E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionet, sigurimi i viteve të munguara

22/11/2011  Mbulimi i plotë vjetërsisë së punës që kërkohet duhet siguruar para mbushjes së moshës për përfitim

Në mungesë të pensionit të plotë, jepen pensionet e reduktuara dhe ato të pjesshme

Për të mos rrezikuar djegien e pensionit, kategoritë që janë në prag të plotësimit të kritereve që përcakton ligji mund të përfshihen në skemën kontributive (nëpërmjet sigurimit vullnetar) për të plotësuar vjetërsinë munguar të punës, që legjitimon të drejtën e trajtimit me pension. Por derdhja e këtyre kontributeve duhet bërë detyrimisht para arritjes së pragut për moshën e caktuar të daljes në pension. Në rast se deri në arritjen e moshës për përfitim aplikuesi ka vite të munguara në vjetërsinë e punës, humbet të drejtën për t’u trajtuar me pension të plotë pleqërie. Megjithatë, skema lejon që në këto raste aplikuesit të përfshihen në skemën e pensioneve, por duke u trajtuar me një përfitim të pjesshëm, i cili siguron të ardhura në bazë të vjetërsisë së punës së faktuar. Për të marrë këtë përfitim aplikuesi duhet të plotësojë një sërë kushtesh sa i takon moshës së përfitimit dhe limitit të lejuar të periudhave të sigurimit që duhet të kenë. Pjesë e skemës janë edhe pensionet e reduktuara, të cilat jepen si rezultat i pamundësisë së një kategorie personash. Për arsye e rrethana të ndryshme nuk mund ta vazhdonin më tej skemën e detyrueshme, ndërkohë që kanë plotësuar periudhën e sigurimit për të marrë një pension të plotë pleqërie për 35 vjet. Pamundësia e ndjekjes së skemës nga personat që mund të aplikojnë për pension të reduktuar është e ndryshme: mund të jenë larguar jashtë vendit, mund të kenë arsye të ndryshme familjare, mund të kenë një gjendje jo të mirë shëndetësore, gjendje që nuk i vendos në kushte përfitimi për të përfituar pension invaliditeti. Pra, pensioni i përfituar mbetet i reduktuar gjatë gjithë kohës së përfitimit, ndërkohë që u nënshtrohet të gjitha rritjeve që u bëhen pensioneve nga Këshilli i Ministrave. Për të mos rrezikuar as edhe një ditë marrjen e pensionit, duhet bërë kërkesa paraprake, e cila ndihmon në kryerjen e verifikimeve dhe plotësimit të dokumentacioneve që duhen dorëzuar pranë organeve të sigurimeve shoqërore për lidhjen e pensionit. Kështu, për kategoritë që janë në prag të përmbushjes së moshës e mira është që kërkesa paraprake dhe lista e dokumenteve që e shoqërojnë atë të bëhet tani.

me shume ne gazeten e dale ne treg

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›