E Diel, 1 Nëntor 2026

Vjen përgjigja, SHBA: Nuk mund të rikuperohen pamjet filmike

24/10/2011  Autoritet amerikane i dërgojnë akuzës serverin e Kryeministrisë dhe përgjigjen

“21 janari”, filmimet e kamerave të Kryeministrisë s´mund të gjenden

TIRANE-Autoritetet amerikane s’kanë mundur të rikuperojnë pamjet filmike të demonstratës së 21 janarit të këtij viti, që u fshinë nga serveri qendror i Kryeministrisë. Përgjigja ka ardhur nga SHBA pak ditë më parë në Prokurorinë e Tiranës, e cila vihet në dijeni për pamundësinë e gjetjes së pamjeve filmike që u fshinë nga serveri. Së bashku me përgjigjen, pala amerikane ka kthyer dhe serverin që Prokuroria e Tiranës sekuestroi në ambientet e Kryeministrisë në muajin janar. Pas verifikimeve të shumta të tij, në atë periudhë organi i akuzës së kryeqytetit konstatoi se serveri nuk kishte asnjë pamje filmike nga ngjarja e dhunshme e 21 janarit, trazirë e cila ndodhi para kamerave të sigurisë që janë të instaluara në godinën e Kryeministrisë. Nga ana e Kryeministrisë u pretendua se serveri kishte ruajtur pamjet filmike, por ato ishin fshirë për shkak se kjo praktikë bëhet çdo ditë, me qëllim shmangien e mbi ngarkesës në memorien e pajisjes kompjuterike. Kaq ka mjaftuar që Prokuroria e Tiranës të hedhë dyshime për një akt të qëllimshëm dhe menjëherë ka urdhëruar që serveri i marrë nga Kryeministria të nënshtrohet një verifikimi në SHBA. Autoritetet e këtij shteti nëpërmjet pajisjeve që mundësojnë “gjurmimin” e pamjeve filmike të fshira, kanë bërë kërkimet e nevojshme, por që siç mësohet nuk kanë mundur të rikuperojnë pamjet e fshira. Nisur nga kjo situata, SHBA ka njoftuar Prokurorinë shqiptare mbi konkluzionet e këtij verifikimi, gjë e cila tregon se nga serveri i Kryeministrisë nuk mund të shërbejë asnjë material që mund të administrohej në dosjen hetimore të “21 janarit”. Momentalisht akuza e kryeqytet është në pritje dhe të një përgjigje tjetër, pasi pak kohë më parë drejt SHBA u dërguan 7 pistoleta të Gardës së Republikës për ekspertim balistik më të specializuar. Kjo për shkak se ekspertët shqiptarë nuk ishin në gjendje të përcaktonin me saktësi se cila, nga armët kishte qëlluar në drejtim të tre demonstruesve të vrarë, Hekuran Deda, Aleks Nikaj dhe Faik Myrtaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›