E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionet, rritje e diferencuar për 2012

11/01/2012  Ministri Ksera detajon skemën, rritja maksimale edhe këtë vit shkon për pensionet e fshatit

Ndryshime edhe në ndarjen e pagesave për kategoritë në nevojë. Ristrukturimi i Shërbimeve

Të ardhurat e 546 mijë pensionistëve do të pësojnë tjetër rritje gjatë këtij vitit. Duke bërë bilancin e punës së realizuar gjatë vitit që lamë pas, ministri i Punës Spiro Ksera ka rikonfirmuar skemën e rritjes së pensioneve nga 4 deri në 7 për qind. Rritja më e lartë edhe për këtë vit do të shkojë te pensionet e ulëta, me synim arritjen e qëllimit të barazimit të pagesave të pensionistëve ndërmjet fshatit e qytetit. Kështu, skema edhe për vitin 2012 kushtëzon rritjen e diferencuar të pensioneve, çka do të thotë se pagesat e ulëta, siç janë pensionet e fshatit dhe ato minimalet, do të vijojnë të përfitojnë rritjen maksimale deri në 7 për qind, ndërsa për pensionet e qytetit rritja do të vijojë më e ulët. Një element i veçantë në programimin e shpenzimeve për pensionet publike të vitit 2012 është dhe përfundimi i reformës së rritjes graduale të moshës së daljes në pension, e nisur rreth dhjetë vjet më parë. Kjo bën që në vitin e ardhshëm ritmi i pensioneve të reja të dyfishohet dhe të arrijë në rreth 27 000 pensionistë.

Fondet

“Për vitin 2011 të ardhurat minimale të pensionistëve krahasuar me një vit më parë në qytet u rritën me 4 për qind në qytet dhe në fshat me 7 për qind, duke arritur përkatësisht në 13 267 dhe 8358 lekë në muaj. Nga këto rritje përfituan 386 mijë pensionistë të qytetit dhe 160 mijë pensionistë të fshatit. Po me këto ritme do të vijojë rritja edhe për këtë vit”, - ka deklaruar gjatë ditës së djeshme ministri Ksera. Sa u takon fondeve, bëhet e dije se niveli i shpenzimeve për Institutin e Sigurimeve Shoqërore parashikohet të rritet nga 85.1 miliardë lekë në buxhetin e rishikuar 2011, në 89.8 miliardë lekë në vitin 2012. Kjo reflekton politiken e rritjes së pensioneve të diferencuar për pensionet e qytetit dhe pensionet në fshat, duke synuar kështu barazimin e nivelit të tyre. Për këtë vit buxheti i shtetit do të transferojë në fondin e ISSH-së nëpërmjet Ministrisë se Punës vlerën prej 31 888 miliardë lekë.

Kompensimet

Krahas rritjes së përfitimit pensionistët do të trajtohen edhe me kompensimin për çmimin e energjisë elektrike. Sipas të dhënave të detajuara, bëhet me dije se janë planifikuar edhe fondet për kompensimin e energjisë elektrike për pensionistët, personat me aftësi të kufizuara, familjet që përfitojnë ndihmë ekonomike si dhe punonjësit buxhetorë me pagë deri në 35 000 lekë. Fondi është përfshirë në zërat përkatës të buxhetit të Ministrisë: fondi i pagave, i pensioneve, i ndihmës ekonomike dhe paaftësisë. Pra, edhe për vitin e ardhshëm të gjitha kategoritë e parashikuara do të vazhdojnë ta përfitojnë kompensimin prej 640 lekë në muaj për energjinë elektrike, ku përfitojnë rreth 280 mijë persona, sipas Ministrisë së Financave.

Shërbimet për të moshuarit

Rritja e cilësisë së shërbimeve për të moshuarit që marrin shërbime rezidenciale dhe ditore vazhdon të jetë prioritet i politikave të Ministrisë. Këtë vit fillon rikonstruksioni i plotë i Shtëpisë së të moshuarve në Tiranë, që do të rrisë kapacitetin dhe cilësinë e shërbimit të ofruar. Të moshuarit e akomoduar në institucionet rezidenciale përveç shërbimeve tani përfitojnë 60 për qind të pensionit personal dhe ata që nuk përfitojnë pension u është rritur 50 për qind masa e përfitimit. Në objektivat e këtij viti, sipas ministrit, është edhe ngritja e sistemit on-line të mbledhjes së të dhënave për situatën social-ekonomike të komunitetit rom e atij egjiptian në të gjithë Shqipërinë. Në bashkëpunim me Entin Kombëtar të Banesave në qytetet e mëdha do të ngrihen e do të funksionojnë qendra multidisiplinare, të cilat do të sigurojnë strehim për këtë komunitet dhe do të mundësojnë akses më të mirë të tyre në arsim, shëndetësi dhe punësim. Gjithashtu ministri ka theksuar se prioritet gjatë vitit 2012 është edhe afrimi i shërbimeve rezidenciale sa më pranë ambienteve të familjes, nëpërmjet transformimit infrastrukturor të institucioneve dhe kalimit në shërbime të reja të tipit ‘casa-famiglia’.

