Masterat profesionalë, kusht për konkurrencë në tregun e punës
Drejtoresha e Zyrës së Projekteve dhe Kërkim-Zhvillimit në Universitetin Europian të Tiranës, Nevila Xhindi, në këtë vit të ri akademik, në një intervistë për “TV Scan”, tregon rëndësinë e kryerjes së një masteri profesional për profesionet më të kërkuara nga tregu i punës
Çfarë ofron ky vit i ri akademik në Universitetin Europian të Tiranës?
Universiteti Europian i Tiranës në këtë vit akademik është pranë studentëve të rinj dhe atyre aktualë me ofertë akademike të re dhe jo vetëm në ciklin e parë dhe të dytë, por edhe në atë të tretë, doktoraturat. Janë ngritur disa grupe të këshillimit akademik sipas fakulteteve, me pedagogët më në emër të universitetit, të cilët ofrojnë këshillim akademik për studentët e rinj, të gatshëm për t’u treguar ku, si dhe në çfarë mënyre duhet bërë investimi akademik dhe ai i karrierës.
Në takimet e përditshme që ju keni me këta studentë potencialë, çfarë kuptoni? Sa dijeni kanë ata lidhur me atë që duan të bëjnë në jetë?
Këto ditë, duke qenë në krye të gjithë kësaj iniciative të universitetit, vërej një gjë shumë interesante. Gjimnazistët që i ofrohen tregut të arsimit të lartë në nivelin Bachelor-në ciklin e parë të studimeve-përgjithësisht janë të qartë se çfarë kërkojnë. I ofrohen një tregu, i cili u ofron 3 vjet studime të përgjithshme, në një fushë të caktuar. Mbaron një tre-vjeçar Bachelor, dhe ajo që u intereson të studiojnë në një universitet cilësor si UET, i renditur i pari në renditjen e universiteteve, universitet me një staf akademik të përgatitur, më të mirët e fushës, madje nganjëherë pyesin edhe me emra, “nëse është ky apo ai pedagog, a janë botuar këta libra këtu, cilat janë aktivitetet, si punohet me studentin etj...”. Ajo që unë dua të tërheq vëmendjen për diçka të konstatuar është që ata studentë që interesohen për studimet në ciklin e dytë dhe të tretë (cikli i dytë përfshin Masterat Profesionalë dhe Masterin e Shkencave, cikli i tretë i studimeve përfshin Doktoraturat që Universiteti Europian i Tiranës sapo i ka licencuar). Një pjesë e mirë- nuk them të gjithë- ata që ulen në tavolinat tona për të marrë këshillim akademik nuk e dinë çfarë kërkojnë dhe informacioni që kanë është shumë i pakët. Studenti kërkon një master, dhe pyetja jonë është: Ju jeni i interesuar për një Master Profesional apo një Master të Shkencave?
Përgjigjja në një pjesë të mirë të rasteve është një tjetër pyetje... e një tjetër pyetje. Cili është dallimi? Përse është njëri dhe përse tjetri? Ekipi i të gjithë pedagogëve që punojnë në hollin e Universitetit janë të trajnuar për të dhënë përgjigje të sakta, për të drejtuar dhe përputhur interesat e studentit me të gjitha llojet e masterave, profileve që ofron Universiteti Europian i Tiranës, si në Master Profesional ashtu edhe në Masterin e Shkencave... dhe në fakt mes tyre ka një dallim të madh.
Përpara se të shkojmë në dallimin e një Masteri Profesional nga ai i Shkencave, për çfarë duhet një master, pikë së pari? Se është e qartë se edhe me tre vitet e para të studimit dikush është i aftë të dalë në tregun e punës. Apo jo?
Kjo është shumë e vërtetë dhe është e mbështetur edhe në ligjin shqiptar. Departamenti i Administratës Publike e ka pjesë të kritereve të rekrutimit. Sigurisht sot konkurrueshmëria është rritur shumë, tregu i talenteve është shumë i madh. Arsimi i Lartë ofrohet nga operatorët publikë dhe ata privatë, ofrohet në shumë nivele, në Shqipëri po rriten kompanitë e mëdha që janë të interesuara të rekrutojnë staf të kualifikuar, tregu është ndërkombëtarizuar, axhenda e arsimit të lartë është ndërkombëtarizuar. Sot në këtë treg global jemi të lirë t’i qasemi tregut të punës kundrejt profesionalizmit dhe karrierës që mbartim me vete. Por çfarë ndodh vërtet? Jo gjithmonë një Bachelor është i supozuar në momentin imediat t’i ofrohet tregut të punës. Ka shumë studentë që preferojnë të fillojnë një punë, të një kategorie që i përshtatet nivelit të tyre të studimeve dhe pastaj të ngrenë mbi këtë karrierë. Domethënë pas një viti apo dy vitesh punë, ata janë të lirë të zgjedhin një Master Profesional apo edhe një Master të Shkencave, bazuar mbi dy interesa krejtësisht të ndryshme në fakt.
