“Në Gërdec firmosëm fletë të bardha”
Armand BajramiNjë fletë e bardhë në të cilën shkruhej emri dhe mbiemri i tyre ishte i vetmi dokument që kanë firmosur punëtorët e fabrikës së Gërdecit. Dokumenti nuk përmbante asgjë më shumë veç emrit të personit. Ky fakt u pohua dje në gjyq nga dëshmitarët e radhës në procesin për tragjedinë e Gërdecit. Katër nga gjashtë dëshmitarët e paraqitur në gjykatën e Tiranës në procesin me 29 të pandehur për shpërthimin e 15 marsit 2008, konfirmuan se i kishin nënshkruar fletët e bardha, ndonëse asnjëherë nuk e morën vesh se për çfarë nevojiteshin. “Firmosa një fletë të bardhë. Në fabrikë ishte: bëj këtë që them unë, ose largohu që këtej. Isha hallexhi dhe kisha nevojë për punë”, tha dëshmitari Lutfi Gërdeci. Dëshmitari i cili kishte punuar në “fabrikën e vdekjes” në të dy projektet, si në demontimin e fishekëve, edhe në atë të predhave tha se kishte qenë i pranishëm në një nga incidentet e para 15 marsit në Gërdec. “Në periudhën e parë kam parë një rast zjarri aty ku behej demontimi i fishekëve. E kemi fikur zjarrin me punëtorët e tjerë duke përdorur kova me ujë”, u shpreh Gërdeci para gjykatës. Ditën e ngjarjes dëshmitari Gërdeci kishte qenë duke transportuar barutin e nxjerrë nga gëzhojat e predhave për në fabrikë. “Transportova me karrocë disa rrugë barut. Kur po shkarkoja karrocën e fundit ndjeva nxehtësi në shpinë. U ktheva dhe pashë një flakë të madhe nga hyrja e fabrikës. Nëpërmjet një hyrjeje tjetër arrita të dilja jashtë dhe të vrapoja”, tha dëshmitari. Sipas Lutfi Gërdecit, pasojat e shpërthimit të fabrikës po i ndiejnë edhe sot. “Fillimisht pas shpërthimit mora vesh se bashkëshortja ime ishte djegur. Por të nesërmen e gjeta në spital në Tiranë në gjendje kome. Qëndroi në koma për dy muaj. Edhe sot vazhdon ti vuajë pasojat, pasi është djegur në 33 për qind të trupit”, tregoi dëshmitari përpara gjykatës. Para togave të zeza, Lutfi Gërdeci se gjatë punës në Gërdec kishte pasur raste kur ishte konfliktuar me drejtorin e “Albademil”, Dritan Minxolli, një nga të arrestuarit e dosjes, për shkak të pamundësisë për të arritur normat e vendosura prej tij.“Shpërthimi, flaka e parë në një karrocë”TIRANE – Nikolin Azizaj ish-punonjës në Gërdec, e kishte parë flakën që shkaktoi më pas shpërthimin tragjik që në fillesën e tij. Babai i tij kishte humbur jetën nga shpërthimi dhe dhimbja për humbjen e prindit nuk i kishte kaluar ende dëshmitarit. “Nuk janë të mjaftueshëm!”, iu përgjigj Azizaj dje shprehjes së ngushëllimeve nga i pandehuri Dritan Minxolli. Sipas dëshmisë së dhënë dje në procesin në ngarkim të të akuzuarve si shkaktarë të tragjedisë së 15 marsit 2008, flaka kishte filluar në një karrocë të ngarkuar me thasë me barut. “Nga dita e ngjarjes kujtoj që ishte kohë mesditë, pasi kishim orarin e pushimit. Ishim duke ngrënë drekë brenda në fabrikë bashkë me grupin tim që përbëhej nga gruaja ime, kunati dhe vëllai im. Pashë një flakë. Kishte marrë flakë, ishte një karrocë e ngarkuar me thasë me barut. Ndodhej pranë një kapice me barut në tokë. Në atë moment u bërtita njerëzve të mi dhe të tjerëve: dilni se u dogjëm! Mora gruan, kunatin dhe vëllain, dolëm dhe u larguam me shpejtësi. Nga shpërthimi pësuam djegie dhe dëmtime në trup. Ndërsa babai im, nuk mundi të dilte nga fabrika, pasi ishte në anën tjetër të zjarrit dhe vdiq aty”, tha dëshmitari. Dëshmitari Azizaj kishte punuar në fabrikën e demontimit të municioneve në Gërdec që prej janarit të vitit 2008 e deri në shpërthimin e saj. “Rregullore nuk kam lexuar, por kam hedhur emër, mbiemër dhe firmë në një fletë të bardhë”, tregoi dje dëshmitari Azizaj. Dëshmitari tha para gjykatës se transporti i predhave dhe i