E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionet, procedurat e përftimit sipas kategorive

06/12/2008  Flet drejtori i Drejtorisë së Përfitimeve në ISSH Sabah Goci.

Ata që nuk disponojnë dokumentet, duhet të bëjnë vetëdeklarimin me shkrim në kërkesën paraprake

Për t’u ardhur në ndihmë të moshuarve që janë në prag të plotësimit të moshës së daljes në pension, Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka nxjerrë dhe njoftimin përkatës për të gjitha kategoritë që duhet të plotësojnë kërkesat paraprake për të ligjëruar të drejtën e përfitimit të pensionit. Ekspertët e sigurimeve tregojnë se një masë e tillë u vjen në ndihmë jo vetëm pensionistëve që të fitojnë pensionin në momentin e parë të plotësimit të kushteve, por dhe vetë institutit që të verifikojë në kohë periudhat e sigurimeve të kryera nga këta të fundit. Në një intervistë për gazetën “Metropol” drejtori i Përfitimeve në ISSH-së Sabah Goci tregon procedurën që duhet të ndiqet nga kjo kategori për të verifikuar në kohë të drejtën e marrjes së pensionit.

Çfarë pritet të sjellë plotësimi i kërkesës paraprake nga aplikuesit sipas afateve të përcaktuara në rregulloren e re të pensioneve?

Mbështetur në rregulloren e re të nxjerrë nga Këshilli Administrativ i ISSH-së, publikuar gjatë muajit nëntor “Për caktimin, administrimin dhe pagesën e pensioneve, njoftohen të gjithë personat që u afrohet koha për të përfituar një pension pleqërie sipas ligjit të sigurimeve se mund të paraqesin kërkesën e tyre me shkrim 12 muaj para plotësimit të kushteve përfituese. Dorëzimi i kësaj kërkese bëhet pranë agjencisë lokale të sigurimeve shoqërore të vendbanimit të tyre. Nëpërmjet këtij procesi plotësohet kërkesa paraprake për pension, dorëzohen fotokopje të librezës së punës për të deklaruar historikun e punës, i cili përfshihet në proces verifikimi. Një proces i tillë është shumë i rëndësishëm, pasi do të vlente për verifikuar në kohë historikun e punës, që në mjaft raste është në qendra të ndryshme të punës apo dhe në shumë raste në qytete apo fshatra të ndryshme të Shqipërisë. Më parë ishte e vështirë që të verifikoheshin në kohë kërkesat, pasi specialistët kishin vetëm pesë muaj kohë në dispozicion për të kryer verifikimet. Megjithatë, duhet të kemi parasysh që në shumë raste individi mund të ketë punuar në shumë institucione si private dhe publike dhe verifikimi i tyre apo lëvizja e dokumentacioneve nga një vend në një tjetër kërkonte shumë kohë, çka bënte që e drejta e pensionit të faktohej edhe pas plotësimit të kushteve për të përfituar. Pikërisht për të shmangur këtë kemi menduar që kjo kërkesë dhe formulari i ri të plotësohen 12 muaj para.

Cilat janë kushtet për të përfituar pension pleqërie për ata që mbushin moshën më 2009-2010?

Në ndihmë të këtij procesi kemi publikuar kushtet për të përfituar pension pleqërie gjatë në vitet 2009-2010, së bashku me kategoritë që duhet të plotësojnë kërkesën brenda këtij afati. Gjithashtu është bërë dhe ndarja sipas kategorizimit të profesioneve. Për punët e kategorisë së parë kushtet për të përfituar pension gjatë viteve të sipërpërmendura janë: mosha për burrat duhet të jetë 58 vjeç dhe për gratë 53 vjeç, ndërsa periudha e sigurimeve në vite për të dyja kategoritë duhet të jetë 30 vjet punë të njohur. Për punët dhe profesionet që përfshihen në kategorinë e dytë, mosha e përfitimit për burrat do të jetë 63 vjeç dhe për gratë 58 vjeç. Lidhur me vitet e siguruara këto dy kategori minimumi duhet të kenë të njohura 35 vjet punë. Për punët e kategorisë së tretë mosha e përfitimit për burrat do të jetë 64 vjeç dhe për gratë 59 vjeçe, teksa duhet të jenë të njohura dhe 35 vjet punë për të dyja rastet. Kategoria e fundit përfshin nënat me shumë fëmijë, të cilat mund të përfitojnë në moshën 50/vjeçare kundrejt 30 vjetve punë të siguruara. Për punët e kategorisë së parë dhe të dytë nga vjetërsia e punës gjithsej që kërkohet, ¾ e saj duhet të jenë të kryera në punë të kategorisë së parë dhe të dytë, me përjashtim të personave që kanë punuar në miniera në nëntokë dhe në punë të tjera të nëntokës, të cilëve u kërkohet që një e dyta e periudhës së punës të jetë në këto punime.