Masteri Profesional është masteri që i ofrohet tregut të punës. Ndërsa Masteri i Shkencave, sigurisht që i ofrohet tregut të punës, por është më i thelluar, është më akademik. Është një investim shumë më i madh, akademik, kohor, kërkimor, edhe metodologjik. Ka një qasje gati të ndryshme me Masterin Profesional.
Ndoshta është me interes të shpjegoj secilin prej tyre. Masterat Profesionalë sot në botë quhen mastera të specializuar, sipas specialiteteve dhe janë shumë të preferuar për një kategori personash që janë në mesin e karrierës së tyre, që duan të përshtatin karrierën e tyre me vendin e punës dhe me të ardhmen, me aspiratën që ata kanë për karrierë. Por njëkohësisht edhe për ata që në një moment të jetës kanë vendosur të bëjnë diçka tjetër nga drejtimi akademik i mëparshëm dhe shikojnë që potencialet e tyre janë edhe dikund tjetër dhe bëjnë një përputhshmëri.
Unë dua të marr një shembull për ta konkretizuar. Tregu i bankave dhe ai financiar është shumë i hapur gjithandej, edhe në Shqipëri me hapjen e bankave të reja preferohen të merren në punë individë me karrierë finance, banke apo edhe juristë etj. Le të supozojmë që në një bankë X juristi është shumë i mirë, i shkolluar mirë, por pa formimin e duhur për të performuar në nivele të larta në tregun bankar, si jurist i bankës. Punëdhënësi sheh tek ai potencialet për të qenë një jurist i mirë dhe i denjë për Bankën që punon, por mungon shumë pak nga ajo për të arritur perfeksionin në aspiratën e tij për karrierë si jurist banke dhe këtë fare mirë e plotëson një Master Profesional, një apo një vit e gjysmë, 60 apo 90 kredite, siç e parashikon ligji. Kështu mundësitë rriten që të kemi një përputhshmëri të karrierës shumë të mirë të juristit me njohuritë profesionale të tregut bankar. Kjo bën që në auditorët e Masterave Profesionalë shtresat e interesuara të jenë të ndryshme dhe të vijnë nga background-e akademike të ndryshme, nga përvoja profesionale të ndryshme.
Si është raporti i zgjedhjeve që bëjnë studentët në Universitetin Europian të Tiranës në raportin Master Profesional dhe Master i Shkencave?
Përgjithësisht në vitin e parë kur UET hapi programet e Masterave Profesionalë dhe atij të Shkencave, kemi pasur raporte deri diku të baraspeshuara. Për Masterin Profesional, ky është viti i tretë i të diplomuarve në UET, ndërsa Masteri i Shkencave sivjet ishte viti i parë i diplomimit, se është dy vjet. Në të vërtetë vjet, d.m.th. gjatë vitit akademik 2010-2011, kemi pasur një bum në Master Profesional, gati dyfishim me Masterin e Shkencave. Kjo, në fakt, është në përputhshmëri të plotë edhe me trendin Europian. UET ka punuar shumë që të ndërgjegjësojë studentët në raportin shkollim-treg i punës .
Sa përputhet tregu i punës me kërkesat që kanë studentët sot për master, me masterat që ofrohen? Ju thatë që janë të pafundme, por a janë të pafundme edhe mundësitë për të gjetur punë në përputhje me këta mastera dhe konkretisht Universiteti Europian i Tiranës ka marrëveshje me bizneset, së pari për krijimin e vendeve të punës për studentët e tij dhe e dyta për projektet e kërkim-zhvillimit, meqenëse ju drejtoni këtë zyrë?
Ne i kemi ngritur Masterat Profesionalë pikërisht mbi këtë logjikë. Në universitet funksionojnë bordet e tregut të punës, pranë çdo fakulteti që janë të ngritura me persona që drejtojnë biznese me emër në Shqipëri dhe që kanë sjellë pranë Universitetit Europian të Tiranës shqetësimin që ka tregu i punës për profesionalizmin që duhet të kenë burimet njerëzore brenda këtij tregu dhe për të krijuar asete humane të nevojshme të këtyre bizneseve dhe tregut të punës. Të para në këtë frymë, masterat që ofron Universiteti Europian i Tiranës, si shkencori dhe profesionali janë shumë afër interesave të tregut të punës. Sigurisht që varet shumë edhe nga performanca personale, por ajo që ofrohet nga Universiteti Europian i Tiranës është mundësi më shumë për t’iu qasur tregut të punës. Ne çdo vit organizojmë Panairin e Punës, këtë vit e kishim në Qershor dhe morën pjesë 37 biznese. Ne mbajmë lidhje të ngushta me këto biznese dhe reciprokisht kemi kuptuar rëndësinë e këtij bashkëpunimi, e këtij partneriteti shumë të ngushtë. Ata marrin studentët tanë, ne identifikojmë nevojat e tyre dhe përshtatim masterat tanë, dhe është një partneritet shumë i rëndësishëm në botën akademike, të cilit Universiteti Europian i Tiranës i ka shtuar edhe një tjetër hallkë të rëndësishme bashkëpunimi, që është Zyra e Projekteve dhe Kërkim-Zhvillimit.