E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionet, masa e kontributit për fshatin

Autori i Lajmit: red.
Sigurimet Shqoërore

Nëse deri në vitin 2001 fermerët në zonat fushore paguanin 1 620 lekë në vit dhe fermerët në zonat malore 972 lekë në vit, në (2008) kontributi është rritur përkatësisht 12000 lekë për kategorinë e parë dhe 7 800 lekë për kategorinë e dytë (fermerët e zonave malore). Me këto masa kontributesh, fermeri paguan 20 për qind të shumës që paguan i vetëpunësuari në qytet. Sipas ISSH-së, favorizimi specifik që u bëhet të vetëpunësuarve në bujqësi, është fakti se ata paguajnë për periudha të kaluara, në ato masa kontributesh që kanë qenë në vitet korresponduese, të cilat, sipas specialistëve, kanë qenë me të vërtetë simbolike. Kështu, nisur nga këto të dhëna ndër vite, niveli i pagesave ka qenë i ndryshëm duke u rritur vit pas viti.
Përfitimi
Me pagesën e kontributeve të vetëpunësuarit në bujqësi sigurohen për barrëlindje, për pension dhe sigurim shëndetësor. Të vetëpunësuarit në bujqësi mund t i paguajnë kontributet e detyrueshme për sigurimet shëndetësore, pavarësisht nga pagesa e kontributeve për sigurimet shoqërore. Kontributet e të vetëpunësuarve në bujqësi janë pjesë përbërëse e kontributit të detyrueshëm. Pagesa e kontributit bëhet në nivelin bazë të kontributit që paguajnë të vetëpunësuarit, masat dhe kriteret caktohen nga Këshilli i Ministrave.
Dokumentet
Si dokumente për këtë kategori (të vetëpunësuarit në bujqësi) kërkohet: certifikata familjare; vërtetim pronësie për tokën, të lëshuar nga zyra e regjistrimit të pasurive të palujtshme, komunës ose bashkisë; akt noterial, që vërteton tjetersimin e prones (psh. qiramarrje etj). Në çdo rast aktet duhet të jenë të shoqëruara me vërtetimin e lëshuar nga komuna, ku personi ushtron veprimtari, bujqësore e blegtorale.
Pagesa
Afati i pagesës së kontributeve është jo më vonë se dita e fundit e muajit të tretë, brenda çdo tremujori kalendarik. Për kontributet e papaguara brenda afateve të caktuara lIogaritet kamatvonesë, sipas ligjit në fuqi. Pagesa e kontributeve bëhet pranë zyrave postare ose në llogaritë bankare të ISSH-së. Pagesa e kontributeve bëhet katër herë në vit jo më vonë se dita e fundit e muajt të fundit të tremujorit kalendarik.
Penalitetet që zbatohen
Në rast se pagesat nuk bëhen sipas kohës së caktuar zbatohen kamatëvonesa dhe gjoba sipas ligjit Nr.7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë” (i ndryshuar), neni 16. Përveç sigurimit të vitit korrent, të vetëpunësuarit në bujqësi mund të sigurohen periudha të kaluara sipas tabelës me masat e kontributeve sipas vieteve.

1. Letër, Z. F. Mexhiti banor i komunës Novoselë të rrethit Vlorë
Jam F. Mexhiti banor i komunës Novoselë të rrethit Vlorë. Kam paguar rregullisht kontributet e sigurimeve shoqërore mbasi jam me aktivitet bujqësor. Gjithsej më bëhen vite kooperative 22 dhe si bujk privat 13 vite.Pra unë i mbush 35 vjet pune. Me moshën që kam une dal në pension në muajin dhjetor të këtij viti. Sa do të më takojë pensioni me këto vjetërsi që kam.
Përgjigje,
Nëse një person del ne pension pleqërie fshati më 20/03/09 dhe ka paguar kontributet si i vetëpunësuar në bujqësi nga viti 1994 deri në 2008, pra 15 vjet: ai merr një shtesë mbi pensionin bazë prej 1867 lekë.
Pra 5200 lekë + 1867 = 7067 lekë
Nëse del në pension në gusht të vitit 2008 dhe ka paguar 14 vjet konstribute, pra nga viti 1994 deri në 2007 ai merr një shtesë prej 1720 lekësh.
Pra 5200 + 1720 = 6920 lekë.