Pse është e nevojshme një procedurë e tillë?

Çdo person që është në prag të plotësimit të kushteve të mësipërme duhet të paraqitet pranë organeve përkatëse të vendbanimit të tij për të plotësuar kërkesën paraprake për të drejtën e pensionit, duke dorëzuar dhe një listë të caktuar dokumentacionesh që kërkohen. Kjo procedurë duhet të kryhet 12 muaj para dhe jo pa qëllim dhe i kemi njoftuar. Duke iu rikthyer edhe një herë faktit se dokumentacioni i vjetërsisë në punë ka nevojë të verifikohet në burim në origjinë, pra të bëhen verifikime të regjistrave themeltarë, të borderove etj., verifikime të cilat duhet të kryhen në rrethe të ndryshme, atje ku është dokumentacioni për të dhënë pensionet në kohë.

Po personat që nuk disponojnë dokumentet verifikuese, ç’duhet të bëjnë?

Edhe kjo kategori përfituesish duhet të paraqitet pranë vendbanimit të tyre për të plotësuar kërkesën për të drejtën e pensionit. Ata do të plotësojnë një formular, në të cilin do të deklarojnë periudhat e tyre të sigurimeve (historikun e punës). Kështu, kërkesa parapake për plotësimin e dokumenteve për caktimin e pensionit ndahet në disa pjesë. E para, përmbledh të dhënat mbi gjendjen civile të aplikuesit, ku deklarohen të gjitha gjeneralitet dhe vendbanimet e tij deri në çastin e përftimit. Këto të dhëna plotësohen duke pasur parasysh regjistrimet e bëra në gjendet civile. Pjesa e dytë përmban kërkesën, në të cilën detajohet se ç’lloj pensioni duhet të përfitojë. Më pas vijohet me pjesën e tretë, e cila përbëhet nga tabelat përkatëse, në të cilat evidentohen periudhat e sigurimeve në vite. Përbri secilit subjekt të punësuar citohen detyrat e bëra nga aplikuesi nga data e fillimit të punës deri në kohën e ndërrimit të vendit të punës. Po e njëjta procedurë ndiqet dhe në tabelën tjetër përkatëse: punësimet në kooperativat bujqësore me shpërblim në ditë pune, apo punësimet e bëra në subjektet private. Gjithashtu në këtë kërkesë duhet të detajohen dhe rastet e të vetë punësuarve në aktivitet bujqësore dhe bujqësore. Më pas bëhet dhe deklarimi i sigurimeve vullnetare të derdhura në afatet kohore përkatëse, deklarohet nëse aplikanti është trajtuar me përfitime afatshkurta nga sigurimet shoqërore pas 1 janarit të 1994, si dhe vitet kur është kryer shërbimi ushtarak.

Çfarë dokumentacionesh duhet të shoqërojnë kërkesën paraprake dhe si veprohet në rastet kur jepet përgjigje negative për pension pas verifikimit të kërkesave të bëra?

Dokumentet e nevojshme që shoqërojnë kërkesën paraprake janë: fotokopje e librezës së punës (në mungesë të saj deklaratë personale për vitet e punës), certifikatë lindjeje me fotografi, certifikatë martese për femrat. Për personat që pasi marrin përgjigjen nga organet e sigurimit për verifikimet e kryera, ku nuk është faktuar veprimtaria e tyre e sigurimit në vite, këta të fundit mund t’u drejtohen organeve gjyqësore për të kërkuar të drejtën më tej. Do të jetë kjo e fundit që do të merret me trajtimin e mëtijshëm të këtij rasti, ku jep dhe vendimin përkatës.

Bisedoi: Pranvera Kola

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›