Qeveria “shuan” borxhet e kompanisë “Armo”
Edhe kompanitë shtetërore kanë borxhe ndërmjet tyre. Qeveria ka miratuar dje një projektvendim të ri, që ka të bëjë me borxhet e kompanisë së naftës “Armo”. Një vendim i tillë u mor pas miratimit të kontratës së privatizimit të 85 për qind të aksioneve të “Armo”-s. Konkretisht në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, qeveria vendosi shuarjen me kompensim të detyrimeve debitore dhe kreditore që institucionet, shoqëritë tregtare shtetërore dhe “Armo” kanë ndaj njëri-tjetrit, deri në vlerën që këto detyrime pasqyrohen në bilancin e vitit 2007 të “Armo”-s. Në bilancin financiar të shoqërisë “Armo”, në 31 dhjetor të 2007-ës evidentohen vlera debitore të konsiderueshme të vetë institucioneve shtetërore. Vlera e të cilave arrin në 880.986.486 lekë. Sipas një analize të hollësishme të bilancit të kësaj kompanie, ka rezultuar se shoqëria trashëgon debitorë të ish-”Albpetrol”, vlera e të cilave arrin në 128.213.098 lekë. Këto detyrime janë krijuar gjatë viteve 1992 deri në 1998. Ndërsa për vlerën 117.045.875 lekë është krijuar provizion, pasi për pjesën më të madhe të tyre mungon dokumentacioni, i cili është asgjësuar në vitin 1997. Ndërkohë gjatë viteve 1999-2006 janë krijuar debitorë nga shoqëria “Armo”, vlera e të cilave arrin në 752.773.388 lekë, nga të cilët hua të dhëna janë 34.006.093 lekë dhe klientë të tjerë 718.273.388 lekë. Në grupin e parë përfshihen ndërmarrje shtetërore për hua. Këto hua mësohet të kenë qenë më të drejtë rikthimi për përfituesit, por për mungesë likuiditetesh kjo vlerë nuk është likuiduar. Aktualisht shoqëritë “Albkrom” dhe minierat janë në likuidim me një paaftësi të theksuar pagese. Ndërkohë që kreditori kryesor i “Armo”-s është shoqëria “Albpetrol” me një vlerë prej 1.835.290.672 lekë. Detyrimi i shoqërisë “Armo” ndaj “Albpetrol”-it pas kompensimit për shuarjen e detyrimeve debitore është 1.071.350.061 lekë.