Tabela për nivelet e kontributeve sipas viteve

Vitet Zonat fushore Zonat malore
1993-2001 1 620 972
2002 3 890 2335
2003 5 215 3592
2004 5 215 3592
2005 7 820 5390
2006 10 000 6500
2007 10 000 6500
2008 12 000 7800

Sigurimi
Shëndetësor
(2008) 3 360 2016

2. Letër, Z. N. Gjyla dhe jam banor në Bathore të Tiranës
Quhem N. Gjyla dhe jam banor në Bathore të Tiranës që nga data 1.3.2000 i ardhur nga komuna Shtiqen e Kukësit. Datëlindja ime është 16.1.1947. Kam blerë një tokë në komunën e Nikles dhe kam aktivitet bujqësor. Tokën e kam rregjistruar në hipotekë që nga viti 2007. Në kooperativë bujqësore kam një vjetërsi prej 32 vite pune. A mund të sigurohem si bujk? Kur e plotësoj moshën për të dalë në pension dhe sa do të më dalë pensioni ?
Përgjigje,
Bazuar në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr.114 datë, 30.07.2008, mbas kësaj date ju mund të siguroheni si i vetëpunësuar në bujqësi, e deri në plotësimin e moshës për pension. Aktualisht masa e kontributit vjetor për të vetëpunësuarit në bujqësi është 12 000 lekë. Ju duhet të paguani nga 1.8.2008 e deri me 31.12.2008 gjithsej 5000 lekë për këtë periudhë. Po kështu duke paguar për vitet 2009, 2010 dhe 7 muaj në vitin 2011, do të plotësoni vjetërsinë e nevojshme për të përfituar pension të plotë. Për vitet që keni paguar si i vetëpunësuar në bujqësi, do të keni një shtesë prej 1 për qind për çdo vit sigurimi në këtë skemë. Ju do të plotësoni kushtet për pension në moshën 65 vjeç, pra 30.07.2012.

Si veprohet për të bërë sigurimin

Fermeri lidhet me inspektorin e sigurimeve shoqërore në komunë ose bashki. Ky i fundit e informon për shumën e kontributeve që duhet të paguajë dhe plotëson urdhërveprimin për masën e pagesës, ndarë në sigurim shoqëror dhe shëndetësor. Me marrjen e këtij dokumenti, fermeri bën pagesën në zyrën postare ose në llogaritë bankare të ISSH-së. Me kryerjen e pagesës i paraqet inspektorit të sigurimeve shoqërore mandat arkëtimin. Në bazë të këtij dokumenti, inspektori bën regjistrimin në regjistrin përkatës dhe në këto kushte fermeri konsiderohet i siguruar. Sipas të dhënave nga ISSH-ja, në praktikën e përditshme ndeshen raste ku fermerët kërkojnë të sigurohen mbasi kanë mbushur moshën për pension. Sigurimi shoqëror mbas lindjes së të drejtës për përfitim është i pavlefshëm. Në këtë kuadër, duhet të sensibilizohen fermerët që të paguajnë kontributet për sigurimet shoqërore brenda afateve ligjore, pra brenda tremujorit, për të mos u ngarkuar me kamatëvonesa që do të ishin një ngarkesë e tepërt për buxhetin modest të fermerëve.

Çfarë përfitojnë fermerët e siguruar
Vetëm për një shpërblim lindje, një fermere përfiton pothuajse atë masë shpërblimi, sa një fermer paguan për kontributet e sigurimeve shoqërore për 14 vite. Të gjitha vitet e sigurimit në skemën e të vetëpunësuarve në bujqësi, trajtohen si vjetërsi pune në qytet dhe përfitimet jepen si për të vetëpunësuarit në qytet. Në rast se një fermer ka plotësuar vjetërsinë e nevojshme për të përfituar një pension të plotë, pra 35 vite, dhe ½ e kësaj vjetërsie e ka plotësuar si i vetëpunësuar në bujqësi, ai do të përfitojë pension të plotë si të vetëpunësuarit në qytet. Ndërsa kur nuk i plotëson këto vite, fermerit i bëhet një shtesë në pensionin e akorduar, për çdo vit që ka kontribuar si i vetëpunësuar në bujqësi.

-Pension pleqërie
-Pension invaliditeti
-Pension familjar
-Leje barrëlindje për gratë
-Sigurim shëndetësor falas
Ky lajm është publikuar: 23/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›