Studimet për doktoraturë, aplikimet deri më 30 janar
Autori i Lajmit: Entela DurajFakulteti i Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës bën të ditur se prej datës 18 janar do të nisë aplikimi për studimet e Doktoraturës. Dosja e aplikimeve duhet të dorëzohet pranë departamenteve përkatëse nga data 18.01.2010 deri në datën 30.01.2010. Konkurrentët do të përzgjidhen në bazë të dosjes së dokumenteve të dorëzuara. Për rastet kur niveli i kërkesave do të jetë më i lartë se kuotat e miratuara, do të ketë dhe kritere seleksionimi, të cilat zbatohen sipas llojit të programit studimor.
Cikli i tretë i studimeve
Programet e studimeve të doktoratës janë programe të studimeve të ciklit të tretë, me karakter plotësisht akademik, që kanë në bazë kërkim shkencor dhe veprimtari krijuese të pavarura. Sipas rregullores së miratuar, këto programe zgjasin të paktën 3 vjet dhe përfshijnë teksa përfshijnë 60 kredite për studime të organizuara. Ndërkohë kandidatët që kanë diplomë të nivelit të dytë dhe diplomë “Master i nivelit të dytë” nuk janë të detyruar të grumbullojnë 60 kredite të studimeve të organizuara teorike. Këta kandidatë paraqesin dosjen e doktoratës sapo të kenë plotësuar kushtet e tjera, që përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave për studimet e doktoratës në secilin fakultetet. Në përfundim të ciklit të tretë lëshohet diploma për gradën shkencore “Doktor”.
Studimet specializuese
Kandidatë të caktuar mund të ndjekin edhe programet e studimeve specializuese afatgjata, të cilat janë programe profesionalisht të orientuara, që ofrojnë njohuri për profesione specifike në fushat e mjekësisë, stomatologjisë, veterinarisë, drejtësisë etj. Këto programe të studimeve përfshijnë studime teorike të kombinuara me aplikime praktike dhe trajnime profesionale. Mund të përfshihen në to dhe veprimtari kërkimore, nëse nevojitet. Në përfundim të programeve të studimeve specializuese afatgjata lëshohet diplomë me titull “Specialist ...” për drejtimet e mjekësisë ose “Magjistër...”, për drejtimet e shkencave politike, juridike dhe sociale, ndjekur nga fusha e specializimit të kryer. Për kryerjen e programeve të studimeve specializuese afatgjata studenti duhet të grumbullojë 120-240 kredite dhe zgjatja normale e këtyre programeve të studimeve është 2-4 vjet. Gjithashtu, programet e studimeve të doktoratës mund të ofrohen të integruara me studimet specializuese afatgjata, sipas planit dhe programit mësimor të miratuar nga fakulteti dhe universiteti përkatës pasi është marrë miratimi i Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës.
Ky lajm është publikuar: 17/01/2010