E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pensioni i pjesshëm, 43 për qind i pensionit të plotë

15/06/2005  Emigrantë: Nëse nuk keni as 15 vite punë, derdhini siguracionet për kohën e humbur vullnetarisht

Një numër i madh personash, brenda vendit, por kryesisht emigrantë, duan të marrin pension për kohën në të cilën janë siguruar. Sipas ligjit mbi sigurimet shoqërore, miratuar kohët e fundit, nëse kanë punuar 15 vjet në Shqipëri, ata përfitojnë 43 për qind të pensionit të plotë.

Si llogaritet pensioni i pjesshëm

Një ndër ndryshimet kryesore të ligjit mbi sigurimet shoqërore ka të bëjë me faktin se minimumi i domosdoshëm i viteve të punës për t’u siguruar nga 20 vjet që ka qenë deri tani, u bë 15. Pra është e kuptueshme se personi i cili ka plotësuar moshën dhe më konkretisht deri më 30 qershor të vitit 2005: meshkujt 61 vjeç e gjashtë muaj dhe femrat 56 vjeç e gjashtë muaj, kur kanë 15 vjet pune të siguruara, mund të marrin pension të pjesshëm. Ky pension del duke pjesëtuar 15 vjet, që është kufiri minimal për të marrë pension të pjesshëm, me 35 vjet, që është kufiri për të marrë pension të plotë. Dhe ky raport është rreth 43 për qind. Pra, një person që plotëson këto kritere, përfiton 43 për qind të vlerës së pensionit.

Muajt e vitet bosh, plotësohen

me siguracion vullnetar

Shumë shtetas, femra apo meshkuj, brenda apo jashtë vendit, plotësojnë moshën për të përfituar pension, por nuk kanë 15 vjetët për të dalë në pension të pjesshëm. Kanë të siguruara më pak se 15 vjet. Në rast se plotëson moshën për të dalë në pension, këta persona mund të bëjnë sigurimin vullnetar. Kuptohet këto siguracione duhet të derdhen përpara ditës kur nis procedurat për të dalë në pension. Pra, kush ka mbushur moshën dhe do të dalë këtë vit në pension, duhet të nxitoj që të derdhë siguracionet vullnetarisht për kohën e plotësuar.

Uljet, po t’i paguash

njëherësh siguracionet

Konkretisht, duke filluar nga data 1 qershor, siguracioni vullnetar është 3.742 lekë të reja në muaj. Po ta shumëzojmë për 12 muaj që ka viti dhe në rast se pagesa për të 12 muajt nga 1 korrik 2005 deri më 30 qershor 2006, shtohet viti i punës, ndërsa pagesa ulet në gjashtë për qind. Nëse një shtetas do të bëjë vetëm gjashtë muaj, për shembull nga 1 korriku i vitit 2005 deri më 31 dhjetor të vitit 2005, shuma ulet 3.5 për qind. Ndërsa në rast se do të bëjë sigurim vullnetar për tre muaj, atëherë kjo shumë ulet në 1.5 për qind. Ndërkohë, personi i interesuar mund të paguaj muaj për muaj shumën 3.742 lekë të reja në muaj, pra nuk përfiton ulje. Dhe nga drejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Ilir Beqja, është shprehur se kjo është një shumë e leverdisshme për ata që kërkojnë të kursejnë vitet e punës, edhe për faktin se duke filluar nga 1 qershori i vitit 2005, pensioni i plotë minimal i shtetit është 7.852 lekë të reja në muaj pa shtesat dhe për të paguar 3.742 lekë të reja në muaj, është më pak sesa gjysma e pensionit që përfiton, në rast se do të dalësh në pension të plotë. Kur personat që janë jashtë shtetit, derdhja e siguracionit vullnetar mund të bëhet nga personat e autorizuar prej tyre. Duhet të paraqiten te sigurimet shoqërore dhe të bëjnë një kontratë për aq kohë sa do të paguash për veten ose për personin emigrant jashtë vendit.

Llogaritja e pensionit të pjesshëm:

Duke pjesëtuar 15 vjet, që është kufiri minimal për të marrë pension të pjesshëm, me 35 vjet, që është kufiri për të marrë pension të plotë. Ky raport është rreth 43 për qind

Nga 1 qershori siguracioni vullnetar: 3.742 lekë të reja në muaj

Për pagesat nga 1 korriku 2005 deri më 30 qershor 2006

Ulja: 6 për qind

Për pagesat nga 1 korriku i vitit 2005 deri më 31 dhjetor të vitit 2005

Ulja: 3.5 për qind

Për pagesat nga 1 korriku deri 1 shtator

Ulja: 1.5 për qind

Nëse paguan muaj për muaj shumën 3.742 lekë të reja, nuk përfiton ulje

Nga 1 qershori i vitit 2005, pensioni i plotë minimal i shtetit është 7.852 lekë të reja në muaj

Siguracioni vullnetar është 3.742 lekë të reja në muaj, më pak se sa gjysma e pensionit të plotë minimal

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›