E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia hap qendrën e parë për mbrojtjen e fëmijëve

22/11/2011  Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Fëmijëve. Qendrat do të ngrihen në çdo njësi bashkiake

Paketa sociale do të sigurojë për fëmijët shërbime shëndetësore, arsimore etj.

Pranë çdo njësie bashkiake në kryeqytet do të ngrihen qendra të posaçme për mbrojtjen e fëmijëve në nevojë. Dje në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Fëmijëve është inauguruar e para qendër pranë njësisë bashkiake numër katër në kryeqytet, e cila do të ofrojë ndihmë për fëmijët në nevojë. Punonjësit e këtyre qendrave do të koordinojnë të gjitha rastet e fëmijëve në rrezik, viktima të dhunës, të abuzimit, të shfrytëzimit, trafikimit apo fëmijëve të përjashtuar nga shoqëria, duke u cenuar të drejtat jetike. Gjatë përurimit të saj nënkryetarja e Bashkisë Jorida Tabaku ka komunikuar se tashmë po shkon drejt mbylljes edhe puna për përgatitjen e një paketë sociale për t’u ardhur në ndihmë të gjithë fëmijëve në nevojë, duke u siguruar atyre shërbimet si ato shëndetësore, arsimore, të edukimit etj. “Bashkia është duke identifikuar dhe përgatitur një paketë sociale, e cila do të ketë rëndësi shumë të madhe për të gjitha politikat sociale të përgatitura në nivel qendror dhe si do t’i zbatojmë ne këto në nivel lokal. Mbrojtja e të drejtave të fëmijëve është një nga fushat kryesore ku ne do të përqendrohemi dhe do të punojmë”, - ka pohuar Tabaku. Më tej ajo ka sqaruar se në bashkëpunim me njësitë vendore ka nisur puna për të identifikuar të gjithë fëmijët në nevojë, të cilët janë në komunitete, janë vulnerabël dhe nuk kanë mundësi të arsimohen, për t’i ndihmuar e për t’i përfshirë në sistemin arsimor, si dhe do të përfitojnë asistencën sociale dhe shëndetësore. Po gjatë ditës së djeshme nënkryetarja Tabaku priti dhjetëra fëmijë të tri qendrave komunitare në sallën e këshillit bashkiak, të cilët kishin paraqitur punimet e tyre në një panair pranë rrugës për këmbësorë “Murat Toptani”. Ndërsa kanë vizituar punimet e paraqitura në panair, fëmijë kanë shprehur dëshirat dhe problemet e tyre në një letër drejtuar kryetarit të Bashkisë Lulzim Basha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›