E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si mund të bëhesh ushtar profesionist dhe përfitimet

04/03/2009  Elbasan, do të pranohen këtë vit 134 ushtarakë profesionistë. Flet nënkolonel Fatri Kasapi

ELBASAN- Viti 2009 shënon edhe kalimin e sistemit ushtarak shqiptar nga ai i detyrueshëm vullnetar në rekrutim profesional me pagesë. Këtë vit ushtarët me pagesë do të jenë më të shumtë në numër se një vit më parë. Kështu pritet të rekrutohen në bazë të kritereve 134 ushtarë profesionistë në nivel qarku për Elbasanin. Shefi i Mobilizim-Rekrutimit në Elbasan, nënkolonel Fatri Kasapi tha se ndryshimi i mentalitetit dhe i konceptit për një ushtar me pagesë ka qenë qëllim që komuniteti të kuptojë se ushtaraku me pagesë është një profesion si të gjithë të tjerët madje me përfitime të tjera më të mëdha sesa sektorët privatë. Për vitin 2009 kur Shqipëria bëhet anëtare me të drejta të plota në NATO rekrutimi i detyrueshëm i vullnetarëve do të shkojë drejt zeros dhe vendin e tij do ta zërë ushtaraku profesionist. Vetëm për dy muajt e parë të vitit në këtë degë janë regjistruar 18 aplikantë, të cilët janë testuar tashmë dhe presin të fillojnë të shërbejnë në forcat e armatosura.

Të rekrutuarit

Një prej tyre është Ardian Rika, 26-vjeçari me banim në lagjen “Qemal Stafa”. Ai shprehet se ka përfunduar shkollën e mesme dhe se deri tani është marrë me punë të ndryshme, por asnjëherë nuk ka gjetur një sistemim të mirë për veten e tij. “Vendosa të aplikoj sapo e mora vesh një gjë të tillë. Kam kryer shkollën e mesme profesionale dhe kam kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Iu nënshtrova të dy testeve dhe dola fitues. Pres që të marrë emërimin në pozicionin që do të më caktojnë. Vendosa të bëhem ushtar profesionist jo vetëm për një punë të siguruar, por edhe për të mirat e tjera si kurset që na ofrohen, pjesëmarrja në misionet paqeruajtëse etj. Mendoj se e ardhmja ime është e garantuar nëpërmjet karrierës ushtarake duke parë se situata për punësim sot është mjaft e vështirë”. Interesi për këtë mundësi të re punësimi ka qenë i konsiderueshëm nisur edhe nga imazhi që vazhdon të ruajë komuniteti për ushtrinë.

PËRFITUESIT

Fatri Kasapi e ka cilësuar rekrutimin mjaft cilësor dhe po kështu ka theksuar faktin se ka patur interes edhe nga femrat. “Në grupin e të rekrutuarve gjatë vitit të kaluar kishte një përqindje të konsiderueshme me arsim të lartë. Po kështu fituan statusin 5 vajza, të cilat tashmë janë punësuar në struktura të ndryshme të Forcave të Armatosura. Vitin e kaluar aplikuan 58 shtetas nga të cilët përfituan statusin e ushtarit profesionist 45 vetë. Një ushtar profesionist do të ketë një pagë minimale 32.000 lekë të reja në kontratën e parë. Ky ndryshim u siguron të rinjve dhe të rejave të arsimohen dhe kualifikohen brenda dhe jashtë vendit. Jo vetëm kaq, por pas aplikimit të kryer u krijon mundësi të mëdha punësimi dhe pas ndërprerjes së karrierës ushtarake në sektorin publik dhe privat.

AVANTAZHET

Rekrutimi i të rinjve ju krijon atyre avantazhin e mjaft profesioneve suplementare si arsimim, trajtim ekonomik të garantuar, trajtim shëndetësor dhe familjar falas, arsimim dhe punësim të bashkëshortëve dhe pjesëtarëve të tjerë të familjes si dhe fëmijëve, të cilët mund të përfitojnë në sektorë të tjerë duke u dhënë kështu mjaft avantazhe.

KRITERET

Kandidatët për ushtarë profesionistë duhet të jenë të rinj të moshës 19-30 vjeç, të cilët në radhë të parë duhet të jenë shtetas shqiptarë, të padënuar, të aftë nga ana shëndetësore, me arsim të mesëm ose të lartë, të kenë kryer arsimin e detyrueshëm ushtarak apo stërvitjen bazë të jenë mbi 165 cm meshkujt dhe mbi 161 cm femrat.

DOKUMENTET

Çdo kandidat duhet të paraqesë një sërë dokumentesh pranë qendrës së mobilizimit mes të cilave përmenden kërkesa përse dëshiron të jetë ushtar profesionist, ku dëshiron të shërbejë, certifikatat familjare dhe personale, dëftesa dhe diplomat, dëshmi penaliteti, vërtetime nga Prokuroria, nga Spitali Ushtarak në Tiranë, librezën e ushtrisë etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›