thasëve me barut në fabrikë bëhej me anën e karrocave metalike. “Karrocat dëmtoheshin, por nuk e di se ku riparoheshin. Pata parë karroca të këputura prapa magazinave”, u shpreh Azizaj. ar.baZguri: Bëheshin saldime fare pranë fabrikës TIRANE – Dëshmitari Murat Zguri, konfirmoi dje para gjykatës se Qemal Deliu , viktimë e shpërthimit, saldonte tek banesa e tij, që ndodhej vetëm 30 metra larg fabrikës. Shpërthimi i 15 marsit 2008 kishte plagosur gjithë anëtarët e familjes si edhe i kishte rrafshuar me tokën dëshmitarit banesën e tij pranë asaj të Qemal Deliut. “Shtëpinë e Qemal Deliut e kam shumë afër. Veç veglave të tjera që kisha në shtëpi kam pasur edhe gurë fleksibël për prerjen e metaleve, si edhe saldatriçe. Saldatriçja ishte e ndërtuar vetë dhe jo e prodhuar në fabrikë. Shpesh herë këto vegla ia jepja Qemalit. Saldatriçja ka qenë të shtëpia e tij. E përdorte për punë të veta private. Nuk e di nëse ka salduar apo jo karroca të fabrikës së Gërdecit. Saldatriçen ai e përdorte vetë. Qemali ishte prej kohësh usta saldimi. Kemi pasur mardhënie shumë të mira me të. Përveçse kishim origjinën nga e njëjta zonë, ishim fqinjë dhe më pas u bënë edhe miq”, tha dëshmitari. Dëshmitari Zguri, tha dje para gjykatës se në fabrikën e demontimit të municioneve në Gërdec kishte punuar bashkëshortja e tij. Nga shpërthimi ishte plagosur ai vetë, bashkëshortja e tij, si edhe dy fëmijët. Emri i të ndjerit, Qemal Deliu, është përmendur disa herë nga dëshmitarët e deritanishëm në procesin gjyqësor të dosjes “Gërdeci” në Gjykatën e Tiranës. Sipas disa prej dëshmitareve, i ndjeri Deliu saldonte tek shtëpia e tij, karrocat metalike të punëtorëve të fabrikës së Gërdecit. Dëshmitari Zguri tha se nuk kishte dijeni nëse fqinji i tij Deliu merrte apo jo leje tek drejtori i “Albademil”, Dritan Minxolli për të salduar karrocat e fabrikës. ar.baMinxolli: S‘më pyetën për shpërthimin TIRANE – Dritan Minxolli, ish drejtori i fabrikës së Gërdecit tha dje nga qelia e sallës së gjyqit se nuk ishte pyetur asnjëherë nga organi i akuzës, për versionin e tij të shpërthimit në Gërdec. Reagimi i një prej të pandehurve të arrestuar të dosjes “Gërdeci” në gjykatën e Tiranës erdhi pas dëshmisë së dëshmitarit Murat Zguri i cili tha se “Qemal Deliu ushtronte punë si saldator në shtëpinë e tij, pak metra larg fabrikës së Gërdecit”. Me fytyrën nga gjykata, i pandehuri Dritan Minxolli u shpreh se askush nuk e kishte pyetur për mardhëniet e tij me Qemal Deliun, një nga viktimat e shpërthimit në Gërdec. “Gjatë gjithë qëndrimit tim si i izoluar në paraburgimin 313, gjatë marrjeve në pyetje nga organi i akuzës, në asnjë rast nuk jam pyetur për mardhëniet e mia me Qemal Deliun dhe për saldimet që ai bënte për llogari të fabrikës së demontimit të municioneve”, tha Minxolli. Gjithashtu, i pandehuri pretendoi se në asnjë rast nuk ishte kërkuar versioni i tij mbi ngjarjen e rëndë të 15 marsit 2008. “Nuk jam pyetur asnjëherë se nga çfarë ka ardhur shpërthimi. Nuk kam dhënë asnjëherë një version timin si drejtues i fabrikës, mbi ngjarjen”, u shpreh Minxolli. Ndërkohë që kryesuesi i seancës, gjyqtari Ridvan Hado, duke iu referuar dispozitave ligjore përkatëse të Kodit Procedurës Penale i bëri të ditur të pandehurit se “në çdo moment që ai dëshironte mund të bënte deklarime të lira”. Në seancat e mëparshme të pyetjes së dëshmitarëve, i pandehuri Minxolli ka pranuar para gjykatës se ka punësuar në Gërdec njerëz të të gjitha moshave, përfshi edhe të mitur. Ndërsa një seancë më parë ai u shpreh se kishte punësuar femra në kundërshtim të rregullave të punësimit. Por, sipas tij, gjithçka e kishte bërë për t’u ardhur në ndihmë personave që i kishin kërkuar punë. ar.ba