E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionet, posta shpërndan falas shpërblimin e festave

 

Fabiola Çela

Edhe këtë vit pensionistët do të marrin 5 mijë lekë shpërblim me rastin e festave të fundvitit. Procesi i ndarjes së shpërblimit pritet të nisë së shpejti. Pasi ISSH-ja të përcaktojë grafikun e shpërndarjes, “kartolinën” e Vitit të Ri, pensionistët do të mund ta tërheqin pranë zyrave të postës.Nga ky vendim i qeverisë pritet të përfitojnë rreth 530 mijë pensionistët në të gjithë vendin.
Shpërndarja
Gjithashtu përveç 530 mijë pensionistëve, të cilët do të marrin “kartolinën” e fundivitit, Posta Shqiptare është e angazhuar që të shpërndajë për rreth 100 mijë persona të moshës së tretë pensionet në shtëpitë e tyre dhe bashkë me to do t’u jepen falas dhe shpërblimi i fundvitit i akorduar nga qeveria. Mësohet se zyrat e postës do të funksionojnë pa ndërprerje çdo ditë të javës (përfshirë ditët e pushimit dhe festave) nga ora 07:30-20:00. Pas miratimit të vendimit të qeverisë për dhënien e shpërblimit, do të nisë puna për hartimin e listave të emrave dhe përgatitjes së urdhër-pagesave që do të shpërndahen në zyrat e postës, ku bëhet edhe shpërndarja e pensioneve. Pra edhe këtë vit shpërndarja e shpërblimeve do të bëhet në bazë të një grafiku të përcaktuar nga ISSH-ja për pensionistët, grafik ky i cili do të jetë i afishuar në çdo zyrë dhe sportel postar. Por eksperienca e viteve të mëparshme ka treguar se mungesa e energjisë elektrike ka qenë në disa raste një pikënisje për krijimin e radhëve dhe konfuzionit në sportele. Për këtë arsye, Posta Shqiptare ka pajisur me gjeneratorë shumicën e zyrave postare, në mënyrë që raste të tilla të mos përsëriten gjatë këtij viti. Ndërkohë për sa i përket marrjes së informacionit, posta do të organizojë punën në dy turne. Ashtu si dy vitet e kaluara, edhe këtë vit ky shpërblim mendohet të shpërndahet në 10 ditëshin e fundit të këtij muaji, në mënyrë që të gjithë pensionistët të mund të marrin shumën prej 5 mijë lekësh që pritet të jepet në formë shpërblimi. Ndërkohë mësohet se pas rritjes së fundit që iu bënë pensioneve për disa kategori në muajin korrik, për festat e fundvitit nuk do të ketë kategorizime për pensionistët, pasi shpërblimin prej 5 mijë lekësh do ta marrin të gjithë, si pensionistët në fshat dhe ata në qytete.

Si mund të merret pensioni në shtëpi

- Drejtohuni në zyrën postare të pagesës së pensionit

- Kontaktoni me punonjësen e shërbimit, e cila do t’ju japë formularin e kërkesës

- Plotësoni saktësisht formularin e kërkesës për pension në shtëpi, duke kërkuar edhe ndihmën e punonjëses së shërbimit

- Shkruani qartë adresën e banimit dhe numrin e telefonit

- Pasi e keni plotësuar formularin, dorëzojeni atë në sportelin e shërbimit

- Pensioni vjen në shtëpinë tuaj në muajin pasardhës

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›