E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zgjedhjet, Ibraj kthen policët nga leja vjetore

14/06/2005  Procesi zgjedhor ka lënë pa lejet e zakonshme vjetore gjithë policët e kryeqytetit dhe të rretheve. Një urdhër i brendshëm i krerëve të Policisë së Shtetit, ka kthyer nga lejet vjetore edhe ata policë që kishin disa ditë që e kishin filluar. Lajmi është bërë dje i ditur për gazetën nga burime zyrtare të Policisë së Shtetit, të cilat sqaruan se me anë të një urdhërese të brendshme, për të pasur një angazhim maksimal për sigurinë dhe rendin gjatë procesit zgjedhor, është kërkuar që të gjithë punonjësit e policisë të jenë në krye të detyrës. Sipas burimeve, edhe ata punonjës policie të cilët kishin filluar lejen e zakonshme vjetore, janë thirrur sërish në detyrë. Ndërsa pjesën tjetër të lejes së papërfunduar do ta kryejnë pas zgjedhjeve. Burimet sqarojnë se kjo masë e kthimit në detyrë të policëve që kishin marrë lejen, është bërë me qëllim që situata të jetë nën kontroll. Procesi zgjedhor mblodhi disa ditë më parë në një takim krerët e Policisë së Shtetit dhe përfaqësues monitorues. Qëllimi i këtij takimi, sipas burimeve zyrtare të Policisë së Shtetit, ishte diskutimi më në detaje i Kodit Zgjedhor dhe i Udhëzimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe akteve të tjera ligjore, veçanërisht për detyrat e punonjësit të Policisë së Shtetit, në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 3 korrikut 2005. Të pranishëm në këtë takim ishin përfaqësuesit e OSBE–së, Jim McCarthy, oficer për Sigurinë, Oerd Bylykbashi, Këshilltar Ligjor pranë KQZ–së në OSBE, etj. E.H.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›