Nisma e re do të sigurojë mikrokredi për individët në nevojë që të punësohen

Ksera: Mikrokredi për uljen e papunësisë

Për të ulur nivelin e papunësisë si dhe për të mbështetur kategoritë që trajtohen në skemën e ndihmës ekonomike, Ministria e Punës ka parashikuar zbatimin e një nisme të re, që ka të bëjë me dhënien e mikrokredive për kategori të caktuara që ndihmojnë në hapjen e vendeve të reja të punës. Konkretisht bëhet fjalë për dhënien e kredive të vogla për të gjitha ato shtresa në nevojë që do të ndihmojnë në hapjen e punishteve apo iniciativa të tjera që do të sigurojnë shtimin e vendeve të reja të punës. Dhënia e këtyre kredive synon shndërrimin e skemës së ndihmës ekonomike nga pasive (dhënia thjesht e pagesave për shtresat e varfra) në aktive, që synon sigurimin e vendeve të reja të punës duke i nxitur dhe mbështetur me fonde këto shtresa. Ministri Ksera tha se ka nisur puna për të përcaktuar mënyrën se si do të përfitohet mikrokredia, ndërsa arsyeja e kësaj iniciative të re është zbutja e varfërisë ekstreme. “Politikat e Ministrisë së Punës edhe gjatë vitit 2012 fokusohen në uljen e varfërisë dhe rritjen e punësimit. Ndryshimet në ligjin për ndihmën ekonomike parashikojnë aplikimin e një forme të re vlerësimi, që garanton përfshirjen në skemë të çdo familjeje që jeton në varfëri. Pilotimi i skemës së re do të fillojë gjatë vitit 2012 nëpërmjet dixhitalizimit të plotë të saj dhe ngritjes së Regjistrit Elektronik në nivel kombëtar”, - ka deklaruar ministri Ksera. Më tej ministri ka sqaruar se nëpërmjet reformimit të skemës synohet arritja e objektivit madhor të qeverisë, që deri më 2013 të ulet ndjeshëm varfëria absolute dhe të zhduket varfëria ekstreme. “Këtij qëllimi i shërben edhe krijimi i shoqërisë “Nxitja e Biznesit Social” përmes së cilës do të sigurohen mikrokredi për individë në nevojë, dhe hartimi i ligjit të ri “Për ndërmarrjet sociale”. Këto dy iniciativa synojnë uljen e varfërisë dhe integrimin e grupeve në nevojë në tregun e punës dhe në jetën socialekonomike të vendit”, ka përfunduar ministri.

Abuzimet me ndarjen e pagesës së aftësisë së kufizuar

Përfituesit nuk do të zgjidhen më nga njësitë vendore

Rishikohen procedurat e ndarjes së pagesave të aftësisë së kufizuar. Duke marrë shkas nga abuzimet e shumta të evidetuara në listat e përfituesve, ministri Ksera ka deklaruar se janë parashikuar një sërë ndryshimesh sa i takon vendimmarrjes për ndarjen e këtyre pagesave. Gjatë viteve të fundit abuzimet me ndarjen e kësaj pagese kanë qenë të vazhdueshme, kjo sipas ministrit ka ardhur si pasojë e ngërçit ligjor, duke qenë se përzgjedhja e përfituesve bëhej nga përfaqësuesit e pushtetit vendor dhe ato të komunave. Për t’u dhënë fund këtyre abuzimeve ministri ka sqaruar se po rishikohet mënyra e vlerësimit të aftësisë së kufizuar dhe ajo e funksionimit të komisioneve të vlerësimit të aftësisë së kufizuar. “Vendimmarrja në shumë raste abuzive e këshillave komunalë dhe bashkiakë për të fryrë skemat e ndihmës ekonomike, kur në shumë raste janë vendosur vetë anëtarët e këshillave të komunave. Gjatë inspektimeve tona ne i kemi evidentuar, por ligji nuk na lejoi që sipas aksioneve të përfitonim heqjen e tyre nga skema, sepse ishte vetë këshilli i komunës apo i bashkisë që vendoste për këto sanksione. Tashmë këtë vit këtë vendimmarrje do ta kenë drejtoritë rajonale të shërbimit social shtetëror", - tha Ksera. Ministri i Punës thotë se për shkak të këtij ngërçi qeveria tani do të ndryshojë ligjin dhe procedurat se si përcaktohen ata që përfitojnë asistencë si persona me aftësi të kufizuar, por pa dhënë detaje. "Këtë vit në bashkëpunim e Ministrinë e Financave dhe me Ministrinë e Shëndetësisë po rishikojmë mënyrën e vlerësimit të aftësisë së kufizuar dhe mënyrën e funksionimit të komisioneve të vlerësimit të aftësisë së kufizuar", - tha Ksera.

Objektivat për vitin 2012

• Do përfitojnë formim profesional në qendrat publike 9000 persona, nga të cilët 7000 punëkërkues të papunë do të formohen në kurse profesioni. Punësimi postformim parashikohet të jetë mbi 50%.

• Nga programet e nxitjes së punësimit do të punësohen 2500 persona.

• Punësim nëpërmjet ndërmjetësimit do të përfitojnë 12 500 punëkërkues.

• Do të trajtohen me pagesë papunësie 11 000 persona.

• Do të zgjerohet dhe përmirësohet cilësia e shërbimeve të punësimit nëpërmjet informatizimit të sistemit dhe rritjes së profesionalizmit të punonjësve.

• Parashikohet mbështetja me ndihmë ekonomike e rreth 104 mijë familjeve.

• Do të mbështeten me pagesa 87 742 persona me aftësi të kufizuar e kujdestare, si dhe 61 086 invalidë pune.

• Do të rriten të ardhurat e 546 mijë pensionistëve në masën 4%.

• Do të krijohet një sistem modern dhe unik inspektimi në të gjithë vendin. ISHP do të realizojë 13 000 inspektime në subjektet shtetërore dhe private. Do të trajnohen 110 inspektorë, me qëllim rritjen e efektivitetit të procesit të inspektimit.

• Do të garantohet një rrjet i qëndrueshëm e cilësor shërbimesh për 1059 klientë rezidencialë e ditorë të 29 institucioneve të përkujdesit shoqëror, në të cilat trajtohen fëmijë jetim, të moshuar, të braktisur, viktima trafikimi dhe fëmijët me aftësi të kufizuara.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›