Tenderi i energjisë, OSSH do blejë 50 milionë euro energji
Për tre muajt e parë të vitit 2009, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka kërkuar të blejë gati 50 milionë euro energji. Në tenderin e zhvilluar dje nga OSSH-ja kanë marrë pjesë 9 kompani. Totali i energjisë që ofruan kompanitë ishte më i lartë se kërkesa e OSSH-së. Ndërkohë në tenderin e djeshëm kompania EFT ofroi çmimin më të ulët me 53 euro/MWh, ndërkohë që çmimi më i lartë i energjisë u ofrua nga kompania “Ezpada” me 76 euro/MWh. Konkretisht për muajin janar OSSH-ja ka kërkuar të blejë një sasi energjie prej 212.040 MWh me një fond limit prej 19 milionë euro. Ndërsa për muajin shkurt OSSH-ja ka kërkuar të blejë 171.360 MWh energji elektrike dhe fondi i vënë në dispozicion për blerjen e kësaj shume është gati 15.6 milionë euro. Për muajin mars është kërkuar të blihet një sasi energjie prej 189.720 MWh dhe fondi limit për blerjen e kësaj sasie energjie është gati 16 milionë euro. Sipas zyrtarëve të OSSH-së, përzgjedhja e firmave fituese dhe lidhja e kontratave, sipas ligjit, bëhet brenda 20 ditëve, duke zgjidhur kështu çështjen e mbulimit të humbjeve në rrjet, qëllim për të cilin kryhet edhe ky tender për blerjen e energjisë.