Pensionet rriten nga 200 deri në 760 lekë
Duke filluar prej ditës së sotme, pensionistët do të përfitojnë një shtesë pensioni mujor që varion nga 200 - 760 lekë. Plus kësaj, një pensionist do të përfitojë 500 lekë për kompensimin e çmimit të bukës dhe energjisë elektrike. Të ardhurat maksimale për pensionin e plotë të qytetit nga 21.380 lekë bëhen 21.880 lekë. Ndërsa një pensionist i fshatit që deri dje merrte 6344 lekë, me shtesat e reja do të marrë 7234 lekë. Pensioni maksimal i fshatit nga 10.690 lekë, duke filluar nga data e sotme do të bëhet 10.890 lekë. Efektet financiare për vitin e kaluar kanë kapur shifrën e 30 milionë dollarëve, ndërsa për këtë vit për rritjen e pensioneve, fatura financiare është 20 milionë dollarë.
Këshilli i Ministrave ka miratuar dje rritjen me 10% të pensioneve minimale të pleqërisë dhe pensioneve të invaliditetit, janë rritur me 6% pensionet e plota, të pjesshme dhe të reduktuara të invaliditetit, nga aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale dhe me 4% pensionet e larta, pensionet e posaçme shtetërore dhe të ardhurat mujore të invalidëve të luftës kundër pushtuesve nazifashistë të popullit shqiptarë. Javën tjetër, qeveria do të miratojë edhe rritjen e pagave për administratën publike dhe zyrtarët e lartë.
Rritja e pensioneveTë moshuarit me pension minimal do të kenë në buxhetin e tyre mujor edhe 920 lekë më shumë. Ndërsa ata që përfitojnë një pension të lartë nuk do të marrin më shumë se 700 lekë në muaj.
Brenda kësaj rritje është e përfshirë gjithashtu edhe kompensimi i energjisë elektrike me vlerë 200 lekë dhe kompensimi i rritjes së çmimit të ushqimeve dhe bukës. Nga rritja e pensionit do të përfitojnë edhe ata pensionistë të cilët në qershor të këtij viti kanë marrë pensionin e tyre të parë. Pensioni minimal në qytet që prej ditës së sotme do të jetë 10 690 lekë, ndërsa pensioni maksimal jo më shumë se 21 380 lekë në muaj. Nga rritja e pensionit në nivel 6% do të përfitojnë 290.400 pensionistë, nga rritja me 4% do të përfitojnë 114.240 pensionistë dhe 160 mijë pensionistë do të përfitojnë 10% shtesë pensioni.
Do të rriten me 4% pensionet e plota, të pjesshme dhe të parakohshme të pleqërisë, pensionet e posaçme shtetërore dhe pensionet e invalidëve të luftës kundër pushtuesve nazifashistë. Rritjen, në masën 6 për qind të pensioneve të plota, të pjesshme dhe të reduktuara të invaliditetit, do ta përfitojnë invalidët e aksidentuar në punë apo me sëmundje profesionale. Rritjen, në masën 10 për qind, do ta përfitojnë kryesisht pensionet e fshatit dhe ish-anëtarët e kooperativave bujqësore.
Qeveria në bazë të përllogaritjeve ka përcaktuar që pensionet që rriten në masën 10% të mos jenë më të larta se 10 690 lekë në muaj. Pensionisti, krahas të ardhurave nga pensioni do të vazhdojë të marrë të ardhura të tjera që jepen me vendime të veçanta të Këshillit të Ministrave si 150 lekë në muaj kompensim për diferencën e çmimit të bukës, 350 lekë në muaj si kompensim për energjinë elektrike dhe 414 lekë në muaj për çdo pjesëtar të familjes që është në varësi ekonomike.
#