Pensionet, miratohen koeficientet e rinj
Fabiola Çela
Qeveria ka miratuar dje koeficientet e rinj të indeksimit të pagave nga viti 1994 deri në 2007, në bazë të të cilave kryhet edhe llogaritja e pensioneve. Pas këtij vendimi, të gjithë personat që kanë dalë në pension nga 1 janari i vitit të kaluar, pagat mbi të cilat janë derdhur kontributet nga 1 janari 1994 dhe deri në momentin e lënies së punës, si dhe pagat referuese që i përkasin periudhës së sigurimit para kësaj date, do të rivlerësohen radhazi duke u shumëzuar edhe me këtë koeficient. Sipas këtij përcaktimi, për vitin 1994 koeficienti i indeksimit është 1.32 dhe vjen me zbritje deri në masën 1 për vitin 2007. Koeficientet e indeksimit shërbejnë për të mbrojtur pagën nga inflacioni. Çdo person që do të plotësojë dokumentet për të marrë pension, duhet të dërgojë bashkë me dosjen e tij edhe pagat e 10 viteve të fundit. Pensioni llogaritet me mesataren e tri pagave më të larta në tre vite, nga 10 vitet e fundit të punës. Koeficientet do të përdoren për të shumëzuar pagën. Pra, paga e çdo viti do të shumëzohet me koeficientin që i përket atij viti.
Llogaritja
Në ligjin “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, parashikohet se shuma fillestare e pensionit mujor të pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë. Shuma bazë e pensionit që u jepet të gjithë personave të siguruar caktohet çdo vit me vendim të Këshillit të Ministrave dhe aktualisht është 9515 lekë në muaj. Shtesa bazuar në formulën e llogaritjes së pensionit është 1 për qind për çdo vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësueshme që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve të paguara. Llogaritja e koeficientit të indeksimit për vitin 2007 është bërë mbi bazën e të ardhurave nga kontributet e evidentuara sipas bilanceve financiare të viteve 2006 e 2007, dhe mbi bazën e të dhënave statistikore të numrit të personave që kanë kontribuar sipas viteve. Në bazë të llogaritjeve rezulton se kontributi mesatar vjetor për një kontribuues në vitin 2007 është 86.471 lekë ndaj 83.667 lekë që ishte në vitin 2006, pra me një rritje prej 3.35 për qind. Për efekte llogaritje fillestare të pensionit, duke pasur parasysh faktin se për vitin e kaluar nga 2.3 për qind që dilte sipas llogaritjeve për efekt të rrumbullakimit, koeficienti është vendosur 2, për këtë vit indeksi propozohet të jetë i plotë 4 për qind. Duke analizuar koeficientet e indeksimit sipas viteve, vihet re se rritja e ngarkesës mesatare e kontributeve të vitit 2007 është e vogël krahasuar me vitin 2006 dhe përsëri më e ulët se vitet e mëparshme. Një ndër arsyet kryesore është efekti i reduktimit të normës së kontributit nga muaji gusht 2007 me 9 pikë, ose me rreth 25 për qind, ndërsa për vitin 2006 kishte efekte zbritëse të ngarkesës për katër muaj, në vitin 2007 ajo mbartte efekte për të gjithë vitin. Me gjithë këtë reduktim të ndjeshëm të barrës së kontributeve individuale për shkak të zgjerimit të bazës së kontributeve, konstatohet se të ardhurat nga kontributet në vitin 2007 janë 3.64 për qind më të larta se në vitin 2006. Numri mesatar vjetor i kontribuuesve përfshirë edhe personat që janë siguruar si të vetëpunësuar edhe për vitet e kaluara, në vitin 2007 arriti në 835 mijë ndaj 718 mijë që ishte në vitin 2006.
Koeficientet e indeksimit
Për vitin 2007 1.00
Për vitin 2006 1.04
Për vitin 2005 1.02
Për vitin 2004 1.12
Për vitin 2003 1.10
Për vitin 2002 1.09
Për vitin 2001 1.14
Për vitin 2000 1.07
Për vitin 1999 1.09
Për vitin 1998 1.05
Për vitin 1997 1.22
Për vitin 1996 1.09
Për vitin 1995 1.37
Për vitin 1994 1.32