhdojë të jetë prezent edhe për disa vite të ardhshme. Masa aktuale e kontributit të sigurimit shoqëror që paguhet nga punëdhënësit dhe punëmarrësit për të pesë degët e sigurimit është 29.5 për qind e pagës bruto. Për efekt të pagesës në fondin e sigurimeve shoqërore, masa e përgjithshme e kontributeve, pra 29.5, ndahet ndërmjet punëmarrësve dhe punëdhënësve. Punëmarrësit paguajnë kontribut në masën 9.5 për qind të pagës bruto, ndërsa punëdhënësit 29 për qind të kësaj page. Për personat e vetëpunësuar dhe për anëtarët e papaguar të familjes, të cilët jetojnë e punojnë me personin e vetëpunësuar, për arsye të mosmbulimit të degës së sëmundjeve, aksidenteve dhe të papunësisë, masa e kontributit është 26.2 për qind e pagës bruto, minimale, dhe paguhet totalisht nga personi i vetëpunësuar. Përveç sigurimit shoqëror, punëdhënësit, personat e punësuar dhe të vetëpunësuarit paguajnë edhe kontribute të sigurimeve shëndetësore dhe konkretisht; të punësuarit 3.4 për qind të pagës bruto, ndërsa të vetëpunësuarit 7 përqindëshin e pagës minimale të caktuar nga qeveria. Edhe në këtë rast, për efekt pagese, kontributi i të punësuarit ndahet ndërmjet tij dhe punëdhënësit në raportet 50 për qind me 50 për qind, ndërsa i vetëpunësuari e përballon totalisht vetë këtë kontribut.

Regjistrimi

Përveç uljes së normës së kontributeve, qeveria ka ndryshuar edhe procedurën për regjistrimin e të punësuarve. Sipas ndryshimeve më të fundit, të bëra në ligjin për sigurimet shoqërore, punëdhënësi dhe i vetëpunësuari janë të detyruar: të regjistrojnë në regjistrin vjetor të gjithë të punësuarit; të njoftojnë në organet tatimore për ndryshimet dhe lëvizjen e punonjësve sipas procedurave të përcaktuara me ligj; të bëjnë sigurimin nga dita e parë, kur i punësuari fillon punë; të dorëzojnë në organet tatimore dokumentacionin ku evidentohen paga dhe kontributi për çdo të punësuar sipas formatit dhe afateve të përcaktuara me ligj. Rregullat e lëvizjes së informacionit dhe të dokumentacionit ndërmjet punëdhënësit, strukturave tatimore dhe strukturave të sigurimeve shoqërore, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Sipas Nenit të mëparshëm numër 79, për detyrimet e punëdhënësit dhe të vetëpunësuarit, këta të fundit duhet të kryenin një procedurë të gjatë ligjore për regjistrimin e të punësuarve. Personat juridikë, publikë, privatë dhe personat fizikë që fillojnë veprimtari ekonomike për herë të parë, janë të detyruar të regjistrohen në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (QKR) dhe në strukturat tatimore sipas rregullave të përcaktuara me ligj. Ndërsa sipas ligjit të mëparshëm, personat që nisin veprimtari ekonomike rishtas duhet të regjistroheshin në agjencitë e sigurimeve shoqërore. Regjistrimi i subjekteve, në bazë të të dhënave të sigurimeve shoqërore dhe mbyllja e veprimtarisë bëhen sipas rregullave të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave. Regjistrimi është akt administrativ, që nuk tregon detyrim për mbulimin me sigurime shoqërore.

Dokumentet për të kryer pagesën e kontributeve

Procedura

Kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore llogariten e paguhen jo vetëm për të përfituar pension pleqërie, por edhe për të qenë person i siguruar. Detyrimin për të paguar kontribute nuk e kanë vetëm subjektet shtetërore, por edhe ato private, sikurse edhe personat e vetëpunësuar. Personat e vetëpunësuar ose subjektet private që duan të bëjnë deklarimin dhe pagesën e kontributeve, duhet të dorëzojnë disa dokumente për derdhjen e lekëve. Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH) ka përcaktuar dokumentet që duhet të paraqiten për deklarimin dhe pagesën e kontributeve. Gjithashtu, ISSH-ja bën të ditura edhe afatet e vëna në dispozicion për kryerjen e kësaj pagese. Punëdhënësit dhe personat e vetëpunësuar duhet t’i paraqesin dokumentet e mëposhtme jo më vonë se data 25 e muajit pasardhës. Ndërsa personat e vetëpunësuar (për vete dhe për punonjësit e paguar të familjes), duhet të dorëzojnë formularët E-SIG 011/a dhe E-SIG 012/a jo më vonë se data 25 e muajit të fundit të çdo tremujori të vitit kalendarik.

Dokumentet

Dokumentet e nevojshme që duhet të paraqiten pranë zyrave të ISSH-së për të kryer pagesën e kontributeve, sipas llojit të pensionit që përfitohet, janë si më poshtë.
Kur kontributet paguhen për të përfituar pension pleqërie, të interesuarit duhet të dorëzojnë këto dokumente për të derdhur shumën e caktuar të lekëve: fotokopje e librezës së punës, në mungesë të saj një deklaratë personale për vitet e punës; certifikatë lindjeje me fotografi; certifikatë martese për kërkueset femra; certifikatë e gjendjes familjare. Kur kërkohet pension si nënë me shumë fëmijë dhe në certifikatën familjare nuk figurojnë të gjithë fëmijët, fakti i lindjes, martesës apo vdekjes së tyre provohet me një certifikatë të veçantë lindjeje, martese ose vdekjeje; librezë pune ose vërtetim arkivi; vërtetim për vjetërsinë në punë dhe llojin e saj; vërtetim për periudhën e sigurimit lëshuar nga zyra e arkivit pranë Drejtorisë Rajonale të ISSH-së; vërtetim i vjetërsisë në punë në kooperativat bujqësore për ish-anëtarët e saj; vendim gjykate për njohje vjetërsie në punë; vërtetim nga dega ushtarake për periudhën e kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak; vërtetim për personat që përfitojnë nga Ligji Nr. 7514, datë 30.09.1991, “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë“. Kurse për të ardhurat personat duhet të dorëzojnë: vërtetim page që nga viti 1994 dhe në vazhdim; vërtetim tip nga kontributet për të vetëpunësuarit; vërtetim toke nga Kadastra; vërtetim shkolle për fëmijët nga 16-18 vjeç, si dhe vërtetim shkolle për studentët deri në moshën 25 vjeç; vërtetim komune për ndihmë ekonomike; vërtetim nga Tatim-Taksat; deklaratë.

Skema e re e kontributeve më 1 maj

Reduktimi i normës së kontributeve me 5 për qind ndahet sipas tabelës:
Degët e sigurimit Totali i masës së kontributit
Ishte Bëhet Reduktimi

Për paaftësi të 0.8 0.3 0.5
përkohshme
Për barrë-lindje 2.3 1.4 0.9
Për pensione 23.9 21.6 2.3
Për aksidente 0.5 0.3 0.2
Për papunësinë 2.0 0.9 1.1
TOTALI 29.5 24.5 5
Sigurimi shëndetësor 3.4 3.4 0
Shuma 32.9 27.9 5

4 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›